Një shpërthim është regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele (24 maj) në bulevardin “Nënë Tereza”, në Tiranë, në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se është vendosur një sasi e vogël lënde plasëse. Nga ngjarja janë shkaktuar vetëm dëme të lehta materiale, pa të lënduar në njerëz.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.

Njoftimi:

Rreth orës 03:40, në bulevardin “Nënë Tereza”, në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse.

Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe dokumentimin e plotë të rastit.