Të paktën 90 persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi gazi në një minierë qymyri në Kinën veriore.

Siç raportojnë mediat e huaja, ngjarja ndodhi në minierën Liushenyu, e menaxhuar nga grupi Tongzhou, në provincën Shanxi, një nga zonat më të njohura të vendit për industrinë e qymyrit.

Sipas autoriteteve, në momentin e shpërthimit, në minierë ndodheshin 247 punëtorë në turnin e punës.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje u dërguan qindra ekipe shpëtimi, ndërsa pamje nga mediat shtetërore tregojnë ambulanca dhe mjekë që transportonin të plagosurit me barrelë.

Më shumë se 100 persona janë dërguar në spital, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende në kushte të vështira.

Presidenti kinez Xi Jinping ka kërkuar që të mos kursehet asnjë përpjekje për trajtimin e të lënduarve dhe për gjetjen e të mbijetuarve, duke urdhëruar gjithashtu hetim të plotë për zbardhjen e shkaqeve dhe mbajtjen përgjegjës të autorëve.

Sipas mediave shtetërore, disa zyrtarë që menaxhonin minierën janë ndaluar tashmë, ndërsa dyshohet se niveli i monoksidit të karbonit në minierë ka tejkaluar kufijtë e lejuar, çka mund të ketë shkaktuar shpërthimin fatal.

Provinca Shanxi, një nga më të varfrat në Kinë, njihet si qendra kryesore e industrisë së qymyrit në vend.

Aksidentet në miniera kanë qenë të shpeshta historikisht, megjithëse vitet e fundit janë forcuar standardet e sigurisë. Megjithatë, ngjarje të tilla vazhdojnë të ndodhin. Në vitin 2023, një shembje në një minierë në Mongolinë e Brendshme vrau 53 persona, ndërsa në vitin 2009 një shpërthim në Heilongjiang shkaktoi mbi 100 viktima.

Kina mbetet konsumatori më i madh i qymyrit në botë dhe njëkohësisht emetuesi më i madh i gazrave serrë, pavarësisht rritjes së shpejtë të investimeve në energjitë e rinovueshme.