Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur pezullimin e përkohshëm të tarifave tregtare për më shumë se 75 vende të botës, duke përfshirë vende të Evropës dhe Azisë, për një periudhë 90-ditore. Gjatë kësaj kohe, këto shtete do të përfitojnë një normë të reduktuar prej vetëm 10% për shumicën e produkteve.
Në këtë listë lehtësimi nuk përfshihen Shqipëria dhe Kosova, të cilat tashmë ishin subjekt i një tarife 10% që në fillim të vendimeve të reja tregtare të administratës Trump, ndaj për këto dy vende nuk ka asnjë ndryshim apo lehtësim.
Ndërkohë, Kina përjashtohet nga çdo lehtësim tarifor, përkundrazi, Trump njoftoi një rritje të menjëhershme të tarifave ndaj saj në 125%, duke e cilësuar këtë si një përgjigje ndaj “mungesës së respektit” që, sipas tij, Kina ka treguar ndaj tregjeve botërore.
Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Presidenti Trump u shpreh:
“Këto shtete kishin shprehur gatishmërinë për dialog me SHBA-në, ndaj autorizova një pauzë 90-ditore dhe një tarifë të ulur ndjeshëm gjatë kësaj periudhe, prej 10%, që hyn në fuqi menjëherë.”
Trump shtoi se synimi është shmangia e përshkallëzimit të tensioneve ekonomike dhe arritja e marrëveshjeve të favorshme tregtare.
Por ndaj Kinës u shpreh me tone të ashpra:
“Shpresoj që Kina të kuptojë se koha e përfitimeve të padrejta ka përfunduar. Vjedhja ekonomike nuk është më e qëndrueshme apo e pranueshme.”
Ky vendim pritet të ndikojë më tej në marrëdhëniet tregtare globale, ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën, situata mbetet e pandryshuar – me një tarifë 10% të aplikuar nga SHBA.