Në prag të Europianit të Francës, Kombëtarja Shqiptare siguron një tjetër miqësore luksi për fazën përgatitore të evenimentit më prestigjioz të kontinentit. Federata Shqiptare e Futbollit njofton se ka arritur marrëveshjen me homologët ukrainas për të zhvilluar një miqësore midis dy kombëtarëve vetëm një javë përpara startit të Euro 2016.

Sipas komunikatës së publikuar nga federata, miqësorja do të luhet në datën 3 qershor në stadiumin e qytetit të Bergamos, “Atleti Azzurri d’Italia”. Ndeshja do të startojë në orën 20:30 dhe do të jetë miqësorja e dytë në radhë përpara nisjes së aventurës në Francë me ndeshjen e parë kundër Zvicrës në datën 11 qershor. Fillimisht, Shqipëria do të sfidojë Katarin në datën 29 maj dhe vetëm dy ditë pas miqësores me Ukrainën në 3 qershor, kuqezinjtë do të ndeshen edhe me Kanadanë.