Shtëpia e dikurshme Charles Dickens, në Londër, ka hapur dyert për vizitorët, pas restaurimit që ka zgjatur tetë muaj. Pesë milionë dollarë janë investuar në këtë projekt. Dickens kishte jetuar në këtë shtëpi në qendër të Londrës prej vitit 1837 deri më 1839 bashkë me familjen e tij. Aty besohet se ka shkruar kryeveprën e tij “Oliver Twist” dhe “The Life and Adventures of Nicholas Nickleby”. Shtëpia katërkatëshe prej tulle është restauruar në aso mënyre që sa më pak të përngjajë në muze, por më shumë të ofrojë një atmosferë të Londrës viktoriane, i ka thënë Rojtersit, drejtori i Muzeut, Florian Schwitzer. 

"Kemi dashur që përsëri t’ia kthejmë shtëpisë atë pamje që kur të vijnë vizitorët t’u duket sikur kanë ardhur në një vizitë te Charles Dickensi”, ka thënë ai. Muzeu ishte hapur më 1925 dhe është e vetmja shtëpi ku ka jetuar Charles Dickensi, e cila ka shpëtuar. Ajo është restauruar me rastin e 200-vjetorit të lindjes së Dickensit dhe vizitorët për herë të parë mund ta shohin edhe kuzhinën dhe tavanin e shtëpisë.

Në muret e shtëpisë shihen siluetat e Dickenist të ri, flokëgjatë dhe pa mjekër që janë krejt një imazh tjetër nga ai i Dickensit plak të cilin e kujtojnë të gjithë sa herë që ai përmendet. Në shtëpi janë edhe trapezaria dhe bodrumi i verës (Dickensi ishte merakli i pijes), dhoma e gjumit dhe ajo e punës. Në dhomën e punës është edhe tavolina e shkrimit ku ai i ka shkruar kryeveprat e tij. “Këtu ka nisur karriera e tij dhe kjo e bën këtë shtëpi shumë të veçantë”, ka thënë drejtori i Muzeut.

Dickens aty ka jetuar me bashkëshorten e tij Catherine dhe tre fëmijët e tij më të mëdhenj nga dhjetë sa kishte. Aty jetonte edhe kunata e tij, Mary, e cila vdiq në këtë shtëpi në moshën 17-vjeçare e kjo e goditi shumë shkrimtarin me nam. Ajo do të bëhej inspirim i tij për veprat e mëvonshme. Shpesh portretizohej si personazh engjëllor. Në dhomën ku ajo ka vdekur, vizitorët mund të shohin edhe foto të rralla të aksidentit hekurudhor në Kent më 1865 në të cilin Dickens shpëtoi bashkë me të dashurën e tij Ellen Ternan.

Pos këtyre detajeve, në muze do të organizohen punëtori, ligjërata, ekspozita dhe kostume nga filmat e bazuar në romanet e Dickensit. Deri tani, muzeun e kanë vizituar rreth 35 mijë veta në vit. Me rihapjen e tij, udhëheqësit presin që numri të rritet në 45 mijë.