Masat anti-Covid janë ashpërsuar nga dita e sotme deri më 2 gusht në Mal të Zi, duke ndaluar punën e lokaleve të natës si në ambientet e hapura ashtu edhe në ato të mbyllura.

Ky vendim erdhi si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive me Covid-19.

Nga data 2 gusht qëndrimi në ambiente të brendshme të hotelerisë do të lejohet vetëm për qytetarët që kanë test PCR negativ për koronavirusin, konfirmim se janë vaksinuar me së paku dozën e parë të vaksinës ose dëshmi se janë shëruar nga koronavirusi.

Këto masa i ka bërë të ditura drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Igor Galliç. Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se masat po ashpërsohen për shkak të mosrespektimit të tyre, veçanërisht në qytetet bregdetare. Sipas të dhënave të fundit, në Mal të Zi janë 480 raste aktive me koronavirus 136 prej tyre në qytetin turistik të Budvës.

Në qytetet në bregdet dhe në veri të Malit të Zi aktualisht ndodhen rreth 110 mijë turistë, çfarë do të thotë 80 për qind më shumë se në vitin 2019. Turistëve të huaj u lejohet hyrja në Mal të Zi pa test PCR ose certifikatë vaksinimi.