Nga viti 2026 çmimet Oskar do të aplikojnë një kategori të re për kastin më të mirë.

Do të jetë kategoria e parë që bëhet pjesë e ceremonisë që prej vitit 2002 kur u shtua filmi më i mirë i animuar.

Drejtorët e kastit kanë bërë fushata në vitet e fundit që të mund të njihen njësoj si elementët e tjerë të filmit si muzika, kostumografia, flokët dhe grimi. Ata janë ndër hallkat e para të stafit që përfshihen në projektet filmike dhe kanë rol kryesor në formësimin e filmave hollivudianë.

Roli i tyre është të punësojnë yje të mëdhenj në role protagoniste si dhe të tjerë që shfaqen në role më të vogla.

Në një deklaratë, drejtuesit e Akademisë thanë se drejtorët e kastit “kanë rol thelbësor në prodhimin e një filmi”.

Kategoria do të prezantohet në ceremoninë e vitit 2026 për shkak të fushatave të tjera të planifikuara. Megjithëse Akademia po bën përpjekje në vitet e fundit që ta shkurtojë ceremoninë e çmimeve Oskar për t’i mbërthyer shikuesit  pas ekranit, shfaqja zgjat më shumë se sa 3 orë.

Aktualisht, ndahen 23 çmime Oskar por interesi i publikut mbetet në kategoritë kryesore si filmi më i mirë, aktrimi dhe regjisori më i mirë.

Akademia nuk ka konfirmuar nëse kategoria e re do të përfshihet në transmetim, por me gjasë vendimi do të merret në një afat më të afërt me ceremoninë.

Veç drejtorëve të kastit, edhe dublantët kanë bërë fushata për përfshirjen e kategorisë së tyre, por përpjekjet nuk kanë patur sukses