Rreth 11 miliardë lekë të vjetra, bashkia e Durrësit po ia çon “dhuratë” koncesionarit të Sharrës për depozitimin e mbetjeve urbane të qytetit.

Me një procedurë aspak transparente, “Me negocim, pa njoftim” dhe për më tepër pa asnjë dokument sqarues sesi do të përdoret kjo shumë e konsiderueshme parash, bashkia e Durrësit ka hapur një ditë më parë (10 shtator) tenderin në fjalë.

Ashtu si edhe rreth një muaj më parë, (12 gusht) kur bashkia e Durrësit, me po të njëjtën procedurë, hapi tenderin për rreth 287 milionë lekë për koncesionarin e Sharrës, edhe këtë herë as një shkresë shoqëruese ku të sqarohet sesi do të shpërndahet kjo shumë, për cilën periudhë do të paguhet koncesionari etj, etj.

Ndryshe nga një muaj më parë, pavarësisht se objekti i tenderit është po i njëjti, këtë herë shuma është 5-fishuar, ndërsa qyteti bregdetar prej ditësh vuan ndotjen mjedisore si pasojë e mos tërheqjes së mbeturinave urbane. Rrugët e qytetit dhe lagjeve periferike apo zonave rurale plot me pirgje plehrash ishin një fenomen i përsëritur përgjatë gjithë kohëzgjatjes së sezonit turistik.  

Në një kohë që dëmet e tërmetit të 22 muajve më parë janë mjaft të dukshme në qytet, në një kohë kur qytetarët ankohen për vonesa në kalimin e bonusit të qirasë, ose për mos kalimin e tij prej muajsh tashmë, në një kohë që nuk ka nisur rindërtimi i pallateve të shembura dhe riforcimi i pjesës më të madhe të godinave me dëme të shkallës DS4, bashkia me një të rënë të lapsit dërgon drejt koncesionarit të Sharrës 11 miliardë lekë për mbetjet urbane.

Pak ditë më parë, kryeministri Rama publikoi në rrjete sociale një video nga punimet që po realizohen tek Eco Parku, i ngritur aty ku deri rreth një vit më parë ishte venddepozitimi i mbetjeve urbane të Durrësit.

Mbyllja e këtij venddepozitimi në mënyrë të nxituar dhe pa i dhënë zgjidhje më parë çështjes se ku do të depozitoheshin mbetjet urbane të Durrësit, krijoi jo pak herë ndotje mjedisore alarmante në qytetin bregdetar duke nisur nga qershori i vitit të kaluar e deri më tani.

Taksapaguesit shqiptarë duket se do t’i paguajnë një faturë të kripur koncesionarit për mbetjet urbane, për më tepër që kontrata e koncesionit ka kohëzgjatje 10 vite.  

M.B.