“Epo domosdo, e hodhi letrën jarani edhe iku. Po ‘B’ e ka emrin apo ia kanë ngrënë pulat?!” Me gjithë letrat që çoi e mori Ollga për të rregulluar Melin me një burrë në qytet, ajo e B-së i prishi të gjitha planet. “Të prita, po ti ishe me shoqet te Vali. Në dhomë nuk vij dot, se është teto Ollga. Takohemi nesër. B.”.
Aq sa nuk e deshi dhëndër në film, aq e deshi më vonë Piro Kitën Violeta Manushi. Gjithë kohët e bukura që kaluan bashkë, festat e batutat që shkëmbenin, në film nuk duken, por, vite më vonë, kur do të transferohej në Tiranë, Piro u bë i afërt për të. Njësoj siç bënin thuajse të gjithë aktorët e rinj që patën punuar dikur, edhe ai, e vizitonte shpesh në shtëpi.
Edhe për shkak të vetmisë, jeta e Manushit nuk do të ishte e njëjtë pa “merakun” e këtyre të fundit, e gjithë kolegëve të saj që e mësuan e i mësoi.
Për rolin e Bujarit te filmi “Zonja nga qyteti” ishin edhe 2-3 kandidatë të tjerë, por pas kinoprovave, rolin e mori Kita. Regjisori Piro Milkani e kishte parë aktorin e ri edhe më parë, në punën e diplomës, prandaj nuk e pati fort të vështirë për të zgjedhur.
E vendosi, sado që, kinoprovën Kita nuk e bëri me atë që do të ishte në film partnerja e tij, Raimonda Bulkun. Nuk ishte fare e nevojshme të shihte në do të ishte kimia mes tyre.
Ai nuk e dinte që aktorja edhe më e re, vetëm me një përvojë të vogël në një film të mëparshëm, kishte filluar sakaq të ëndërronte se kush do të ishte “dashuria” e saj, ajo që do t’i fshihte aq shumë së ëmës. Janë pikërisht këto kujtimet e para të Piro Kitës kur mësoi se ishte zgjedhur për rolin nga reagimet e aktores.
Ajo, sigurisht, ia pati thënë kohë më vonë, atëherë kur sikletet e njohjes e pasigurive të para kishin kaluar, atëherë kur, me të shkuarën mund të qeshësh, kur u bënë miq e kolegë që u takuan edhe në filma të tjerë.
Të mos ishte për kohën, Bujarit me Melit do t’i shkonte edhe ndonjë skenë më shumë dashurie, përveç atyre shëtitjeve të pafajshme në fusha…
Regjisori Piro Milkani nuk kishte në plan t’i përfshinte, nuk se hezitoi për shkak të mentalitetit të kohës në fakt, sado që edhe kjo ishte frenuese vetvetiu por, filmi nuk synonte të përcillte këtë, se deri ku shkohej a guxohej, ishte humori në thelb të së gjithës, siç edhe ka treguar koha. Megjithatë, edhe nëse do të ishte ndonjë skenë tjetër, qoftë unë, qoftë Monda ishim mjaft të hapur për të refuzuar, nëse do të pyeteshim ne d.m.th.
Pra, e paskeni diskutuar?
Jo, nuk është diskutuar nga regjisori. Mundet të kemi bërë ne biseda mes njëri-tjetrin, siç bënim e flisnim me njëri-tjetrin çdo natë, në orët e lira pas xhirimeve.
Si u takuat me Bulkun, ajo ishte ende një vajzë e vogël, ndërsa ju një student simpatik i sapodiplomuar…
Në fakt, kur kam bërë kinoprovën ajo nuk ka qenë, pra e kam takuar kur jemi mbledhur për të xhiruar. Siç më ka thënë kohë më vonë, ajo ishte e emocionuar për të parë se kush do të ishte partneri i saj në film. Kishte dëgjuar sigurisht për emrin, e që sapo isha diplomuar, por nuk njiheshim.
Ishte ulur me të tjerë në tavolinë, kur unë iu afrova për herë të parë. Ngaqë kishte pyetur aq shpesh, kush është, kush është, të pranishmit, sapo më kishin parë i kishin thënë, ja, ja ku është, po vjen. Nga hutimi ajo ishte ngritur për të më parë e kishte rrëzuar brokën e ujit nga tryeza.
Pavarësisht emocioneve të saj, prej moshës e mungesës së përvojës, ishte vajzë shumë e bukur, çka nuk besoj se i shpëtonte syrit të ndokujt! As tuajit…
Jo, pa dyshim ishte shumë e bukur dhe kjo dukej menjëherë, nuk mund ta mohonte askush.
Dua të them, nëse ajo ishte emocionuar përpara se t’ju njihte e shihte, ju mund t’ju “kapnin” emocionet më vonë, pasi e patë…
Të them të drejtën nuk ishte një gjë që mund ta kaloje pa e vënë re, pa dyshim që shëtisnin në kokë edhe mendime të tjera, jashtë bashkëpunimit profesional.
Do të ishte e pabesueshme e kundërta! Dy të rinj që gjenden në një ambient argëtues, ca të stimuluar nga fabula e filmit… A pati gjë mes jush?
Megjithëse zhurma u bë e madhe, jo, nuk pati asgjë.
Çfarë zhurme, dolën “fjalë”?
Po. Më kujtohet si tani kur u shfaq filmi “Zonja nga qyteti” për herë të parë. Ka qenë ditë e hënë, mëngjes, ora 09:00, kur filloi filmi dhe të pranishmit, që ishin rrethi artistik e njerëzit e letrave të kohës, kanë dalë nga kinemaja rreth orës 11:00.
Të gjithë që dolën më drejtonin gishtin, edhe spektatori i ditëve të mëpasshme po njësoj. Ishin të bindur se unë dhe Monda ishim të fejuar vërtet. Po në këtë kohë, prej fjalëve që ishin hapur, im vëlla që ishte përfaqësues i ambasadës sonë në Itali, më telefonon i nervozuar.
Pse?
Pse nuk e kisha njoftuar se isha fejuar. Si kisha mundur t’ia mbaja të fshehtë! Atij i kishin shkuar njerëz për urim meqenëse sipas tyre, pas pak kohësh, ne do të martoheshim.
Po nga doli e gjithë kjo?!
Nuk e di, njerëzit e interpretuan ashtu filmin, gjithë ajo që kishim atje u duk reale deri në atë masë.
Ju duket pak keqardhja… Ngeli e paqartë mosrealizimi i historisë!
Më duhet të them që, me gjithë bukurinë e Mondës, ishin shumë vajza të tjera të reja e të bukura që kanë punuar në atë film me ne. Me njërën prej tyre, asokohe unë kisha një histori dashurie, prandaj edhe ishte e pamundur. Ajo ndoshta edhe e pikasi njëfarë pëlqimi timin dhe u bë edhe më e afërt nga ç’do kishte qenë në rrethana të tjera apo në kushte normale.
Kështu po, pranohet! Megjithatë, di që mbrëmjet tuaja kanë qenë njësoj të bukura, me apo pa dashurinë që donit…
Kanë qenë vërtet shumë të bukura. Të gjitha ditët e xhirimeve kanë qenë si festë që shpërthente në kohën e lirë, në darkë. Mblidheshim të gjithë bashkë me banorët e flisnim deri vonë.
Nuk ju tërhiqte njeri veshin?
Ndodhte që, për shkak të vonesave në mbrëmje, të mos ishim korrektë në mëngjes, kur duhet të mblidheshim për të shkuar në vendet e xhirimeve. Të them të drejtën, edhe pak përtacë ishim. Na shijonin ato orët me njëri-tjetrit dhe i bënim një çik bisht punës. Kujtoj Violeta Manushin njëherë në autobus që, për shkak të një vonese timen, ishte nxehur. “Ku është ky, pse atë do presim ne?!”, thoshte.
Nuk ndërhynte regjisori në këto raste?
Meqenëse më pyetët për këtë, po ju tregoj një rast tjetër. Kishim gjetur një shishe raki “Perla” (duhet të dini që ishte gjë e rrallë kjo) dhe bashkë me Sotiraq Bratkon e Stavri Shkurtin, kishim ikur ta pinim, ishim fshehur diku në Volorekë të mos na shihte njeri. Ndërkaq.
Piro Milkani na kërkonte. Pyeti vërdallë deri sa na gjeti. Aty menduam që e djallosëm, por ai u afrua e tha “Ç’bëni aty, bjere njëherë ta provoj atë rakinë!”. Me këtë episod dua të them që kjo ishte atmosfera e përgjithshme.
Më kujtohet që më ka treguar Sotiraqi edhe për peshqit që donit të merrnit fshehtas nga rezervuari…
Epo, mosha i bën të gjitha! Me gjithë dietat që merrnim, ngeleshim thuajse gjithmonë pa para, ishim të gjithë të rinj e nuk mendonim as çfarë merrnim e as çfarë prishnim. Në një nga herët që ngelëm pa bukë, Vasillaq Vangjeli, me një fildispanjë kapte bretkosa dhe i hanim.
Por nëse kjo puna e bretkosave nuk ishte shumë e vëzhguar, peshqit në rezervuar numëroheshin, nuk të linte njeri. Por si çdo gjëje, edhe atyre ua gjetëm marifetin. Kujtoj që specialistët e peshkimit ishin Pandi Raidhi me Stavrin, ndërsa për të ngrënë, i hanim të gjithë.
Me të rinjtë u kuptuan marrëdhëniet e mira. Si ishin me Violeta Manushin?
Për shkak të çapkënllëqeve tona, edhe grindeshe ndonjëherë Violeta, por na donte të gjithëve, aq sa mua dhe Mondën na konsideronte vërtet si vajzën dhe dhëndrin. Kujtoj një rast kur ishim në një festë në Berat dhe unë isha bashkë me vajzën, që u bë më vonë ime shoqe.
Ajo është pak nazelie, kur vjen puna tek ushqimi dhe Violeta, kur e vuri re këtë gjë, i tha: “Moj ti, do ma lësh rehat djalin!”. Shkoja e vizitoja vazhdimisht në shtëpi viteve të fundit, pasi erdha të banoja këtu.
Me gjithë këto kohë të bukura që treguat, a e patët të vështirë ndarjen me grupin? Ende nuk e dinit që do të takoheshit dy vite më vonë…
Pas xhirimeve ne erdhëm të gjithë në Tiranë. Kishim ende punë me dublimet, por e kishim ndierë orën e largimit, kështu që përpiqeshim ta zgjasnim sa më shumë. Nuk largoheshim dot as nga njëri-tjetri, por as nga Tirana, kur ishim këtu. Bënim gafa, bënim sikur nuk dinim, sikur nuk kuptonim…
Të gjitha këto mund të shtynin largimin, por ishte vetëm çështje ditësh. Madje pikërisht këto ditë më pati thënë Violeta Manushi “Ore ti, ke zënë ndonjë këtu që s’do të ikësh?!”. Sigurisht që erdhi dita për të ikur, por u takuam sërish, jo shumë vonë, për një tjetër film që na kënaqi po aq, edhe pse nuk pati famën e të parit.
Intervistë marrë nga Panorama.al