*Një mësuese pensioniste, si e pret 7 Marsin? Mesazhi për mësuesit e rinj, dhe kujtimet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme
“Gjuha shqipe ka marrë fund, nxënësit e shkruajnë gabim, janë futur shumë barbarizma në gjuhë! Në ciklin e ulët mësuesit duhet të kenë përfunduar pedagogjiken, domosdoshmërisht”, është apeli i mësueses durrsake.
Teuta Qehajaj, mësuese e gjuhës dhe leximit, si dhe drejtuese e shkollave me emër në Durrës, për 32 vjet me radhë, është mjaft e emocionuar sa herë vjen 7 Marsi, festa simbol e mësuesve.
“Përgatitjet nisin ditë më parë për këtë festë, dhe emocionet po ashtu janë prezente, pavarësisht se kam dalë në pension, ne jetojmë me këto ngjarje njësoj. Nxënësit vinin në shtëpi, dhe e gjithë familja gëzonte”, thotë mësuesja në një intervistë për “DurrësLajm”.
Por zysha e gjuhës, ka një mesazh për mësueset e reja të kësaj lënde.
“Punoni me ndërgjegje dhe me përgjegjësi për brezin e ri. Ne dikur i shikonim si fëmijët tanë nxënësit, nuk i linim të iknin në shtëpi nëse nuk e kishin kuptuar mësimin. Sot nuk ka ndërgjegje, dhe na shqetëson ky fakt. Mos fusni barbarizma në gjuhën tonë të bukur shqipe! Nxënësit duhet të mësojnë gjuhën dhe gramatikën, sepse ata kanë mjaft probleme në të shkruar në ditët e sotme”, thotë Teuta Qehajaj.
Ndiqni intervistën e mësueses në videon më poshtë:
K.H.