9 dhjetor 2015 – “Sapo ishim kthyer nga një darkë familjare. Bashkëshorti im kishte pirë pak, por jo deri në atë pikë sa të merrte armën e të qëllonte. Nuk e dija se ne paskemi pasur armë në shtëpi. Kam qenë e ulur në një karrige kur ai ishte futur me armë në kuzhinë. Mbaj mend që djali më ka shtyrë dhe plumbi kapi atë”.
Kështu e nis rrëfimin e saj Etleva Nako, bashkëshortja e Romeo Nakos, i arrestuar më 30 nëntor të këtij viti, pasi në gjendje të dehur ka qëlluar me kallashnikov djalin e tij 15-vjeçar, P.Nako.
Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, gruaja 43-vjeçare rrëfen me detaje atë se çfarë ka ndodhur në familjen e saj rreth një javë më parë. Ndërsa, adoleshenti i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë shprehet se nuk do të kujtojë asnjë çast nga ajo që ka ndodhur në banesën e tij, në fshatin Pojan të Korçës.
Zonja Etleva, çfarë ndodhi mbrëmjen e 30 nëntorit?
Atë natë kemi qenë të ftuar për darkë te kunati, vëllai i burrit, pasi ai kishte festën e emrit të djalit të tij. Aty kemi ndenjur disa orë dhe burri im konsumoi alkool më shumë se ç’duhej. Nga ora 8 e gjysmë kemi shkuar në shtëpi.
Çfarë ndodhi më pas? A pati ndonjë konflikt mes jush dhe burrit tuaj?
Jo. Nuk kemi bërë asnjë debat. Kemi bërë muhabet si çdo natë. Më pas mbaj mend që djali më ka kërkuar që t’i bëja disa kokoshka dhe kur i kam mbaruar ato, jam ulur në një karrige për të pushuar. Nuk e di se si Romeo arriti deri në atë pikë sa të merrte armën dhe të qëllonte. Nuk e kam vënë re as kur ai është futur në dhomë me të. Mbaj mend vetëm që djali ka ardhur drejt meje dhe më ka thënë “kujdes mami” e më është hedhur në qafë. Kam dëgjuar vetëm të shtënat e armës dhe kam parë djalin që u shtri në tokë. Kam marrë djalin në krahë dhe kam dalë në oborr, ku një shok i tij na ka çuar deri në Spitalin e Korçës. Më pas nuk mbaj mend asgjë se çfarë ndodhi, pasi humba ndjenjat.
Keni qenë në dijeni për armën që burri juaj kishte në shtëpi?
Jo, nuk dija asgjë për armën dhe se ku e kishte fshehur. Nuk e kam ditur asnjëherë se ne kemi pasur një armë apo fishekë në shtëpi. Nëse do e dija diçka të tillë, do të kisha bërë diçka që mos të ndodhte ajo që ndodhi. Nuk di çfarë të them. Nuk e di pse Romeo arriti të bënte diçka të tillë. Jemi një familje që nuk kemi pasur konflikte me njëri-tjetrin. Çdo gjë e zgjidhnim me qetësi.
Pas ngjarjes, a keni komunikuar me bashkëshortin tuaj?
Jo, sepse kam qenë gjatë gjithë kohës pranë djalit tim. E vetmja që dua dhe i lutem Zotit është që im bir të jetë mirë. Fatmirësisht, tashmë ai ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe mjekët më kanë thënë që ai do të përmirësohet dita-ditës.
Pak ditë më parë, Gjykata e Shkallës së Parë Korçë ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj burrit tuaj. Keni ndonjë koment për këtë?
Siç e thashë edhe më parë, nuk di se çfarë ka ndodhur më tej me Romeon. Ndërsa për sa i përket masës së arrestit, nuk kam asnjë koment.
A do mundeni ju t’ia falni diçka të tillë bashkëshortit tuaj?
(Hesht). /Gazeta Shqiptare
/portali DurresLajm/