Dhimbja e fytit e shoqëruar me temperaturë është një nga simptomat që shfaqen më shumë kur  ka ndryshime temperaturash. Megjithëse në stinën e dimrit kjo simptomë është më e shpeshtë, nuk mundojnë rastet edhe në stinën e verës, kur shpeshherë qëndrimi për një kohë të gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar apo konsumimi i lëngjeve apo ushqimeve shumë të ftohta mund të pasohet me ftohje, dhimbje grykësh, temperaturë, diare apo të vjella.  Si duhet t’i trajtojmë këto raste? A kemi gjithmonë nevojë për mjekun gjatë një temperature stinore?

Si mjekohet dhimbja e fytit në kushtet e shtëpisë?

Dhimbja e fytit është problemi më i shpeshtë që haset tek fëmijët dhe të rriturit. Infeksionet e bajameve dhe faringut që shkaktohen nga viruset dhe bakteret e ndryshme japin dhimbje fyti, ndjesi enjtjeje dhe djegieje. Pacientët zakonisht pyesin “çfarë mund të bëjmë në kushtet e shtëpisë”? Për ta kuptuar më mirë këtë gjendje, le të flasim pak për fiziopatologjinë (mekanizmin e formimit të sëmundjes). Bakteret natyrale të florës tonë janë në ekuilibër të plotë me mekanizmin tonë mbrojtës, por në qoftë se ky mekanizëm dobësohet lokalisht, atëherë këto baktere të dobishme shumohen dhe krijojnë infeksionin. Në këtë rast sëmundja nuk është e rëndë. Dhimbjet e grykëve që shihen pas konsumimit të gjërave të ftohta janë të këtij tipi. Ushqimet shumë të ftohta shkaktojnë tkurrjen e enëve të gjakut në bajame dhe faring duke ngadalësuar qarkullimin e gjakut në këto zona. Si pasojë, ushqimi (energjia) dhe qelizat e bardha (qelizat mbrojtëse) ndryshojnë drejtimin, duke prishur ekuilibrin mes baktereve natyrale të florës duke lejuar kështu shumimin e tyre. Ngritja e temperaturës vërehet shpesh në këto raste. Me stabilizimin e qarkullimit të gjakut në zonat e prekura, ky infeksion përmirësohet në një kohë shumë të shkurtër. Në qoftë se në trupin tonë hyn një bakter me të cilin nuk kemi patur kontakt më përpara dhe vendoset në këto zona (bajamet dhe faringu) të cilat përbëjnë kalanë e parë mbrojtëse, atëhere shohim një infeksion me edemë, dhimbje dhe temperaturë të lartë. Biles edhe kur e prekim qafën e pacientit nga jashtë, vërejmë një nxehtësi te pazakontë. Në këtë mënyrë, duke dhënë një përgjigje të shpejtë në një kohë sa më të shkurtër ndaj këtyre mikrobeve, mundësohet formimi i mekanizmave mbrojtës dhe parandalohen bronkitet e pneumonitë.

Çfarë mund të bëjmë në këto raste?

Duhet që zona e fytit të mbulohet vazhdimisht. Përjashtimi i vetëm janë infeksionet e grykëve te fëmijët, të cilat shoqërohen me edemë masive e cila pengon frymëmarrjen dhe me hungërimë. Por këto të fundit përbëjnë një masë shumë të vogël të infeksioneve të fytit dhe duhet të dërgohen urgjentisht te mjeku për të marrë ndihmën e duhur.   

Faktorët për infeksionet e fytit (tonsilitin dhe faringitin) janë:

  1. Bakteret e florës së kavitetit të gojës (Këto janë bakteret që gjenden në indet tona, zakonisht janë baktere të dobishme)
  2. Viruset ose bakteret e marra nga jashtë trupit në ambjentet e hapura

Fillimi dhe ecuria e sëmundjes së shkaktuar nga grupi i parë ndryshon me atë që shkakton grupi i dytë.Është e gabuar dhënia e ilaçeve për uljen e temperaturës tek fëmijët deri në 5 vjeç, në qoftë se temperatura e matur në aksilë (sqetulla) është më pak se 39 gradë C. Në këtë rast ju do shpallnit armëpushimin në luftë me armiqtë më të pamëshirshëm (por te fëmijët që kanë kaluar konvulzione më parë, duhet të veproni sipas këshillave të mjekut përkatës). Duke filluar nga mosha 6 vjeç dhe te të rriturit është totalisht e gabuar përpjekja për uljen e temperaturës. Efekte shumë të mira jep zierja dhe pirja e mentes. Mentja me vetinë e saj kundër edemës, në të njëjtën kohë pakëson edhe dhimbjen e fytit.

Mos u përpiqni të ulni tempetarurën kur sëmureni

Këshillat e mëposhtme nuk janë të vlefshme para këshillave të mjekut që jeni vizituar ju ose të afërmit tuaj. Ato hynë në kategorinë e njohurive të përgjithshme mjekësore. Duhet t’i kushtoni vëmendje një gabimi të rëndësishëm, temës së “shërimit” me anë të ilaçeve te pacientet me temperaturë të lartë. Këto raste fatkeqësisht edhe në botën e mjekësisë vlerësohen sipas njohurive të marra shabllon. Për këtë qëllim po ju japim disa informacione paraprake:Temperatura normale e trupit të njeriut është afërsisht 37 gradë C. Temperatura e gjakut tonë është afërsisht 38 gradë C. Temperatura 37 gradë C, e matur në aksilë ( sqetull) ose në zonën inguinale, pranohet si normale. Temperatura e matur në vesh, në pjesën e brendshme të gojës dhe në rektum ( zorra e trashë) mund të rezultojë 1 gradë më e lartë. Gjithashtu temperatura ndryshon, mund të rritet ose të ulet te femrat në periudhën e menstruacioneve. Matjet nga veshi mund të na gënjejnë për shkak të transferimit të temperaturës si rrjedhojë e ndryshimit të ambjentit dhe nxehtësisë nga veshi i jashtëm deri te timpani. Temperatura e trupit tonë rritet edhe kur ushqehemi me ushqime të pasura me karbohidrate, si dhe pas ushtrimit të aktiviteteve fizike. Trupi ynë mundëson termorregullimin me anë të cikleve homeostatike duke adaptuar diametrin e enëve të gjakut sidomos atyre në lëkurë, sipas temperaturës së jashtme dhe lëvizjes së nxehtësisë perreth, si dhe duke përshtatur sasinë e gjakut që kalon nëpër to, duke djersitur dhe duke sekretuar mediatorë që rritin temperaturën. Ndonjëherë pavarësisht se gjendemi në një mjedis me temperaturë normale, trupi krijon ndjesinë e të ftohtit duke bërë që të mbulohemi dhe në këtë mënyrë të rritim temperaturën tonë. Është interesante se si të gjithë ne kur shohim një njeri të sëmurë, me një impuls të pavetëdijshëm, sigurohemi që ai të jetë ngrohtë.

Si formohen sëmundjet me temperaturë të lartë? Faza 1.

Duhet që shkaktarët si bakteret, viruset ose prionet (pjesëza të përbëra vetëm nga materiali gjenetik) të hyjnë në trupin tonë ose të gjenden atje paraprakisht (si psh. virusi i herpesit që shkakton vesikula te buzët). Duhet që ky shkaktar të shumohet sipas programit të vet dhe në këtë mënyrë të përpiqet të na dëmtojë. Në qoftë se gjatë fazës së dytë sistemi ynë mbrojtës nuk e zhduk shkaktarin (kur sistemi imunitar nuk e regjistron shkaktarin me anë të qelizave të kujtesës ose kur trupi ynë ndodhet në gjendje dobësie), shkaktari i sëmundjes shumohet me një shpejtësi marramendëse dhe fillon të dëmtojë trupin seriozisht. Pjesa më e madhe e baktereve dhe viruseve nuk mund të shumohen lehtësisht në temperaturën normale të trupit. Por në qoftë se ne ekspozohemi në të ftohtë, në qoftë se temperatura e trupit ulet si pasojë e keq-ushqyerjes dhe kur sistemi ynë imunitar (mbrojtës) nuk e njeh shkaktarin (bakteret dhe viruset), atëherë këto të fundit që rrinë në pritje fillojnë të shumohen.

Sistemi mbrojtës e analizon shkaktarin dhe reagon ndaj tij. Një pjesë e përgjigjeve të sistemit mbrojtës janë specifike dhe e sulmojnë direkt shkaktarin, kurse pjesa tjetër janë masa parandaluese të përgjithshme. Por të gjitha këto ndërlidhen me njëra tjetrën në mënyrë të komplikuar. Shkaktari mundet nga sistemi mbrojtës (shërimi) dhe veçoritë e tij regjistrohen nga ky sistem, kështu që kur ne të riekspozohemi me këtë shkaktar do ta zhdukim pa e lejuar të stimulojë sëmundjen. Trajtimi fillohet në qoftë se trupi ka pësuar dëmtim (rikuperimi). Temperatura e lartë është një masë parandaluese e përgjithshme, dmth një gjendje mobilizimi. Shkallët e tjera të mbrojtjes lidhen pikërisht me të.Rritja e temperaturës ul shpejtësinë e shumimit të mikrobeve (fjala mikrobe në tekst përfaqëson edhe viruset e prionet, pavarësisht se ato nuk hynë në klasifikimin si mikrobe). Gjithashtu ajo rrit qarkullimin lokal dhe sistemit të gjakut duke transferuar qeliza të bardha (qeliza mbrojtëse) dhe ushqim në fushën e luftës. Si shembull marrim rastin e tonsilitit kur pijmë vazhdimisht pije të ftohta ose bronkitin dhe pneumoninë kur të djersitur qëndrojmë në vende ku fryn erë. Menjëherë sa fillon sëmundja mikrobike, trupi ynë vendos set up-in e temperaturës mbi normalen, duke rritur qarkullimin e gjakut veçanërisht në zonat e inflamacionit.

Rrjedhimisht në ato zona arrijnë faktorët mbrojtës dhe burimet e energjisë që ato përdorin. Kur temperatura i kalon 37 gradë C, shpejtësia e shumimit të mikrobeve ulet. Ndonjëherë nevojitet një rritje aq e madhe temperature, sa që gjatë rritjes së saj kemi ftohtë dhe dridhemi. Kur kemi ftohtë, mbulohemi duke mundësuar ruajtjen e temperaturës; kur dridhemi muskujt tanë prodhojnë nxehtësi shtesë. Duke kuptuar se çfarë do të thotë trupi ynë dhe duke u mbuluar, ne japim ndihmën tonë në qëllimin e tij dhe zakonisht pas 1-2 orësh djersitemi dhe shërohemi. P.sh. në rastin e fillimit të infeksionit të bajameve, kur i ndjejmë grykët të skuqura, duhet ta mbulojmë direkt fytin që të rritim nxehtësinë dhe qarkullimin e gjakut në atë zonë, duke fituar betejën që në fillim. Edhe në rastet e avancuara, këto masa janë gjithmonë efektive. Si përfundim, nuk është e drejtë të ulim temperaturën tek bebet. Temperatura e lartë tek të rriturit nuk shkakton ndonjë problem serioz, përveç rasteve të rritjes anormale më e madhe se 41 gradë C; kështu që nuk duhet të shqetësohemi dhe të shkatërrojmë sistemin imunitar me mjekime që ulin temperaturën. Kur ta provoni do të shihni se sa shpejt do shëroheni në rastet kur nuk mundoheni ta ulni temperaturën. Përveç kësaj ngaqë ju do u jepni mundësi reagimeve mbrojtëse të formohen shkallë shkallë, sistemi mbrojtës do forcohet me kalimin e kohës.