Për një kriter të saktë e të përgjithshëm drejtshkrimor për antroponimet e huaja
Gjuha shqipe, si një strukturë sa solide, aq edhe e gjallë, ka evoluar ndër shekuj brenda ligjësive të saj, për të arritur nivelet e sotme, në kuadrin e normës letrare standarde. Kongresin e Drejtshkrimit (1972) në Tiranë, po dhe më herët Konsultën e Gjuhës (1968) në Prishtinë mund t’i quajmë këmbëzinat për njësimin e shqipes letrare, pra një fitore e vërtetë fatlume. Por është e kuptueshme dhe e natyrshme që, edhe gjatë një tridhjetëvjeçari, gjuha të evoluojë dhe ndonjë normë gjuhësore mund dhe duhet të rishqyrtohet, por gjithsesi mbi baza shkencore, të institucionalizuara dhe jo duke iu nënshtruar subjektivizmit vetjak ose prirjeve dialektore ose amatore.
Në kaosin e sotëm politik, shoqëror, ekonomik dhe kulturor janë të pashmangshme edhe pasojat në gjuhën letrare dhe në mënyrë të veçantë në disa përbërës kryesorë të saj si në sintaksë e drejtshkrim. Një ndihmë e vërtetë kundër cenimit të njërës prej thesareve më të çmuara të kombit tonë, siç është gjuha shqipe, është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në Hyrje, në nenin 14 dhe në mënyrë të posaçme në nenin 59 (g) sanksionohet mbrojtja e trashëgimisë kombëtare kulturore dhe kujdesi i veçantë për gjuhën shqipe.
Por le të shqyrtojmë në këta rreshta problemin e drejtshkrimit të antroponimeve të huaja në gjuhën shqipe. Para Kongresit të Drejtshkrimit dhe sidomos para mesit të shekullit të 20-të mungonte një kriter i vetëm në shkrimin e emrave të huaj e sidomos të emrave të njerëzve. Kryesisht shkruheshin si në gjuhën të cilën fliste e shkruante autori i huaj nga ishte përkthyer teksti, po edhe si shqiptohej.
Pas Luftës së Dytë dhe sidomos pas Kongresit të Drejtshkrimit u përcaktuan dhe u përdorën kritere të njëjtësuara edhe për shkrimin e fjalëve të huaja. “Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: në përgjithësi fjalët dhe pjesët e tyre të kuptimshme shkruhen ashtu siç shqiptohen në ligjërimin letrar” (Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë, 1973, Parime të përgjithshme, faqe 35). Veç këtij parimi bazë, në kreun III, paragrafi 37, faqe 104 të “Drejtshkrimit” jepen të konkretizuara edhe këto rregulla: “Shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhën përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes”. Pra, mbi këtë parim dhe rregullat e dala prej tij, “u detyruam” të shkruajmë për vite me radhë. Përjashtimet e “shkeljet” kushtëzoheshin në disa raste nga tradita e ngulitur, si p.sh.: Evropë për Europë, Esenin për Jesénin, Lenin për Ljénin.
Zbatimi i këtij parimi jo vetëm që lehtësoi përvetësimin e saktë të emrave të huaj nga masa e gjerë e lexuesve, po njëkohësisht nuk nxori ndonjë pengesë për ata që, duke ditur ose mësuar gjuhë të huaja, i shkruanin emrat sipas gjuhëve përkatëse. Gjithashtu, në tekste të ndryshme janë shkruar (kur është parë e nevojshme) edhe në kllapa, por sidomos në fund të faqes si referenca dhe në fund të librit te shënimet.
Pas vitit ’90 të shekullit XX, si në shumë sfera të jetës, edhe në gjuhë demokracia u kuptua si anarki dhe liria si kaos. Subjektivizmi, lokalizmat, snobizmi, padituria kanë krijuar një kaos të vërtetë në një pjesë të konsiderueshme të botimeve tona, çka po e përjetojmë me dhembje për fatin e gjuhës shqipe. Reagimi i mjaft shkrimtarëve, gjuhëtarëve, redaktorëve, gazetarëve dhe e specialistëve të tjerë të ndryshëm, deri te lexues të thjeshtë, është shprehje e një pakënaqësie dhe e një revolte të drejtë ndaj dukurive negative që kanë pushtuar tekstet e sferave më të ndryshme, duke filluar nga gazetat, revistat e librat, deri te shqiptimet qesharake të fjalëve të huaja nga folësit e radiove e të televizioneve.
Lidhur me kriteret e shkrimit të antroponimeve çoroditja është edhe më e dukshme. Duke u nisur nga fakti se në shumë gjuhë të huaja emrat e njerëzve i shkruajnë siç shkruhen në gjuhën përkatëse, mjaft shkrues të shqipes e lënë mënjanë kriterin fonetik dhe i shkruajnë këta emra jo si shqiptohen, po si janë shkruar në ato gjuhë. Por e e keqja më e madhe është se as ky kriter nuk ndiqet me konsekuencë, prandaj edhe konfuzioni është më shqetësues. Brenda një numri gazete ose reviste, madje brenda një shkrimi, autorët shkruajnë edhe Clinton, edhe Klinton, edhe Clinton-it, edhe Clintonit; edhe “të Luciano Ligjio”, edhe të “Luçiano Ligjios”, edhe F.G.Lorca, edhe F.G.Lorka; edhe “Tobiasi filloi të përgjonte…”, edhe “pyeti Tobias i zhgënjyer”, edhe Hegelit, edhe Merime-së; edhe Hemingway, edhe Xhorxhi, edhe Signora brenda një tregimi; edhe “rrugët e Londrës dhe të New-York-ut”. Por edhe në libra shkencorë gjejmë inkosekuenca të tilla. P.sh., te libri “Filozofët e luftës dhe të paqes”, në mbulesë emri i autorit është shkruar “W.B.Gallie” dhe emri i Marksit është shkruar “Marks” dhe jo “Marx”. Në faqen e prapme të mbulesës emri autorit është shkruar “Galli” dhe shtatë rreshta më poshtë “Gali”.
Një gjendje e tillë e shkrimit të fjalëve të huaja dhe sidomos e emrave të njerëzve është rrjedhim i mosrespektimit të normës tashmë të pranuar e të ngulitur. Gjuha është sistem dhe si i tillë nuk mund të luhet me të sipas tekeve të njërit ose tjetrit, qoftë ky i ditur ose me mendje të gjelbër. Nëse norma që kemi, për këtë ose atë kategori fjalësh ose për këtë ose atë fushë të përdorimit të gjuhës, është e ngushtë, e tejkaluar ose jointegruese, atëherë gjuhëtarët të vendosin norma e kritere të reja, që duhet të zbatohen nga të gjithë ata që shkruajnë shqip.
Tashmë, disa organe shtypi si gazeta e revista të ilustruara, por edhe revista letrare artistike si “Mehr Licht” dhe “Aleph” i shkruajnë emrat e përveçëm si në gjuhët europiane, duke u pasur si shembull kriteret e atyre gjuhëve. Pra, kemi të bëjmë me një shembull, por jo me një argument.
Gjuha ka lindur dhe ekziston si mjet komunikimi i lirshëm dhe gjuha e shkruar po nuk u kuptua nga lexuesi, atëherë nuk e luan dot rolin e saj. Së pari, librat e përkthyer lexohen në shqip kryesisht nga ata që nuk dinë gjuhën nga është përkthyer dhe është diçka e pakëndshme për lexuesin (për të mos thënë nervozuese) që të lexojë p.sh., një roman pesëqind faqe dhe të mos marrë vesh si shqiptohet emri i shkrimtarit dhe emrat e një galerie personazhesh. Së dyti, dikush mund të dijë anglisht, por nuk di gjermanisht e hungarisht, dikush mund të dijë italisht, por nuk di frëngjisht ose mund të mos dijë asnjë gjuhë të huaj. Atëherë si do t’i lexojë emrat e gjuhëve që nuk i di? Përgjigjja e partizanëve të rrugës së dytë është po me pyetje: “Po europianët, që i shkruajnë emrat e përveçëm sipas gjuhëve përaktëse, si i lexojnë?”. Pra, problemi kërkon diskutim. Por për ata që shkruajnë me shkronja latine nuk është në diskutim, por fakt i pranuar, shkrimi me shkronja latine i shkrimeve rusisht, arabisht, greqisht, kinezçe etj.
Meqenëse në shqip emrat shquhen me mbaresë dhe lakohen, ndryshe nga shumë gjuhë të tjera të botës, atëherë emrat e huaj s’kanë si përajshtohen nga natyra e shqipes, prandaj duhet të shquhen e të lakohen, përndryshe do të çnatyrosej ligjërimi shqip. Me të drejtë gjuhëtarja K. Jorgaqi shprehet: “… të lexosh një vepër ku, nga fillimi në fund, s’percepton veçse personazhe me emra “të shtangët”, që u bien ndesh shprehive elementare të gjuhës sate, nuk është thjesht dhe vetëm mungesë “rendimenti” gjuhësor për lexuesin. Është edhe çështje “perceptimi” emotiv, pasi prania e tyre, në njëfarë mënyre, sikur e pengon krijimin e asaj ndjesie “njësimi” që provon shpesh lexuesi karshi personazheve…”. (“Leksione xhepi për gjuhën”, Tiranë 2000, faqe 90).
Një rrugëdalje për këtë problem mund të jetë përdorimi i vizave mes çdo emri të huaj dhe mbaresave shqipe. P.sh: White-it, Mary-së, Ludowic-un, Austin-in, Doris-ës, Madaleine-a, Wittgenstein-i, Elisabeth-a, Joro Rosa-it.
Një grafi e tillë është lodhëse, jopraktike dhe të krijon përshtypjen e diçkaje artificiale, por e domosdoshme kur nuk përdoret kriteri fonetik.
Pra, duke e lënë të hapur problemin, për një diskutim të gjerë nga ana e gjuhëtarëve, shkrimtarëve, përkthyesve, gazetarëve etj., parimi fonetik edhe në shkrimin e antroponimeve e ka përligjur veten për natyrën e frymën e shqipes. Prandaj jam i mendimit që në publicistikë dhe në letërsinë artistike është e mira që emrat e huaj të shkruhen si shqiptohen. Në shkrimet me karakter shkencor dhe zyrtar ose dhe kur shihet e nevojshme në një stil të posaçëm, ose në kushte të caktuara, të shkruhen në gjuhën përkatëse. P.sh. Deni Didero (Denis Diderot), Klod Helveci (Claude Helvetius), Arthuer Rimband (Artur Rembo), Simone de Beauvoir (Simon dë Bovuar) etj. Në këtë mënyrë do të mund të ndreqen edhe shqiptime të gabuara të disa emrave të huaj që, dosido, kanë hyrë në të folurit tonë.
Arshi Pipa: I shkreti drejtshkrim shqiptar, akoma peng i parimeve komuniste-serbe
Ja si shprehej i madhi Arshi Pipa në esenë e tij “The Politics of Language in Socialist Albania” (“Politikat e Gjuhës në Shqipërinë Socialiste”), botuar më 1989 në New York, kundër vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit mbajtur në Tiranë më 1972:
Pas marrjes së pushtetit nga ana e komunistëve në Shqipëri, Partia Komuniste Shqiptare ishte në të vërtetë një shtojcë e Partisë Komuniste Jugosllave dhe më saktësisht e degës serbe të saj; ishin ditët kur mund të dëgjohej slogani 'Enver-Tito!' i brohoritur nëpër rrugë dhe i shkruar me shkronja të mëdha mbi pankarta dhe mure. Nënshtrimi i Partisë Komuniste Shqiptare ndaj Partisë Komuniste Serbe ishte deri në atë pikë saqë shtypi shqiptar mori mënyrën serbe të të shkruarit të emrave të huaj gjeografikë dhe të njerëzve. Kështu këta emra botoheshin jo siç janë shkruar në vendet e tyre të origjinës – ashtu siç, përkundrazi, ishte rregulli në Shqipërinë prekomuniste! – por në mënyrën me të cilën serbët i shkruanin ata emra në alfabetin e tyre cirilik. Ky zakon, i lindur në Rusi shumë më parë se ardhja e komunizmit, ishte motivuar nga vështirësia e përdorimit të alfabetit cirilik rus për të shkruar tingujt latinë, grekë dhe arabë. Por Shqipëria kishte adoptuar alfabetin latin, dhe kështu pozicioni i saj ishte pikërisht i njëjtë me vendet e tjera komuniste të Europës Lindore, si Polonia, Çekosllovakia dhe Hungaria, të cilët kanë përdorur gjithmonë alfabetin latin. Megjithatë, ndërsa këta vende vazhdonin të shkruanin emrat e huaj gjeografikë dhe të njerëzve pikërisht siç ishin shkruar në vendet e tyre të origjinës, Partia Komuniste Shqiptare vendosi të ndiqte shembullin e serbëve dhe të rusëve, duke shkruar emrat e huaj në të njëjtën mënyrë si në alfabetin cirilik. Kështu “Chateaubriand” shkruhet në shqip “Shatobrian”, “Chigi” shkruhet “Kixhi”, dhe “Julius Caesar” i Shakespeare shkruhet “Jul Qezari i Shekspirit” (ku “speare” bëhet “spirit”, që në anglisht do të thotë “shpirt”.
Pra kush vazhdon të shqiptojë emrat e huaj gjeografikë dhe të njerëzve, domethënë se ndjek parimet komuniste dhe ruso-serbe. A nuk ia vlen për të ndryshuar njëherë e përgjithmonë?