12 artistë shqiptarë do të ekspozojnë tablotë e tyre në Sicili. Rajoni jugor italian i ka mirëpritur gjithnjë shqiptarët, po të kujtojmë këtu emigrimin e arbëreshëve dhe vendosjen e tyre në këto toka qindra vjet më parë. Evenimenti artistik që organizohet nga ambasada shqiptare në Romë mbahet në kuadër të aktiviteteve për 100-vjetorin e pavarësisë. Ekspozita “Identiteti shqiptar” kërkon të nxjerrë në pah lidhjen e fortë dhe miqësinë që ka ekzistuar mes dy vendeve tona përgjatë rrjedhës së shekujve.

Protagonistë në të do të jenë 12 artistë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Itali; shumë prej tyre janë diplomuar në akademitë e artit të vendit fqinjë dhe kanë marrë pjesë në ekspozita të shumta brenda e jashtë Italisë. Kjo ekspozitë do të shërbejë për piktorët shqiptarë si një vitrinë arti, ku ata mund të tregojnë eksperiencat e tyre artistike, rrugëtimin e përshkuar për të mbërritur deri këtu si dhe aspekte të veçanta të krijimtarisë së tyre. Në këtë ekspozitë do të marrin pjesë artistët shqiptarë Alkan Nallbani, Artan Shabani, Alfred Milot Mirashi, Blerta Xhomo, Pio Serafini etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga 3 maj deri në 2 korrik. Kjo ekspozitë pason muajin e kulturës shqiptare në Romë, ku për mëse një muaj në muzeun e qytetërimit romak në kryeqytetin italian u organizuan dhe u mbajtën ekspozita artistike, kumtesa shkencore, projeksione filmash etj, që nënvizonin lidhjet e vjetra dhe të reja që ekzistojnë mes dy vendeve.