Sindikata e pedagogëve ka dalë me një deklaratë para Universitetit Politeknik, ku u bën thirrje të pedagogëve nga i gjithë vendi t’i bashkohen protestës ditën e mërkurë, në 5 tetor.

Përfaqësuesi i kësaj sindikate u shpreh se të gjithë pedagogët duhet të bëhen bashkë që ky mision akademik të vlerësohet denjësisht dhe se rritja e pagës nuk është e vetmja kërkesë. Ai theksoi se kjo protestë do jetë në trajtë forumi dhe se nuk heqin dorë nga kërkesat legjitive deri sa kjo qeveri t’u japë atë që meritojnë.

“Të bëhemi bashkë për ta bërë këtë profesion misionar të mirëpaguar, misioni ynë nuk mbetet vetëm brenda mureve të auditoreve. Nuk kërkojmë thjesht rritje pagash, ska njësi matëse ky mision akademik. Ta bëjmë këtë godinë si qëndresë të misionit akademik. Në anën tonë kemi vetëm të drejtën dhe ligjin. Me 5 tetor bëhemi të gjithë bashkë. Do të konkretizojmë kërkesat tona legjitive.

Të jemi bashkë për vlerësim dinjitoz të punës, të na bashkohen kolegët në mbarë vendin, t’i afrohemi pagës që marrin pedagogët në Kosovë. Ditën e mërkurë, protesta do jetë e gjerë, do jetë më shumë si një forum ku do të marrin fjalë student, pedagogë, përfaqësues të arsimit. Ne e kemi theksuar që në krye të herës, që është lëvizje universitare dhe larg interesave politike”-deklaroi pedagogu.