“Sa më afër qendrës, zonave të banuara, ku nuk ka vende për të lozur fëmijët, problemet me skoliozën, deformimet posturale dhe obeziteti janë shumë më të mëdha. Ndërsa tek shkollat e periferisë dhe zonave rurale fëmijët ishin shumë më të drejtë, shumë më pak obezë, shumë më aktivë“,- thotë fizioterapisti Faton Daci, duke iu referuar statistikave të një studimi të kryer nga Klubi Rotarian Durrës në shkollat e qytetit.

Situata shfaqet alarmante në shumë shkolla 9-vjeçare të Durrësit, sidomos ato në zonat urbane. Shifrat e fëmijëve të grupmoshës 10-12 vjeç të prekur nga skolioza, në 19 institucione arsimore të qytetit janë shqetësuese. 55% e fëmijëve të ekzaminuar me metodën “screening” janë prekur nga skolioza.

“Nga 1471 fëmijë të ekzaminuar, 55% e tyre janë të prekur nga skolioza. Ky është një numër totalisht i lartë, përtej pritshmërive që ne kishim. Me kifozë, që është një tjetër sëmundje ishin të prekur 13%. Ndërkohë fëmijë nën peshë ishin 45% e të ekzaminuarve, mbipeshë 9% dhe obezë 1.7%”,– deklaroi rotariani Artjon Beqiraj, ndërsa prezantoi gjetjet e studimit gjatë konferencës së përbashkët të distriktit 2485, Shqipëri-Kosovë.  

Mos përfshirja në aktivitete fizike dhe përdorimi i zgjatur i pajisjeve elektronike, por dhe pesha e çantës së shkollës janë “armiqtë” kryesorë të të miturve.

Për fizioterapistët, detyra parësore për evitimin e shfaqjes së skoliozës tek të miturit u takon prindërve dhe mësuesve të lëndës së Edukimit Fizik.

“Ne na vijnë raste të fëmijëve 15 vjeç me skoliozë mbi 30°, por prindërit nuk kanë konstatuar asgjë, gjë që neve fiziterapistëve na duket absurde. Ndërkohë, për mësuesit e Edukimit Fizik ne kemi planifikuar një trajnim, që shumë shpejt do të fillojë në Durrës, sepse ata janë kontakti i dytë me fëmijët”,– thotë fizioterapisti Daci.

Kurimi i rasteve më të rënda të fëmijëve të prekur nga skolioza është i kushtueshëm, por ka dritë jeshile për mbulimin e kostove shëndetësore. Rotarianët ndërkombëtarë shprehën gatishmërinë për të ofruar ndihmën e tyre.

“Një nga rotarianët me eksperiencë nga Izraeli e mirëpriti projektin dhe shprehu gatishmërinë për të lobuar në klubet e tjera për mbështetje financiare dhe kjo është një gjë shumë e mirë për Durrësin”,– thotë Beqiraj.

Shifrat e studimit të Klubit Rotarian Durrës i referohen vetëm një grupmoshe të caktuar, por problematika duket se është më e gjerë se kaq në shkollat e ciklit 9-vjeçar. Një studim tjetër i kohëve të fundit flet për ulje të moshës së fëmijëve të prekur nga skolioza.

Për të frenuar përhapjen e simptomave nevojiten politika të mirëfillta të instancave shtetërore, në të kundert rrezikojmë që vitet e ardhshme të kemi një rini, të deformuar që në vitet e para të adoleshencës.

M.B.