Eurodeputetja e partisë konservatore Demokracia e Re, Anna Michel Asimakopoulou njoftoi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane të qershorit.

Vendimi i saj vjen pas skandalit që shpërtheu me dërgimin e emaileve tek adresat elektronike të qindra grekëve të diasporës nga zyra e saj në Bruksel .

Menjëherë pas disa denoncimeve që kanë ardhur prej grekëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët megjithëse nuk ishin anëtarë të Demokracisë së Re kanë marrë emaile për zgjedhjet në PE prej zonjës Asimakopoulou dhe kanë denoncuar këtë fakt, Prokuroria e Athinës ka urdhëruar një ekzaminim paraprak për të hetuar nëse bëhet fjalë për vepra penale si shkelja e legjislacionit mbi të dhënat personale apo edhe shkeljen e konfidencialitetit zyrtar.

Çështja ka mbërritur edhe në Bruksel, ku eurodeputetja konservatore ka folur për “orkestrim ” të çështjes nga opozita.

Qeveria greke dhe Ministria e Brendshme pretendojnë se rrjedhja specifike e të dhënave për emigrantët grekë ka ndodhur në maj të vitit 2023 kur ministri ishte larguar nga detyra, para zgjedhjeve kombëtare dhe dhe se kjo rrjedhje nuk ka lidhje me platformën e re të votimit postar që përgatit kabineti Mitsotakis për zgjedhjet e parlamentit europian këtë qershor.

Pas hetimeve të para është zbuluar se emailet i janë dërguar eurodeputetes greke të Demokraciës së Re nga bashkëpunëtori i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, Michalis Stavrianoudakis, i cili ia ka përcjellë sekretarit të partisë koservatore në fuqi për emigracionin, Nikos Theodoropoulos.

Partia më e madhe opozitare Syriza ka deklaruar pas skandalit se qeveria konfirmoi me qëndrimin e saj se Ministria e Brendshme funksion si një “zyrë” partiake e Demokracisë së Re dhe kërkon sqarime nga kryeministri në se të dhënat personale të grekëve të diasporës kanë rrjedhur edhe në drejtime të tjera , një veprim “prototip” antiinstitucional i qeverisjes Mitsotakis, siç e ka quajtur në deklaratën e saj.