Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu është vetëm një nga personazhet historike të grafiteve që po realizohen nga artisti Bledar Çakalli.

Përkrah tij do të qëndrojë heroi i luftës së Kosovës, Adem Jashari, ndërkohë që pak metra më larg shfaqet mbretëresha ilire Teuta, Pirroja i Epirit apo mbreti Bardhyl i Dardanisë.

Prej ditësh, aktivisti Çakalli është duke punuar me këto grafite me motive patriotike ku nuk mungon edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lëvizja e parë shqiptare e organizuar në mënyrë administrative, politike dhe ushtarake që prej kohës së Skënderbeut.

Që nga data 22 prill, aktivisti dhe piktori Bledar Çakalli nisi punën për fshirjen e të gjitha grafiteve me gjuhë urrejtjeje tek mbikalimi i Urës së Dajlanit.

Shumë prej tyre janë zëvendësuar nga vargje të poezive të rilindasve, ndërkohë që kjo nismë pritet të zhvendoset edhe në lagjen nr.17, ku në shumë godina mbishkrimet me gjuhë urrejtjeje janë mjaft të dukshme.

Me nisjen e sezonit veror, turistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë në hyrje të zonës së plazhit një hapësirë publike dedikuar figurave historike të kombit tonë.