Grafitet me gjuhë urrejtjeje që shfaqen kudo tek mbikalimi i Urës së Dajlanit, që nga sot do të fshihen.

Aktivisti dhe piktori Bledar Çakalli ka ndërmarrë iniciativën për ta mbuluar mbikalimin në hyrje të zonës së plazhit me murale me elementë kombëtarë.

Së bashku me gjimnazistin Orest Berberi, Çakalli kishte nisur sot punën për mbulimin e këtyre grafiteve.

“E kam parë përherë këtë hapësirë publike si një njollë të zezë dhe më dhimbte sa herë i shikoja këto mbishkrime plot fyerje dhe gjuhë urrejtjeje, kryesisht kundër popullit shqiptar. Si mund të ndodhë një gjë e tillë këtu në Durrës? Deshira ime është që ato të fshihen të gjitha”,– thotë ai për “DurrësLajm”.

Gjuha e urrejtjes mbizotëron në shumicën e tyre, një gjuhë e cila nxit përçarjen kombëtare dhe krahinore. Rikthimi i këtij mbikalimi në një hapësirë publike dedikuar simboleve kombëtare është përgjigjja më e mirë ndaj individëve që realizojnë grafitet me gjuhën e urrejtjes.

Me njollat e bojës në fytyrë dhe krahë, gjimnazisti Berberi shkëputet për pak momente nga puna për të na dhënë dhe ai mesazhin e tij.

“Kauza për të cilën po e bëjmë, na e lehtëson punën më shumë seç duhet. Është një kauzë patriotike, pasi njerëz të paidentifikuar vijnë dhe shprehin racizëm dhe urrejtje ndaj Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo punë më sjell më shumë kënaqësi sesa lodhje”,– thotë gjimnazisti.

Në bluzën e aktivistit Çakalli dominojnë simbolet e UÇK-së dhe apeli për bashkim kombëtar.

Për ta përçuar edhe më tej thirrjen, Çakalli kërkon që nismës t’i bashkohen shumë më tepër qytetarë dhe biznese, për të mbuluar kostot e realizimit të muraleve.

Me nisjen e sezonit veror, turistët nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut do të gjejnë në hyrje të zonës së plazhit një hapësirë publike dedikuar figurave kombëtare si Skënderbeu, Adem Jashari, poezive të rilindasve etj.

M.B.