Dy vite pas divorcit, Kim Kardashian ka ndarë reflektimin e saj mbi marrëdhënien me ish-bashkëshortin Kanye West. Në një intervistë në podcast-in “On Purpose with Jay Shetty”, ajo e bëri të qartë se “gjendet mirë” aktualisht dhe ka mësuar që “s’mund të ndihmosh njerëzit që nuk duan ndihmë”.

Pa e përmendur emrin e reperit, Kim u shpreh: “S’mund t’i imponosh bindjet e tua dhe t’i projektosh tek dikush që mendon se diçka është totalisht ndryshe. Është mirë të kesh pikëpamje të ndryshme. Është arsyeja pse bota rrotullohet”, shpjegoi ajo.

Por nëse nuk përputheni në moral dhe vlerat thelbësore, është në rregull që ta kuptosh se jeta është e shkurtër dhe të gjesh njerëz që përshtaten me atë që beson”. Biznesmenja shtoi se “s’mund t’i detyrosh njerëzit të bëjnë gjëra” dhe “të presësh që ata të jenë ku ndodhesh ti, në nivelin tënd”.

Kim shtoi se përfundimi i marrëdhënies nuk e bën atë një dështim. “Ndonjëherë ndihem sikur njerëzit mendojnë që nëse një marrëdhënie nuk funksionon, është dështim por unë nuk e shoh kështu, 10 apo 15 vjet bashkë. Nuk është dështim. Është e bukur”, përfundoi ajo.

Kim dhe Kanye u njohën në vitin 2012, lidhën martesën në 2014-n ndërsa në vitin 2021 çifti vendosi të ndahej. Ata kanë 4 fëmijë nga kjo martesë, kujdestaria e të cilëve u përcaktua në nëntor 2022 së bashku me marrëveshjen e divorcit.