Ligjvënësit e Kuvendit të Shqipërisë do të mblidhen sot për seancë plenare me një rend dite të ngjeshur. Në program është parashikuar zhvillimi i 4 interpelancave urgjente të thirrura nga Partia Demokratike.
PD kërkon sqarime nga ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj për administrimin 102 kontejnerëve me mbetje toksike që ndodhen në periferi të qytetit të Durrësit. Interpelancë është kërkuar dhe me ministrin e Brendshëm, post që tashmë i përket Ervin Demos, të cilit PD i kërkon shpjegime për pretendimet se Policia e Shtetit ka përdorur forcë në arrestimin e qytetarëve gjatë protestave.
Opozita ka kërkuar interpelancë dhe me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi dhe atë të Shëndetësisë Klodiana Spahiu. Kjo e fundit do të pyetet mbi krijimin e Operatorit të Shërbimeve të Integruara që do të administrojë koncesionet në shëndetësi si dhe furnizimet me barna.
Një prej pikave më të rëndësishme të rendit të ditës është dhe votimi i formulës së re për përllogaritjen e pagave të magjistratëve. Sistemi i drejtësisë është në kolaps pasi qeveria ka bllokuar në Thesarin e Shtetit pagat për muajin gusht. Magjistratët kanë kundërshtuar propozimin e PS për rritjen e pagës referuese me 2% duke e cilësuar si tallje.
Në vijim, Kuvendi do të votojë disa projektligje, mes tyre ratifikimin e Konventës për Themelimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kërkesave për Ukrainën dhe Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës.





