Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për një dosje të bujshme dhe ka çuar për gjykim 27 persona, të dyshuar si pjesë e dy grupeve të strukturuara kriminale që operonin në trafikun ndërkombëtar të emigrantëve, falsifikimin e dokumenteve dhe korrupsionin.

Sipas hetimeve, skema kriminale ka funksionuar gjatë viteve 2022-2024 dhe përfshinte shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë organizuar kalimin e paligjshëm të mbi 650 emigrantëve, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Skema kriminale përfshinte disa faza:

• Rekrutim të emigrantëve përmes agjencive në Dubai dhe Kamerun

• Krijim të aplikimeve fiktive për punë në Shqipëri për të siguruar vizë D

• Falsifikim dokumentesh si kontrata qiraje, ftesa, certifikata, dokumente gjuhësore

• Përfshirje të zyrtarëve të Policisë Kufitare, të cilët ndihmonin në pajisjen me dokumente të rreme

• Transport, pritje dhe akomodim në Shqipëri, më pas kontrabandim përmes rrugës ballkanike

Çdo emigrant paguante nga 6.000 deri në 8.000 euro, kryesisht përmes sistemit informal “Hawala”. Këto para kalonin fillimisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri.

Emrat e të pandehurve:

Endri Seiti, Luan Tafalla, Km Shaqiful Islam, Endrit Ismailaj, Alok Mittra, Arnol Shpata, Xhuljeta Çopa, Artur Mata, Antonio Specchio, Altin Hasani, Edmond Braha, Emmanuel Delphin Assako Ella, Arjel Hoxha, Orkid Pijaneci, Arba Hysenllari, Ermal Hoxha, Artan Sulaj, Luan Sulaj, Shkelzen Matmuja (Bokciu), Faik Matmuja, Bukurosh Muja, Lulzim Lami, Tome Preka, Xhuljo Krasniqi, Edmond Baklli, Iglan Alliçi, Arben Domi.

Veprat penale që u ngarkohen:

• Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit në formë të strukturuar

• Falsifikim dokumentesh në bashkëpunim

• Krijim dhe drejtim të grupit të strukturuar kriminal

Nga kontrollet janë sekuestruar:

• 700.000 dollarë amerikanë

• 400.000 euro

• 4.000 paund britanikë

• 520.000 lekë shqiptarë

SPAK e konsideron këtë një nga rrjetet më të sofistikuara të trafikut të emigrantëve në rajon, i cili kishte arritur të ndërtonte një mekanizëm të plotë – nga rekrutimi, dokumentet, mbulimi ligjor, deri te kontrabanda përfundimtare drejt BE-së.