Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, mbrojti vendimin e vendit të tij për të mos marrë pjesë në Eurovision këtë vit, si shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit.

Në një video të publikuar në platformën X, Sanchez tha se Spanja është “e bindur se ndodhet në anën e duhur të historisë”.

“Ky vit do të jetë ndryshe. Nuk do të jemi në Vjenë, por e bëjmë këtë me bindjen se jemi në anën e duhur të historisë”, deklaroi ai.

Konkursi Evropian i Këngës, Eurovision Song Contest 2026, këtë vit po zhvillohet në Vjenë, mes tensioneve dhe protestave lidhur me luftën në Gaza.

Sipas raportimeve, ceremonia e gjysmëfinales së parë u shoqërua me protesta që kërkonin përjashtimin e Izraelit nga konkursi.

Për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit, transmetuesit publikë të pesë vendeve, Spanjës, Holandës, Irlandës, Islandës dhe Sllovenisë – kanë bojkotuar edicionin e këtij viti.

Eurovision 2026 po konsiderohet si konkursi me numrin më të ulët të pjesëmarrësve që prej vitit 2003, me vetëm 35 vende në garë.