Një vend ku kanë lindur perandorë, kanë kaluar apostuj dhe personazhe të tjerë të botës antike. Legjenda, rrënoja të stërlashta, dëshmitarë të një periudhe të lulëzuar, histori të vjetra, të përziera me ritme të jetës së sotme, e cila ka nisur të modernizohet gjithnjë e më tepër, plazhe të gjera dhe klimë të butë, një nga portet më të mëdha në Adriatik, vend i muzikantëve e poetëve të shquar, lagje të vjetra, të gërshetuara me lokale luksoze dhe me pallate të reja të larta, banorë mikpritës, gjithnjë të hapur për të pritur e përcjellë miq. Ky është Durrësi, një nga pikat turistike më të rëndësishme të krejt Shqipërisë.

Së fundmi, është kthyer në një destinacion kyç edhe për turistë të shumtë evropianë, që përmes ndërlidhjeve me agjencitë turistike, zgjedhin pikërisht qytetin e bukur bregdetar për të kaluar pushimet. Një qytet plot jetë, ku ofertat turistike do t’ju mundësojnë të prenotoni e të zgjidhni mes një game të gjerë hotelesh, të të gjitha kategorive dhe çmimeve.

DurrësLajm” ju sjell më poshtë destinacionet kryesore që nuk duhen lënë pa vizituar në Durrës, nga të gjithë, si të huajt ashtu edhe ata shqiptarë.

AMFITEATRI

Related image

Është rrënoja antike më e rëndësishme e Durrësit. Ndodhet në qendër të lagjes më të vjetër të Durrësit, i rrethuar nga shtëpitë e banorëve. Është zbuluar nga durrsaku i famshëm Vangjel Toçi më 1966-n. Ai do t’ju bjerë menjëherë në sy, sapo të depërtoni nga “Rruga Tregtare” në rrugicat që çojnë në lagjen e vjetër, ose që nga porta e madhe pas kullës veneciane. Amfiteatri i Durrësit është jo vetëm më i madhi në territorin e Shqipërisë së sotme, por në krejt këtë anë të Ballkanit. Është ndërtuar në kohën e perandorit romak Adrian (117 – 138 pas Krishtit).

Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri ka trajtë elipsi me diametër 136 metra dhe lartësi rreth 20 m. Shkallarja për shikuesit e veshur me pllaka të bardha merrte 16-20.000 veta, ndërsa në arenë zhvilloheshin luftimet e gladiatorëve.

KALAJA E DURRËSIT

Image result for muri bizantin durres

Kalaja është e lashtë sa vetë qyteti i Durrësit. Gjatë shekujve ajo është prishur dhe rindërtuar disa herë. Muret rrethuese të Durrësit në pjesën e tyre kryesore i përkasin periudhës së Perandorit Anastas (491-518) me origjinë nga ky qytet dhe përbëhen nga dy pjesë kryesore: Akropoli ose Kështjella e sipërme dhe Kështjella e poshtme.
Në Kështjellën e sipërme kishin selinë e tyre Duka i Durrësit dhe më vonë, kur qyteti qeverisej nga feudalë shqiptarë (1368-1392), aty kishin vendqëndrimin e tyre Karl dhe Gjergj Topia. Akropoli kishte dy porta që e lidhnin me Kalanë e poshtme në lartësinë 59 metra. Kjo kala ka, sipas studimeve, dy periudha ndërtimi, duke marrë formën e një katrori me gjatësi brirësh rreth 500 metra.
Muret janë të rrethuara me kulla të rrumbullakta, katërkëndëshe dhe tetëkëndëshe dhe në mes të mureve janë porta të ndyshme. Shumë e përmendur është “Porta e kalorësit” – porta me hark të thyer pranë Amfiteatrit, ku ishte ngritur dhe një monument i madh prej bronzi i Perandorit Adrian. Kalaja e Durrësit ka qenë shumë e fortë.

TORRA VENECIANE

Image result for TORRA VENECIANE

Ajo do t’ju bjerë menjëherë në sy sapo të mbërrini në sheshin e vogël, në krah të monumentit të “Mujo Ulqinakut”, thuajse përballë hyrjes kryesore të portit. Është një ndërtim i ngritur mbase mbi një kullë më të vjetër. Koha e ndërtimit dhe teknika e përdorur është tipike veneciane e shekullit XV, kohë në të cilën venedikasit qeverisnin qytetin. Diametri i saj është 16 metra dhe lartësia 9.10 metra. Ajo përbëhet nga një kat i vetëm, i cili është i pajisur me pesë frengji topash. Një shkallare ju çon lart në tarracën me bedena. Këtu është ndërtuar një lokal i këndshëm nga ku mund të sodisni fare qetësisht detin dhe të gjithë atmosferën e vjetër që ju rrethon.

MUZEU ARKEOLOGJIK

Image result for MUZEU ARKEOLOGJIK DURRES

U përurua më 13 prill 2002 mbi bazën e materialeve të ruajtura nga muzeu i mëparshëm, i cili ka qenë shumë i vizituar. Ky ishte ngritur në anë të detit, jo shumë metra larg portit, në rrugën që të çon drejt Plazhit të Currilave, në këmbët e një kodre të hijshme. Muzeu i ri ka rreth 2000 objekte të ekspozuara dhe të klasifikuara sipas kronologjisë së zhvillimit të qytetit, që nga periudha arkaike deri në mesjetën e vonë. Ju do të keni kështu mundësinë të zhyteni në 3000 vjetët e historisë së qytetit. Nëntoka e Durrësit, duke qenë se qyteti aktual është i ngritur tërësisht mbi të vjetrin, është një burim i vazhdueshëm zbulimesh të reja dhe për këtë arsye është shpallur muze dhe mbrohet me ligj të veçantë. Muzeu Arkeologjik ndodhet përballë shëtitores kryesore të qytetit, e cila mban emrin “Taulantia”.

MUZEU I DËSHMORËVE

Image result for MUZEU DESHMOREVE DURRES

Kompleksi Funeral i Dëshmorëve të ish-Qarkut të Durrësit përmban memorialet e dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1944). Krahas tyre janë varrosur dhe eshtrat e dëshmorëve të lëvizjes patriotike të fillimit të shek. XX. Në katin e dytë ndodhet salla e relikeve të luftës, e cila është inaguruar fillimisht në vitin 1969. Në sallën e relikeve janë ekspozuar armët trofe të Luftës së Dytë Botërore dhe objekte personale të dëshmorëve.

ROTONDA, BANJAT/TERMAT ROMAKE dhe PUSI I TOP HANËS

Image result for gropa rotonda durres

“Rotonda”; “Banjat / Termat Romake” nën pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu”, si dhe “Pusi i Top Hanës”, prapa ndërtesës së gjykatës e prokurorisë. Të tre këto monumente ndodhen shumë afër njëri-tjetrit, prandaj janë një destinacion i lehtë për t’u vizituar dhe përfaqësojnë një atraksion të veçantë për turizmin kulturor në qytetin e Durrësit, duke qenë se ndodhen pranë qendrës historike të qytetit. Kujdesi sistematik i punonjësve të mirëmbajtjes, bën që këto monumente të nxjerrin në pah vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore.

MUZEU ETNOGRAFIK

Muzeu Etnografik është hapur në vitin 1982 në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake, aty ku ndodhet shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e gjysmës së dytë të shek. XIX. Janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban një koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuku, briri, bakri e guri. 

MOZAIKU I BAZILIKËS SË SHËN MËHILLIT

Image result for mozaiku i Bazilikës së Shën Mëhillit

Bazilika në Arapaj është monument kulture i kategorisë së parë shpallur me vendim nr. 8, datë 18.02.1987. Monumenti, datohet në shek. V Pas. Kr., rreth viteve 20 – 30 faza e parë e bazilikës. Faza e dytë përfshin shek. XII – XIV Pas. Kr., përcaktojnë shndërrimin e këtij ndërtimi njëherësh me kishën dhe varrezat. I takon tipit të bazilikave tri konke dhe me transept, që zhvillohet sipas një plani gjatësor lindje perëndim (65 x 28 m) e përbërë nga bema, naosi, atriumi dhe ambjentet anësore. Absida lindore karakterizohet nga diametri i saj 7 m, dhe me trashësi muri 1.5 m.

VILA MBRETËRORE E ZOGUT

Image result for VILA E ZOGUT DURRES

E ndërtuar në vitin 1927, kjo vilë ishte një dhuratë personale për Mbretin Zog I, nga komuniteti i biznesit të Durrësit ne shenjë respekti dhe nderimi. Ndërtuar në formën e një shqiponje, ajo u ngrit në pikën më të lartë të qytetit të Durrësit. Ajo është shumë e famshme për mermerin e saj dhe sallonin madhështor. Edhe pse tepër e dëmtuar gjatë trazirave të 1997, ajo mbetet një simbol i trashëgimisë së qytetit të Durrësit.

KEPI I RODONIT DHE KALAJA E SKËNDERBEUT

Image result for kepi i rodonit kalaja

Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse : të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut. Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi i ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.

SHËTITORJA "VOLLGA"

Image result for VOLLGA PISTA DURRES

E kush është ai person që ka ardhur të paktën njëherë në Durrës, e nuk ka shijuar shëtitoren e famshme “Taulantia”, të njohur ndryshe si “Vollga”. Shëtitorja ku gjithë durrsakët e turistët freskohen masivisht e thithin jodin e detit Adriatik. 

SFINKSI

Image result for SFINKSI DURRES

Një shkallare në formë trageti, e njohur si “Sfinksi”, është realizuar rreth 2 vite më parë, në fund të shëtitores “Taulantia”. Një nga vendet më tërheqëse në Durrës për të realizuar sete të magjishme fotosh.

SHESHI "LIRIA"

Image result for DURRES

Sheshi kryesor i qytetit, u rivitalizua në 2015-n, me pllaka të bardha prej mermeri vezullues, palma arabe e shatërvanë modernë, që të sjellin në mend qytete ekzotike ndërkombëtare.

PORTI I PESHKIMIT

Image result for PORTI I PESHKIMIT durres

Porti i peshkimit i ndërtuar ngjitur me portin detar të Durrësit, është i mbështetur pjesërisht në muret dallgëthyese të pjesës perëndimore të tij. Është ngritur një skolierë (barrierë me gurë) prej 800 metra linear përballë murit perëndimor të portit, nga vendi ku ndodhet Kapitaneria deri në godinën e stacionit meteorologjik. Brenda basenit ujor prej 8 hektarë, të krijuar mes dy mureve, janë ndërtuar tre pontile (ura) me gjerësi 4 metra dhe me gjatësi 84 metra secila, me sipërfaqe prej 2.8 ha.

PLAZHI I KALLMIT

Image result for plazhi i kallmit durres

Uji i pastër, gjiret e shumta dhe pushuesit e pakët janë ato çka plazhi i Kallmit i ofron pushuesve. Plazhi gjendet 3-4 km larg qytetit të Durrësit dhe mund të cilësohet si plazhi i vetëm dhe i fundit që nuk është ndotur si zonat e tjera. Ai ndodhet në perëndim të malit të Durrësit dhe për të shkuar aty duhet ndjekur rruga e Currilave.

PLAZHI I BISHTPALLËS

Image result for plazhi ne bishtpalle durres

Ndodhet në fund të rrugës së Porto Romanos, pikërisht aty ku fillon zona ushtarake. Me të mbërritur përballë postbllokut, ku mund të parkoni lehtësisht makinën, duhet të ngjiteni në krahun tuaj të majtë. Në majë të kodrinës, ku ndodhet një lokal mjaft i këndshëm, do t’ju shfaqet plazhi “Portez”, një perlë e vërtetë për nga bukuria, por edhe nga intimiteti që ofron.

GJIRI I LALZIT

Image result for gjiri i lalzit

Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Pak kilometra nga Tirana dhe Durrësi, gjiri i Lalzit në komunën e Ishmit mirëpret mijëra pushues vendas e të huaj. Pastërtia dhe shërbimi cilësor janë pikat më të forta të plazhit me rërë të paprekur dhe diell të fortë. Qarku i Durrësit ka një bregdet me gjatësi 62 km, nga të cilat 25 kilometra i përkasin gjirit detar të Lalzit.

PLAZHI I MADH

Durrësi ofron një vijë të bollshme bregdetare me një numër të konsiderueshëm plazhesh, lokalesh e argëtimesh të pafund, deri në Kavajë, ku ndodhet një nga vendet më të pëlqyera, “Shkëmbi i Kavajës”. Komplekse argëtimi, kuzhinë të shkëlqyer, bare verore, të gjitha këto e bëjnë plazhin e Durrësit dhe të Kavajës një mundësi që nuk duhet humbur.

Përgatiti S. L.