• Teuta e Durrësit për herë të parë dhe të vetme kampione e Shqipërisë
  • Përjetim emocional dhe unikal i tifozërisë dhe qytetarisë vendase
  • 25 minuta transmetim historik në Radio Tirana për kryezonjën e futbollit
  • Ky brez vlen të evidentohen dhe të vlerësohet nga Bashkia e Durrësit
  • Kronika dhe komenti i ndeshjes në Radio Tirana, ka “humbur”

Pjesa e parë*

Nga BUJAR QESJA

Nuk kisha se si ta lija, të më kalonte një moment i tillë i rrallë dhe historik, në mos i vetmi deri tani. I vëmëndshëm ndaj ecurisë së kulmeve sportive dhe kulturore të Durrësit, kisha fiksuar dy data të rëndësishme. 23 dhe 30 prill 1994. Teuta e Durrësit dhe e durrsakëve, tronditi shpirtrat e gjithsecilit dhe zemra kishte rritur ritmin e rrahjeve, aq sa na dukej sikur se kishim në kraharor.

Pse dy data?! Sepse durrsakët u detyruan, ta festonin dy herë titullin. Një herë në Niko Dovana, një javë para përfundimit të kampionatit të 58-të kombëtar të futbollit me 23 prill 1994 dhe së dyti, në dy ndarje në Lezhë pasditen e 30 prillit dhe në mbrëmje në sheshin Iliria në qendër të Durrësit.

23 prill 1994! Teuta luante ndeshjen e 25-të të kampionantit, në Durrës me Vllazninë e Shkodrës. Asokohe shkodranët drejtoheshin nga Astrit Hafizi. Nëse Teuta fitonte, shpallej automatikisht kampione e Shqipërisë. Në rast barazimi, titulli do të priste javën e fundit. Tirana qendronte dy pikë larg durrsakëve. Por bindja se kjo nuk do të ndodhte kurrë, kurrë, durrsakët e kishin bërë gati festën. Vendosmëria për ta prekur më në fund një trofe të këtij niveli, ishte mbi 100 përqind. Nuk kishte “Zot nane”, që të mund t’ua privonte këtë mundësi, të djegurve nga titujt bashkëqytetarëve të mi.

Durrësi nga 16 prilli deri me 23 prill 1994, s’kishte parë qetësi. Ishte improvizuar një kupë shumë e madhe, që populli do t’ua dorëzonte djemve të tij të topkëmbës. Ata ishin heronjtë e ditës. Për ta diskutohej në çdo shtëpi, në çdo lokal, në çdo grumbullim njerëzish, në çdo kënd a qoshe të qytetit, në çdo, në çdo…. Kudo, kudo…..veç fjala kampion lakohej, e lakohej papushim. Titulli ishte bërë si një drogë shpirtërore, që kishte pushtuar çdo njeri, çdo mëndje, çdo rrugë, çdo rrugicë a skutë. 23 prilli 1994 pritej me padurim. A do të mundej Vllaznia, t’ua prishte këtë gëzim ta paparë durrsakëve? A kishte forca, para furisë 9 ballëshe të detit të gëzimit dhe entuziazmit të skajshëm të djemve të detit në fushë dhe të mijra e mijra të tjerëve në stadium e perimetrit të tij? Kurrë, kurrë më parë futbollistët e Teutës nuk kishin qenë kaq pranë titullit kampion. Mjaftonin vetëm 90 minuta, 90 minuta që të prekej historia, që të prekej e paprekura.

O Zot! O Zot! Çfarë përgatitej të ndodhte. Flamuj festiv në stadium dhe jo vetëm. Letra të bardha dhe shumngjyrëshe. Madje koreografia anonime durrsake, kishte ngacmuar fantazinë deri në të panjohurën. Do të shihnim që në fushë ishin vendosur 22 pëllumba të bindur, në të gjithë rrethin qendror të mesfushës. Një për çdo futbollist. Banderola të mëdha, shalla të shpërndarë nga klubi ku shkruhej TEUTA. Parrulla të tipit dy shkopinj, e në distancë ku shkruheshin me ngjyra mbi bezën e bardhë “Forca Djemtë e Detit”, “Para djema”, “Ju jeni heronjtë tanë”, “Titulli është i yni”, “Durrësi mburret me ju”, etj. etj. Stadiumi prej 12.004 vënde ishte i tej mbushur. Në këmbë, një tjetër stadium më vete. Në qytet s’kishte mbetur një i gjallë. Fryma mbahej vetëm në Niko Dovana. Festa popullore kishte nisur, por nuk kishte plasur ende. Kazani i entuziazmit ishte në vlim. Adrenalina e çdo njerit prej nesh edhe unë brenda me ta, nuk matej. Vullkani popullor ishte në shpërthim.

Dhe tani: forca djema! Në mbarim Teuta 1 dhe Vllaznia 0. Qendroja lart në kabinë. Transmetimi im, ishte shumë i ngarkuar me emocion. Zemra sa s’po më dilte vëndit. Kisha peshën kryesore në Radio Tirana atë ditë. Populli shikonte sa në fushë, e sa tek unë, se si po e përcillja entuziazmin e pazakontë. Isha në provimin e jetës. Fjalët nuk po i bindeshin mendimit. Sikur ishin përcaktuar gjatë tërë javës. Figuracioni i fjalës, ishte në sinkron me dallgët e gëzimit të një populli të tërë, që veçse thërriste, e thërriste pafundësisht. Ulur asnjë. Në këmbë të gjithë. Në çastin kur loja përfundon, populli, durrsakët e mi, aq të djegur dhe të përvëluar për një rast të tillë, kishin pritur një jetë për këtë minutë, pushtojnë fushën. Ahmet Shqarri m’i “çau” kufjet dhe duke bërtitur, pasi unë nuk dëgjoja tashmë, më foli fort:

-Bujar, sa të mundesh më dëgjo! Kampionati në këto çaste është në Durrës, është tek ty vëlla. Gjithçka është ndërprerë me të tjerat. Teuta është kampione. Keni fituar në fushë, fito edhe në mikrofon. Vlerat radiofonike të Teutës, janë në duart tuaja, në profesionalizmin tënd. Vazhdo sa të mundesh!

I erdhi dita Teutës time, po më erdhi kjo ditë edhe mua. 43 vjeçari Bujar Qesja, se kishte patur dhe mbase s’do ta kishte kurrë një rast ë tillë, që të vallzonte me mikrofonin si të donte ai. Dallgët e gëzimit të njerëzve, lumi i rrëmbyer i entuziazmit të tyre, më kishte përfshirë të tërin. Dhe pa dyshim, ka qenë një poezi në transmetim. Ndjenja, shpirt, gëzim, pse jo edhe delir. Teuta kampione! Dhe deri këtu sa punë më është dashur, sa shkrime, sa komente, sa kronika dhe radikronika kam bërë. Dhe Zoti më fali edhe mua të rrallën, të veçantën, historiken. Të transmetoj Teutën kampione të Shqipërisë. Pa u lodhur, më shkoi në mëndje ti jap një titull vetes: radiokronist kampion! Titulli po shpërndahej në eter, nga valët e Radio Tiranës dhe Niko Dovana më dukej si stacion televiz dhe transmetues.

Kam transmetuar 25 minuta. Për herë të parë ndjeva dhimbje në gjoks. Mbase shenjat e para, të një operacioni shumë të vështirë, që do të bëja në zemër në vitin 2004 në Bolonja të Italisë, 10 vite pas kësaj ngjarje të pazakontë. Brinjët më dukej se më ç’ponin mishin. Frymëmarrja sikur po më linte. Nuk kisha provuar kurrë më parë, një ritëm kaq të lartë transmetimi. Por edhe Niko Dovana, nuk kishte parë kurrë më parë, një vullkan njerëzor në shpërthim maksimal. 
Entuziazëm, entuziazëm pa fund. Lojtarët mbaheshin në krah dhe lëviznin në duart e njerëzve si kukulla. Lot gëzimi. Të gjithë thërritnin. Dhe ishin me mijra. Të falenderoj miku im i shtrenjtë Shqarri, që ia fale mikrofonin atë ditë durrsakëve.

Por mbetem shumë i ligështuar, aq sa edhe tani nuk më është zbehur ky ligështim, që ky transmetim unikal, historik nuk gjendet në arkivën e Radio Tiranës. Nuk e di sepse! E pafalshme! Është një gjurmë, një dokument, një realitet i Teutës kampione. Një titull! Një histori! Një gabim, pse jo edhe i pafalshëm. Me qëllim!? Nuk e di!

Pas transmetimit, kam vrapuar i dehur nga fitorja dhe kam dal drejt e në fushë. Menjëherë, më thithën dallgët e mëdha të njerëzve. Të gjithë në delir! Me të drejtë. Ishte një rast, që nuk e kishim provuar asnjëherë më parë.

Teuta kampione e Shqipërisë.

*Pjesa e dytë, me 30 prill 2019