Nga Shefqet Kërcelli

E vendosur në një nga lagjet më të lashta të qytetit të Durrësit, midis banesave më të vjetra karakteristike të qytetit, kisha e restauruar e Shën Lucisë, të ngjall respekt për sa fenë, shërbyesit dhe prelatët e saj, aq dhe mallëngjim e shpresë për të ardhmen e besimtarëve dhe kishës.

Zgjodha një ditë të djelë për ta vizituar kishën e vjetër durrsake, ku dhjetra njerëz të moshave të ndryshme, kryesisht të besimit katolik po mernin pjesë në meshën e drejtuar nga At Martin Tomson.

Kishte një gjallëri të vecantë si para oborrit ashtu dhe brenda sallës kryesore të saj.

Qytetarët ndiheshin mirë jo vetëm prej ndjekjes së kësaj meshe, por dhe takimit mes të njohurish e miqsh ku bisedohej lirshëm.

Në fakt qëllimi im i vizitës ishte njohja dhe prezantimi i dhjetra detarëve të krishterë katolikë, At Martinit, mjaft prej të cilëve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në të. Nuk dua të futem në emra konkretë, sepse janë shumë. Mbasi një nga shërbyesit e kishës i tha për mbrritjen time, Ati u shkëput nga mesha dhe me plot mirësjedhje më tha se, do takojmë sapo të mbaroj meshën.

I urova besimtarët për këtë ditë lutjesh dhe e shfrytëzova këtë kohë për të realizuar disa foto të ambientit të saj. Ndërkohë pashë 5-6 fëmijë te veshur me veshjen tradicionale sepse, do merrnin pjesë në një ceremoni martese të dy të rinjve.

Sapo mbaroi mesha, At Martini me qetesi më ftoi tek zyra e pritjes ku ishte dhe biblioteka. Ati ka një periudhë të shkurtër që ka sherben në këtë kishë, një katolik anglez i cili është përshtatur mirë me të, por ajo që më tërhoqi vëmëndjen ishte shqipja e tij e pastër dhe letrare, të cilën ai e demostroi dhe gjatë gjithë meshes, të cilën e mbajti shqip.  Biseda jonë u fut në rrjedhën e saj normale falë mikpritjes, qetësisë e dëshirës për të dëgjuar. I prezantova Atit dy librat për detarinë shqiptare, ku i theksova disa figura të spikatura detarësh dhe kontributin e tyre për pamvarësi, duke pasur bashkëpunim të vecantë me Dom Nikollë Kacorrin, Dedë Gjo Lulin, e plot patriotë të tjerë shqiptarë.

Këtë veprimtari të cmuar të detërve shqiptarë e kam sjellë në vëllimin e parë të “Antologjisë së Detarisë”, faqe 109-116. At Martini e vlerësoi punën time shumëvjecare dhe filloi leximin e tyre në moment. Është një mundësi më tepër për të njohur historinë e popullit tuaj, ndaj librat do jenë pjesë e bibliotekës së kishës më tha, ndërsa më falenderoi për këtë dhuratë.

Në një kohë të shkurtër, për shkak të ceremonisë që e priste, shkëmbyem mendime me Atin për historinë e ndritur të kësaj kishe, martirët e saj, shërbyesit, ipeshkëvit që kanë shërbyer, etj.

Biseduam dhe mbi punën e bërë për restaurimin e kishës dhe nevojat që ka ajo për tu kompletuar me të gjitha elementët, për të cilën duhen donatorë vendas ose të huaj.

Sigurisht që në fund të bisedës i mora At Martinit një urim të vecantë për marinarët shqiptarë, e cila do jetë pjesë e vëllimit të ri të “Antologjisë”, ku do përdor dhe stilin e At Zef Pëllumbit.

Theksoj se, të tilla intervista dhe urime për marinarët shqiptarë do i mar dhe klerikëve të fesë islame dhe asaj ortodokse në Durrës e Vlorë.

Po cila është Kisha e Shën Lucisë, një nga pionieret e Kishës katolike në Shqipëri…

Zanafilla e saj i ka rrënjët në historinë mbi tre mijë vjecare të qytetit të Durrësit.  Gjatë periudhës iliro-romake Durrësi, si qytet-port dhe qendër e rëndësishme tregëtare u bë dhe qendër ku depërtoi krishtërimi dhe nga këtej u përhap në zona e fise të tjera të Ilirikut. Rrjedhimisht ndërtesat e para të kultit fetar i gjejmë që në shekullin e VI-të. Dokumentet flasin se, Shën Cezari, ipeshkëvi i Durrësit, ishte martirizuar rreth vitit 58 AD dhe Shën Asti rreth 100 AD. Ndërkohë Shën Pali ka kaluar në këtë qytet duke “shpallur plotësisht ungjillin e Jezu krishtit deri në Iliri”.{Rom. 15,19}.

Vijimësia e bashkësisë së krishterë konfirmohet dhe me faktin se në Koncilin e Efesit{431}, mori pjesë ipeshkëvi i Durrësit, Eukario, dhe në atë të Kalkedonisë{451), Durrësi u përfaqsua nga ipeshkëvi Luka.

Mbas ndarjes së dy kishave në v.1054, Durrësi kishte kisha katolike dhe bizantine. Në Sinodin e Matit, v.1462, të drejtuar nga Pal Engjëlli, u nderua Shën Lucia në Durrës dhe në porte të tjera detare. Sipas një arkeologu frances, në v.1861, ka pasur një burim të Shën Lucisë, në rrugën që shkon tek Vila mbret.

Kisha mori emrin e Shën Lucisë para pushtimit Osman. Shën Lucia ishte një martire e shek.III-të nga Sirakuza e Sicilisë. Vetë kisha u ndërtua në vitin 1868, nga Austro-Hungarezët, që e kishin në kujdestari kishën katolike gjatë kësaj periudhe.

Kisha u bë e njohur në periudhën e shpalljes së pavarësisë, ku si famullitar {1893}, i saj u caktua Dom Nikollë Kacorri. Dom Nikolla i dha asaj një frymëmarrje të re, duke e parë atë, jo thjesht si tempull në nderim të zotit, por dhe si qendër të mirëkuptimit dhe bashkëveprimit ndërfetar, si përgatitëse e mësuesve të shqipes, si shkollë e mësimit të gjuhës shqipe dhe përhapjes së shtypit patriotik shqiptar. Jo vetëm kaq, por Dom Nikolla, bashkëpunoi me marinarët shqiptarë, për sigurimin e armëvë të kryengritësve shqiptarë. {ANTOLOGJIA E DETARISË SHQIPTARE, VËLLIMI I PARË, FAQE 112}. Veprimtaria atdhetare e Dom Nikollës kulmoi si përfaqsues i popullit të Durrësit në Kuvendin e Vlorës më 28 nëntor 1912. Eshtrat e Dom Nikollës prehen po në këtë kishë. Në vitin 1937, Kisha e Shën Lucicë u shpall katedrale e Dioqezës së Durrësit dhe në v.1939, pas vdekjes së Monsinjor Pjetër Gjura, emërohet Mons. Vincens Prenushi. Arkipeshkëv i saj.

At Vincensi ishte një shkrimëtar dhe poet i njohur.  Gjatë periudhës komuniste At Prenushin e arrestuan e torturuan deri sa vdiq në burgjet famëkeqe.  Njëkohësisht u dënuan Dom Anton Zogaj, famullitar i Shën Lucisë dhe Imzot Jul Bonatti. Eshtrat e tyre, bashkë me ato të At Vincensit, janë vendosur brenda altarit të kishës, pas shpalljes së tyre si Martirë të Kishës Katolike më 5 nëntor 2016.

Nga viti 1967 deri në vitin 1991, Kisha e Shën Lucisë shërbeu si teatër kukullash, mirë që nuk e rënuan. Ne v.1991, Imzot Damian Kurti e ringjalli jetën kishtare në këtë objekt, ndërkohë që vetë Nënë Tereza ka marrë pjesë disa herë në kremtimin e Meshës së Shenjtë.

Pas vdekjes së At Damianit, shërbesën në kishë e mori Mons. Gjergj Meta, i cili shërbeu për disa vite. Gjatë kësaj kohe u bë dhe restaurimi i Kishës me fonde nga Renovabis dhe dioqeza e Këlnit. Projekti u zbatua nga arkitekt Indrit Hamiti. Vitin e kaluar kisha katedrale e Shën Lucisë festoi 150 vjetorin e saj, [21 prill 2018}. duke falenderuar zotin për dëshminë e besnikërisë dhe ndihmën e vazhdueshme të Tij.

Nga kjo kishë kanë dalë tre martirë të Kishës katolike:

Doma Anton Zogaj, Monsinjor Vincens PRENDUSHI dhe Imzot Jul Bonati….

Ka një lutje për Sinodin Dioqezan Tiranë –Durrës

Ku në fjalinë e parë thuhet:

O atë i shenjtë, Hyji i mirësisë dhe i mëshirës,

Na trego nëpërmjet Sinodit Dioqezan,

Rrugën në të cilën është e thirrur të ecë

Dioqeza jonë Tiranë –Durrës…

……………………………………….

Këto mbresa mora atë ditë të djele fillimgushti në katedralen e Shën Lucisë, e cila qëndron hijerëndë në lagjen më të vjetër durrsake, duke ja shtuar lashtësinë dhe mirësinë kësaj lagje….