Nga BUJAR QESJA

Një ditë me shi, pak erë dhe pak ftohtë, ky 3 dhjetor i 2020-tës. Teksa ecja me një hap mbi normalen, hodha sytë nga vendi i caktuar i afishimeve. Mosha ime, por edhe shkalla e njohjes më kanë bërë të jem i ndjeshëm, me një kategori njërëzish që i njoh, kam komunikuar me ta, kam krijuar mbresa dhe kujtime jetësore. Dhe dua të mos e nënvleftësoj këtë tregues.

Kovidi si artikulohet, apo siç shkruhet Covidi 19, na ka ç’përqendruar ndonëse siç na thonë evitoni panikun, sepse dëmton. Po se çfarë po ndodh, mirë është që ta dimë, që të ecim paralel me kohën.

E pra sot në mëngjesin e 3 dhjetorit 2020, pashë një njoftim ku bëhej me dije se, ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare Andrea Mele. Befasia kapi njëherazi dy çaste:

E para, me Andrean takoheshim çdo mëngjes, pasi blinte gazetën “Panorama Sport”.

E dyta: Ka qenë gjitoni im sa kam lindur, e deri kur kam qendruar në shtëpinë e origjinës në vitin 1997, pra 46 vite.

Vetëm në periudhën e vështirë të 6-7 moteve të dhjetëvjeçarit të viteve 90-të, kam qendruar gjatë me Andrea Melen, e shoqja e tij Rita me gruan time, vajza Ana me dy vajzat e mija Julin dhe Onën. Kemi qarë halle dhe jemi shtangur e tronditur me ngjarjet e 91-it dhe të 97-tës. Kemi qendruar deri në mesnatë dhe duke u dehur me miqësinë dhe bisedat tona, mezi pritnim të vinte e nesërmja për t’u ritakuar e kaluar minuta, orë, ditë, javë dhe muaj e duke i dhënë kurajo njëri tjetrit, për situatat e frikshme dhe ta paqarta që po kalonim.

Andrea Mele, korçari (origjina) im i mirë! Ai kishte për bashkëshorte Rita Pupin, një familje shumë e urtë në Durrës. Rita mbetet nga ato zonja, që lum ne që e kishim gjitone. Profesioni i saj si infermiere, na bënte që t’i binim derës orë e pa orë dhe t’i kërkonim ndihmë. Kisha dy vajza të vogla, që kërkonin përkujdesje. Dhe dera e shtëpisë së Andrea Meles, ishte gjithnjë e hapur për familjen time. Dhe Rita e ëmbla grua, vinte për gjilpërën dhe rrinte me time shoqe Dinën, duke u llafosur e kënaqur me njëra tjetrën. Le më pas kur vinte Ana, nganjëherë edhe Klodi violinisti i shtëpisë dhe komunikonin me dy vajzat e mia, natyrisht më të vogla në moshë.

Andrea Mele, është i vëllai i grafistit të njohur, të mrekullueshmit Pandi Mele, që u nda nga jeta në vitin 2015 dhe që mori një letër falenderimi nga presidenti amerikan Barak Obama, për një realizim artistik të portretit të tij. Ky portret mbeti për shumë vite në Shtëpinë e Bardhë, në studion e punës së Barak Obamës.

Andrea Mele! Një profesionist i njohur i punimeve në dru. Marangoz si ai dhe zanatçi si ai, Durrësi i ka me gishtat e dorës. Punonte e punonte pa u ndjerë, gjitoni im i mirë Andrea Mele. Por si mund të harrohet Rita, gruaja e tij, nga infermierët më të zonja në institucionet shëndetësore në Durrës. Si mund të harrohet nëna fisnike e Andreas, Thimia jonë aq e dashur, e gjindshme sa herë na është dashur ndihma e saj. Klodi, djali i shtëpisë lidhi jetën me instrumentin me katër tela dhe me harkun magjik të violinës. Dhe ana, vajza, një tjetër urtësi e kësaj familje të urtë, bujare dhe shumë, shumë fisnike.

Koha na largoi, pasi u larguam nga shtëpijat dhe lagja e vjetër nr.4, e rrugës së dashur të fëmijërisë time “Nail Kondi”, por miqësinë dhe respektin e ruajtëm si gjë të çmuar. Dhe për fat Andrea Mele, ka disa muaj që më çfaqet në punën time dhe mbi gjithçka e tërhiqte sporti. Qëndronte aq sa të mos pengoheshim nga puna dhe ndaheshim me mirsjelljen tonë tradicionale, duke përmëndur një për një të gjithë njerëzit e shtëpive tona.

Dhe tani që na ra për ta vuajtur këtë kovid që shqiptohet, e këtë Covid që shkruhet, i thonim njëri tjetrit: kujdes, kujdes dhe njëmijë herë kujdes!

Kishte nja 4-5 ditë që nuk po e shikoja më Andrea Melen të vinte tek unë, për ta vështruar në mënyrë trishtuese dhe të dhëmbshur në vëndin e afisheve, në këtë mëngjes të lagësht të 3 dhjetorit 2020, ku edhe koha po hedh lëngun e ujshëm të saj, se Andrea Mele, në moshën 84 vjeçarë ka ndërruar jetë.

Informohem nga i biri Klodi, se Andrea ynë i mrekullueshëm, ishte shtruar në spital të premten e 27 nëntorit në Tiranë dhe ishte mirë. Të hënën erdhi një keqësim i menjëhershëm dhe të martën zemra e tij ndali përfundimisht. Pra Covidi na e rrëmbeu, sikur nuk e kishim Andrea Melen, gjitonin tim që nga dita e lindjes dhe mikun tim të përdtishëm para se të ndrronte jetë.

Ngushëllime pa fund, Rita e jonë e shkëlqyer! Ngushëllime që nuk ndalen nga unë, Kostandina, dy vajzat Juli dhe Ona për largimin nga jeta të Andrea Meles.

Nuk do ta shikoj më, ndonëse çdo ditë do ta kërkoj, apo do të më duket së po më çfaqet Andrea Mele.

Dhimbje për ty Andrea!