Nga BUJAR QESJA

Një personazh i njohur i botës së sportit, por aspak i letrave të mia. Detyrimi moral dhe qytetar, por ndoshta edhe një autokritikë profesionale, nuk ka se si të më largojë nga një portret i njohur, nga një kryefigurë qëndrore i sportit, por edhe i kulturës së Durrësit. Quhet Diktere Mustafaraj, por kurrë nuk ka diktuar dhe aq më pak të imponuar për të shkruajtur për të. Kjo ka ndikim tek ne, tek unë, por asnjëherë justifikim. Madje edhe këto rradhë i quaj të paplota kundrejt angazhimit gjigand, të kësaj kryezonje, që i ka mbushur të 77 vitet me lëng jetësor, me një përkushtim si askush, me një sedër dhe karakter më shumë se njerëzor, me një dëshirë dhe vullnet të pakonkurueshëm, me një… një… E këto njëtë e mija nuk do të mbaronin kurrë, kur është fjalë për atë, të madhen, të thjeshtën, të diturën, të aftën, të urtën dhe fisniken me emrin magjik Diktere Mustafaraj.

Është 1 prilli 2019. Ditë e hënë dhe koha ndriçon nga një diell i bekuar. M’u në këtë ballë të prillit, të kësaj pranvere të dytë, në një familje në Durrës sot e 77 vite më parë u lind një vajzë e bukur, ku prindërit e saj morën urimin tradicional: të të rrojë! Dhe kjo vajzë, që është Dikterja e jonë, kaloi në 77 shkallë që quhen as më pak e as më shumë, jeta dhe biografia e saj. Ajo që më detyroi të marr punën e të ngas mendimin, në këtë pasdite të 1 prillit 2019, ishte thjesht njoftimi se pikërisht në këtë datë ka lindur ajo, e mira dhe e shkëlqyera e jonë, me emrin historik Diktere Mustafaraj.

Në bilancin e 77-të viteve, se ç’është futur edhe reflektimi ndaj vetes, se si më ka shpëtuar një jetshkrim profesionist, i jetës së saj. “Indiferenca” e Dikteres, që nuk është veçse e vetme me personazhe të këtij lloji në Durrës, më përulëson m’u në këtë 1 prill të 2019-tës. Dhe asnjëherë reflektimet nuk të tradhëtojnë, në rrugën e sendërtimit të asaj që quhet, historia e vlerave qytetare dhe njerëzore të Durrësit.

Diktere Mustafaraj! U ndjeva ngushtë teksa klikova në Google dhe asgjë për këtë personazh primar të sportit të femrave në Durrës. Asnjë foto. Asnjë rradhë. Thuajse asgjë, asgjë. Pse kështu?! Unë po se po, e kam brenda shpirtit tim këtë keqardhje. Por s’jam i vetëm. Dhe përulësia e jonë, para punës gjigande të Diktere Mustafarajt mbetet në shkallën e ulët, kundrejt 77 shkallëve të larta të jetës së saj.

Por simpatia për Dikteren tonë, nuk pyet google, nuk përfill ndoshta pa dashje, mospërfilljen tonë. Kam qendruar minuta e minuta të tëra në faqen e saj në fb dhe jam emocionuar, pse jo edhe drithëruar nga ajo çka shkruanin njerëzit për të. Ish nxënës të saj, brenda dhe jashtë Durrësit, brenda dhe jashtë Shqipërisë, me fjalë nga më të bukurat e gjuhës sonë, i thurnin himn shpirtëror kësaj mbretëreshe të sportit dhe mësuesisë durrsake, kësaj intelektualeje dhe qytetareje të bindur, kësaj gruaje aktive në angazhime të natyrave të ndyshme, që zhvillohen në vendlindjen e saj.

Diktere Mustafaraj! Dita, muaji dhe viti i lindjes 1 prill 1942. Sot 77 vjeç. Mrekulli. Ndonëse rrudhat janë krijuar në fytyrën e saj, më shumë si thërmijëza të arta të jetës së konsumuar, mua nuk më shkitet bukuria hyjnore e rinisë. Në fund të viteve 50-të dhe në ato 60-të është lulëzim si sportiste shumëplanëshe. Ka dhënë shumë kjo e mira e jonë. Shumë, aq sa të bën të skuqet cilido kur jetës së saj, si ka shtuar një plus të merituar në çfardo lloj forme. Ajo se ka kërkuar këtë. S’ma ka kërkuar edhe mua asnjëherë ta inkuadroj në media. Por unë e ndjej, e ndjej aq sa s’ka ku të vej. Dogji rininë, rriti krenarinë dhe kryelartësinë, nga e cila na vështron të gjithëve nga pak. Dhe shumica prej nesh ulin kryet. 

Basketbolliste si ajo, volejbolliste si ajo, pingpongiste si ajo. Shumë e vogël, deri në friksim pasi ndonjë kundërshtare edhe i bënte presion. E njomë dhe shumë kurajoze. E njomë, por e bindur për të qenë ajo në sporte. Dhe u bë ajo. Bashkim Taga, Dhimitraq Goga, Mustafa Çelkupa, janë ulur në memorien e saj si burra hijerëndë, që i dhanë aq shumë lojrave me dorë në Durrës. Por nuk harron dhe loton paksa, kur i kujton shoqet e basketbollit si Kaliroi Rizi, Olimbi Grashi, Varvara Thehoari, Marjuça Boshnjaku, Zyhra Babuna dhe mbështet brezin më të ri me Aleksandra Begovin, Zhani Averikun, motrat Veterniku, Xhuli dhe Shpresa, Donika Belliu, Hanza Rrogozhina, Rajmonda Hysenbelli, Engjellushe Arapi, të cilat në drejtimin e Niko Hercek fituan për herë të parë në vitin 1975, Kupën e Shqipërisë.

Diktere Mustafaraj! 77 vite jetë. Një mal jetësor, relativisht i lartë. Mësuese e letërsisë në shkollën e njohur të muzikës Jan Kukuzeli. Nuk i ndahet durrsakëve të mënçur, sa herë që promovojnë vlerat e tyre në sporte, art dhe kulturë. Ka mbetur e vetme nga moshataret e saj, që mbetet aktive dhe koherente. Sfidon vitet dhe kranaria mbetet në majë e lartësive të 77 viteve të jetës. 

E gjallë, energjike, e bindur se mund t’ia dalë në punimin e vështirë, të historikut të shkollës së muzikës Mujo Ulqinaku. Komunikon me ish nxënësit dhe të gjithë e kanë favor të formësimit të tyre, kulturën që ajo ua transmeton në bindjet dhe virtytet e saj. Jeta e juaj është e vërtetë dhe nuk ka të bëj me 1 prillin e mitologjisë popullore. Kjo është një tjetër vlerë e çmuar Diktere. Ti mbete gjithnjë e vërtetë.

Kaq munda të shkruaj, mbase jashtë parashikimit tim, i nxitur nga 1 prilli i 2019-tës, ditëlindjes tënde zonja kryemadhe e sporteve të Durrësit. Shëndet dhe jetë! Këtë të uroj. Vonova, por kurrë s’të harrova, heroina e sporteve të femrave Diktere Mustafaraj. Durrësi ti din vlerat, por duhet të shpejtojë në evidentimin e tyre, deri në mirënjohje.

Unë e hodha hapin. Të tjerët ta vazhdojnë.