Nga Bujar Qesja

Vlerat e qytetarisë durrsake janë të tilla, që shkrimet për të nuk kanë të sosur. Këtë e kupton kur sapo mbaron një krijim kushtuar atyre, aq ndjen se ke prekur vetëm sipërfaqen. Këtë përfundim ma jep puna aktive dhe itensive, në shërbim të qytetit tim të vendlindjes. Personazhet e merituara të Durrësit, në profesione dhe misione të ndryshme, janë “viktimë” e heshtjes së tyre. Është e saktë ajo që flitet apo thuhet për durrsakët: nuk duan të duken, nuk i pëlqejnë lavdet, brenda tyre noton ndjenja e kryerjes së detyrës dhe shlyerjes së detyrimeve ndaj qytetit të tyre. Ato jo rrallë i zbulon edhe rastësia, por vigjilenca e jonë është e gatshme ti zbulojë ato dhe të gatitet me shpejtësi për të bërë shkrimin e rradhës.

Kështu ndodhi edhe me intelektualin e njohur Kostandin Korreta. Pa dashur të prek në thellësi jetën dhe biografinë e tij, pasi duhet kohë, mjaft kohë, por të paktën të flas diçka, e koha të mos t’i harrojë. Përballë Nish Gomës së Vjetër, në afërsi të dyqanit të famshëm të Kadri Ngjelës, qendron në rehatinë e tij një intelektual i njohur. Quhet Kostandin Korreta, ose Koçi. Kisha kohë pa e parë. Jemi që të dy të lagjes së hershme nr. 4 dhe të rrugës “Nail Kondi”. Koçi është i datëlindjes 15 qershor 1937 dhe për pak javë mbush 84 vite jetë. Njeri i qetë, paksa i heshtur. Flet ngadalë, por saktë. Nuk bëhet fjalë për modele, por përfaqëson atë shtresë të avancuar të shkollimit, që është ndikuese në formatimin e qytetarisë konkuruese durrsake.

Jeton i vetëm dhe si familje të stërmadhe ka Durrësin dhe durrsakët. Është cënuar dukshëm fizikisht, pasi mbështetet fort mbi një patericë. Ecja e tij është pak e mundimshme, por kjo nuk e pengon Koç Korretën të shpërndajë buzëqëshje me të tijët. Nuk e kisha mëndjen, teksa po kaloja një ditë shumë pranë tij dhe dëgjova një zë të butë, si vetë ëmbëlsia e shpirtit që po e çfaqte.

-Hë Bujar si je. Kalon pranë dhe nuk na përshëndet. Por Koç Korreta nuk ka ndërmënd ti harrojë durrsakët e tij, me të cilët e lidhi jeta e përbashkët qytetare.

Dhe fytyra e tij mori ngjyrat e pranverës dhe u çel si sythet e pemëve të marsit.

E kuptova që ishte humor, por ndala dhe u përshëndetëm përmallshëm. Korreta u ngrit dhe patericat e tij m’u dukën si një skelë gjigande, ku mbështetej tërë biografia e tij dhe e Korretëve të fisëm të Durrësit.

Duke qenë në mjedis të hapur, i fola mikut të nderuar që më shoqëronte, Besnik Çela. Fotoja nuk kishte si të më dilte siç e doja, por e fiksova siç e mendova këtë burrë të shtruar, këtë zotni të një inteligjence të sprovuar, këtë njeri që me atë moral që zotëronte, me siguri do ti vendoste të tjerë kufij moshës së tij të rënduar. Është 84 vjeç.

Nxita pak memorien e këtij zotnije të nderuar, për të më kujtuar punët e tij dhe foton tonë ta vendosja si ilustrim i disa shënimeve të marra me “vrap”, por që është mbresë dhe kujtim. Korretët janë vendosur hershëm në mesin e lagjes 4 dhe si një presidium nderi i qendrojnë rrugës “Nail Kondi”. I kam njohur të dy vëllezërit Korreta, Koçin dhe Orestin dhe familjet e tyre tërë nur e dritë. Me Koç Korretën na lidhi edhe angazhimi prej 20 vitesh në shoqatën aq të përmallshme me emrin e shpirtërave tanë ”Durrësi”. Ishte koha kur zotërinjtë me mjekërr të Durrësit, aq autoritarë dhe të njerëzishëm ishin pjesë aktive e kësaj shoqate.

Nxitur nga dëshira e mirë po cek disa prej tyre, absolutisht i bindur se i rradhita pa harruar ndonjërin. Kujtoj këtu zotërinjtë tanë të artë si Dhimitraq Gogën, Salvator Sotirin, Spiro Urumin, Koçi Moisiun, Raq Manushin, Halil Myderrizin, Ali Sulën, Danish Bebeziqin, Matish Gjelucin, Nikolla Jorgonin, Ilia Toçin, Osman Kalaja, Agim Shehun, Refik Kajsiu, Dilaver Cara, Polikseni Dushnikun (Koçi), Ferid Korrën, Selami Dakolin etj. etj. Në këtë prerje qendron edhe Kostandin Korreta ynë, intelektuali elegant, steka e ngritur e qytetarisë durrsake.

Mbaroi studimet për inxhinjer kimist në Çekosllovaki dhe më saktë në pjesën e Sllovakisë në vitin 1961. Pas studimeve Koç Korretën e shikojmë në pozicionin e kryeinxhinjerit në ndërmarjet ushqimore në Berat dhe Skrapar. Pesë vite qendroi këtu, pasi Durrësi në 1966-tën e tërhoqi me shpejtësi djalin e tij. Përqëndrohet në të njohurën Ndërmarrje Industriale lokale e Prodhimeve (NIL) dhe më vonë u emërtua Ndërmarrja Shtetërore Ushqimore (NSHU) . Kreu detyrën e shefit të laboratorit dhe kohë të konsiderueshme iu kushtua edhe detyrës së kryeinxhinjerit.

Ndërmarrja e NIL Prodhimeve ndahet në katër degëzime: UEM, URT, NISH Kimike dhe N: Ushqimore. Koçi nuk lëvizi nga ushqimorja e hershme. Me fillim e viteve 90-të përvoja e tij kaloi në fabrikën e duhan cigareve, gjithnjë në detyrën e kryeinxhinjerit. Fabrika e Bukës në vitin 1994 drejtohet nga Koç Korreta. Periudha 1966-2000, Korreta emërohet këshilltar i kryetarit të Bashkisë Arqile Gorea, duke krijuar zyrën e zhvillimit teknik.

Korrekt si ai, serioz dhe i saktë si ai, profesionist dhe inisiator si ai, intelektual dhe qytetar si ai. Shumë i njohur dhe nderi ynë. Sa kohë që njerëzit të vlerësojnë dhe të heqin kapelen, s’kishte vlerë ta pyesja të mirin tonë për vlerësimet që mund ti jenë dhënë në punë. Nderi i qytetarisë durrsake, është një titull moral, me shumë shpirt dhe zemër brenda, me shumë përgjegjësi dhe emocion brenda, me shumë dëshira dhe entuziazëm brenda. Me shumë, e shumë…..Dhe kjo i takon këtij njeriu që nuk duhet t’ia harrojm e meritat, paçka se duket sikur ka hapur krahun dhe mbështetet në themelet e forta të një paterice të florinjtë.

Pasi e fiksoi mirë bindjen time, për t’iu përkushtuar në një material kësisoj, Korreta bëri një ndërhyrje të tillë që më befasoi. Krahas shumë epiteteve që i kam vendosur, nuk kisha pas kësaj që më sygjeroi të shtoja edhe të tjera: si mirnjohës, shumë realist, shpirtmadh, me një zemër sa katër dritare.

-Do të sygjeroja Bujar të shkruash për Hysen Ballhysën, këtij kuadri dhe intelektuali që Durrësi dhe durrsakët i detyrohen shumë. Njeri me cilësi të rralla, që qante për durrsakët. Në zemrën e tij, ai i kishte ulur të gjithë dhe i donte po kaq. Nuk harroj kur më thonte:

-Koçi duhet të vrasim mëndjen, se si të hapim vënde të reja pune dhe të sistemojmë fëmijët e durrsakëve tanë. Ne i duam ata dhe ato shpresojnë shumë tek ne.

Më tregoj diçka tjetër, që mendoj se do të jetë objekt i një shkrimi, kushtuar një emri shumë të njohur, një kuadri historik dhe që ende vazhdon të lakohet për të mirë nga durrsakët, të një inlektuali dhe drejtuesi të mirfilltë me emrin Hysen Ballhysa.

Me Koçi Korretën kujtuam edhe gazetarin e njohur të sporteve, me emrin emblematik Prokop Korreta. Çfarë burri! Çfarë profesionisti! Vdiq herët, kur unë sapo fillova ti jepja dorën. I takon plejadës së mjeshtrave të lapsit shqiptar të sporteve.

Kostandin Korreta! Plaku i kërrusur nga pesha e viteve dhe nga barra e rëndë e jetës, të një jete që i jep nderin dhe kryelartësinë që të mbahet me të mira, për atë çka dhënë dhe për atë çka është.

Një 84 vjeçar del për çdo mëngjes nga shtëpia, i qetë, duke hedhur me kujdes dhe i sigurtë hapat e rrugëtimit tek kafeja më e afërt. Planifikon deri në detaje kohën ditore. Kurrë nuk mendon se është i vetëm. Pranë ka kujtimet e një jete të ngarkuar dhe nderuese. Ulet. Shoqërohet nga ndonjë i njohur. Lëviz, mendon, shkruan dhe nuk harron.

84 vjeçari ynë Kostandin Korreta është gjithnjë në formatimin e portretit të tij, të atij portreti që u ngjye me fisnikërinë e Korretave të njohur, me atë fisnikëri që qendron si gur i rëndë në Durrës.

Ai kurrë nuk mendon se është i vetëm. Jeta e tij mbetet si një ekran gjigand, ku janë shkruajtur me gërma të dukshme, historia i një intelektuali dhe qytetari të nderuar të Durrësit.

Dhe ky është Kostandin Korreta.