Nga Shefqet Kërcelli

Ditën e sotme, në rajonin e Kepit të Rodonit u zhvillua ceremonia përkujtimore e tragjedisë detare të anijes austro-hungareze “Linz”, e cila u mbyt në 19 mars të 1918, me mbi 1000 persona në bord.  Në bashkëpunim me Forcën Detare dhe ambasadat austriake dhe hungareze u bë e mundur një ceremoni e thjeshtë, por shumë humane në kujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si tragjedia më e rëndë detare e perandorisë Austro-Hungareze.

Në këtë ceremoni morën pjesë ambasadori i Republikës së Austrisë, ambasadori i Republikës së Hungarisë Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Auron Tare, Kuadro të Forcës Detare dhe Flotiljes Detare, Ministri provincial Patër Mirash Marinaj, diplomatë e ushtarakë, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, të medies, kuadro dhe detarë të anijes “Iliria”, P-131, etj.

CEREMONIA

Ditën e mërkurë datë 21 mars 2018, pjesëmarrësit e këtij aktiviteti përkujtimor shkuan në vendin e mbytjes së anijes “Linz” me anijen “Iliria”, (P-13), ku u zhvillua një ceremoni e thjeshtë në respekt të detarëve e personelit të mbytur në këtë fatkeqësi detare. Me këtë rast diplomatët në përshëndetjen e tyre evidentuan fatin tragjik të personelit civil-ushtarak të anijes “Linz”, mbytur më se një shekull më parë.

Ceremonia pati dhe simbolikën e saj, sepse në këtë ngushëllim për detarët e mbytur morën pjesë dhe marinarë shqiptarë. Pra, shpirtrat e detarëve austro-hungarezë dhe ushtarëve robër italianë, të tretur në thellësitë e Adriatikut bashkë me trupat e tyre, mbas një shekulli morën ngushëllimin e diplomatëve respektivë dhe detarëve shqiptarë. Kjo tregon se vitet bëjnë të vetën, historia, dhe përpjekjet e vazhdueshme për paqe të popujve në këtë anë të Adriatikut sollën këtë ditë të veçantë, që askush se mendonte një shekull më parë.

Në vijim diplomatët e huaj nënvizuan përpjekjet për paqe e siguri gjatë këtyre viteve nga vendet e rajonit, si dhe të ardhmen evropiane të popullit shqiptar. Pas ceremonisë fetare të drejtuar nga patër Mirash Marinaj. nga dy ambasadorët, austriak dhe hungarez dhe komandanti ii Grupit te II-të të Forcës Detare, u hodhën në det kurora me lule, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Kështu në këtë ceremoni të thjeshtë, pjesëmarrësit shprehën dhimbjen, hidhërimin dhe ngushëllimet e tyre për detarët e anijes “Linz”. Ju prehtë shpirti në paqe! Ky ishte mesazhi që ata përcollën në këtë ditë marsi, pak milje nga brigjet e Rodonit.

PO ÇFARË NDODHI MË 19 MARS 1918?

Avullorja austro-hungareze “Linz”, me kapiten Hugo Tonelli, ishte vapori i “Lloydit” austriak dhe në vitin 1918, u mor për nevojat e ushtrisë perandorake, transport trupash. Avullorja “Linz” u prodhua në kantierin e Triestes në vitin 1909, me përmasa 104 x 13.4 m, peshkim -7.9 m dhe tonazh 3819 t. Gjatë lundrimit nga porti i Rjekës për në portin e Durrësit, më datën 19 mars 1918, ora 19.00, anija hasi me një minë detare në bordin e majtë, 3.7 milje në perëndim të Kepit të Rodonit. Goditja ishte fatale, për rrjedhojë, anija u mbyt brenda 25 minutash. Në këto kushte dhe tri anijet luftarake (dy anije siluruese, “98” dhe “TB 974” si dhe destrojeri “Balaton”), që e shoqëronin “Linzin”, nuk patën asnjë lloj mundësie për të shmangur mbytjen e saj. Në bordin e anijes bashkë me ekuipazhin, ishin 1 003 persona të regjistruar, nga të cilët 413 robër italianë, të cilët do përdoreshin për punë në territorin shqiptar nga ushtria austro-hungareze. Por në anije kishte dhe persona të paregjistruar, ushtarë austro-hungarezë, që në prag të përfundimit të Luftës së I Botërore zgjodhën destinacione të tjera qëndrimi, përkthyes shqiptarë dhe italianë, personel nga Kryqi i Kuq, etj, të cilët e bëjnë këtë tragjedi detare nga më të mëdhatë e kohës.