Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Qytetaria e Durrësit, traditë dhe fisnikëri

17/12/2020 - 20:50

Në foto: Në radhën e parë nga e majta: Petrit Velaj (doktor i shkencave në fizikë), Skënder Lila (letërsi), Astrit Hoxha (drejtor shkolle, doktor në pedagogji, matematikë), Zana Ramadani (fizkulturë), Shyqyri Myshketa (punë me dru dhe metal), Marika Qirici (rusisht), Gjergji Frashëri (fizikë), Islam Alikaj (matematikë), Jorgo Goga (histori). Në mes nga e majta: Nina Verçuni (rusisht), Gazmenda Tapija (kimi), Jorgji Çerepi (letërsi), Diamanta Çerepi (fizkulturë), Zana Ypi (biologji), Sul Shtraza (histori), Pilo Thanasi(anglisht). Lart nga e majta: Melek Kalamishi(matematikë), Idriz Çinari (fizkulturë), Hajrije Dedej (rusisht), Mihal Qerimi (anglisht), Lazam Koldashi (histori), Reshat Bilali(matematikë) dhe Dhori Spiro (fizikë).

Nga BUJAR QESJA

E gjithë jeta e njeriut, është një reflektim. Reflektim ndaj asaj që mund ta bëjë më mirë, që e ke kryer mirë dhe e ke bërë keq. Vlera është në atë që ndjen, si kohën më të mirë tënden, por edhe atë që ska shkuar siç duhet. Dhe kur rendit në vlera atë që ke kryer mirë, mëndja të shkon tek mësuesit e tu. Jo kot thonë që nxënësi është pasqyrë e mësuesit, ashtu si në fakt fëmija është pasqyrë e prindit.

Më ka mbetur në mëndje, kur në letër hodha rradhë për mësuesin time të klasës së parë, të jashtëzakonshmen Leonora Goga, se kush më tha:

-Ecuria jote or djalë, ka brenda mundin dhe investimin pa interes, të sinqertë e shumë të dashur të mësuesen tënde, të mësuesve të tu.

Prandaj kur diskutojmë jo rrallë njëri me tjetrin, aftësitë dhe kualitetet e brezave të ndryshëm, pa hezitim bashkëngjisim fuqinë e mësimdhënies dhe të edukatës që kanë dhënë të artit mësuesit tanë të shtrenjtë, të paharruar, të denjë për të qenë pjesë e përjetshme e jona.

Foto që të drithëron sa herë që e vështron

Është një pamje, që të çon 53 vite të shkuara. Është viti 1967. Në këtë vënd ka qenë shkolla shumë e njohur në Durrës, një këmbë e fuqishme e arsimit në këtë qytet “Naim Frashëri”. Janë në foto 23 portrete.

Më duken 23 pamjet më të bukura në botë. Janë 23 vetë që mbajtën mbi shpatullat e tyre, një peshë jo fort të lehtë. Mbajtën përgjegjësinë për t’iu përkushtuar me fuqinë e mëndjes së tyre, mësimit dhe edukimit të një brezi, që shkëlqeu aty ku pati rast të punonte dhe të kontribuonte. Dhe ata, me mburrje thonin: që jemi brezi i mësuesve të artë të Durrësit, të atyre kolosovë që kishin së pari të artë, artin e komunikimit dhe të argumentit të asaj që shpjegonin.

Nxënës i mirë dhe njeri i fortë, mësuesi i mirë dhe mësues fortë. Mësues që kur i dëgjoje, me një elekuencë hipnotizuese, të vinte keq që binte zilja e përfundimit të orës së mësimit. Autoritarë, por shumë të thjeshtë. Seriozë, por me një të qeshur që stë shkitet nga kujtesa. Na mësuan me durim. Na qëndruan afër, për të na dhënë atë që duhej, për të mos bërë atë që s’duhej. Një mrekulli më vetë njerëzore kur i kujton. Babaxhanë të arsimit, por edhe mjeshtërisht të aftë në kulturë dhe dije.

Shikoj foton. Sa modestë. Por veshur hijshëm, por gjithashtu thjeshtë. Shumicën i njoh, ndonëse vetën njëri prej tyre më ka dhënë mësim. I miri dhe i paharruari Jorgo Goga. E ç’rëndësi ka kjo, nëse si kam patur mësues! Një Durrës i tërë është mësuar dhe ka provuar aftësitë dhe mënçurinë e tyre. Prandaj kjo foto me një peshë të rëndë malli dhe mirënjohje, të lëviz në duar dhe të drithëron në shpirt.

23 arsimdhënës vendosur në piedestalin e mosharresës

U lidha me mësuesin e njohur Islam Alikaj, ndonëse i ka kaluar të 80-tat as ka ndërmënd të largohet nga lënda e tij e jetës- matematika. Ka botuar 5 libra universitarë, tekste për shkollat e mesme, plotësime matematike për tekstin e Oxford-it, vazhdon të bëje kurse për të shpërndarë njohuritë e thella që ka për matematikën, “vajzën” e tij të urtë dhe të bindur.

Së bashku zbërthyem foton, pasi nuk është pak, por plot 53 vite të shkuara. Prej tyre nuk jetojnë 12, e 11 të mbetur janë të moshuar, duke vështruar nga kjo lartësi kohore punën e jashtëzakonshme dhe shumë fisnike, që kanë kryer me disa breza të rinisë së hershme durrsake.

Ata janë Petrit Velaj, mjeshtri i fizikës, Astrit Hoxha, zotnia i pedagogjisë, Skënder Lila magjiku i letërsisë, Idriz Çinari, binom i përjetshmë i fizkulturës dhe atletikës, Reshat Bilali, i lindur për matematikë, Melek Kalamishi virtuozi i matematikës, Jorgji Çerepi hipnotizuesi i shpjegimit në letërsi, Jorgo Goga historia i lëndës së historisë, Gazmenda Tapija, elbasanasja që la gjurmë në lëndën e kimisë, Zana Ypi, e urta e biologjisë, Zana Ramadani fizkultura në sytë e saj, Gjergj Frashëri, fizika mbeti arti i tij, Nina Verçuni rumunia e njohur dhe simpatike e rusishtes, Sul Shtraza, historia në rrëfimin e tij, Hajrije Dedej, interpretuesja mbreslënëse e rusishtes, Mihal Qerimi, theksi modern i shqiptimit të anglishtes, Marika Qirici, tjetër mjeshtre e rusishtes, Shyqyri Myshketa, mjeshtri i punës me dru dhe me metal, Diamanta Çerepi, mjeshtria e lëndës së fizkulturës, bashkëshortja e eruditit Jorgji Çerepi, Pilo Thanasi anglishtja e saktë e komunikimit, Lazam Koldashi, simpatiku i historisë dhe Dhori Spiro, i “heshturi” aktiv i fizikës.

12 prej tyre në homazh dhe 11 jetojnë pranë nesh

Me Islamin komunikojmë në raporte shumë miqësore dhe njerëzore. Ndonëse nuk jam ulur kurrë në një bangë para tij, por mbetet mësuesi im. I thjeshtë, i saktë dhe i mirë si atëhere. Homazh për 12 mësues që nuk jetojnë. Lutemi të mos kemi gabuar.

I ndezim një qiri shpirtëror, për t’i ndriçuar përjetësisht në parajsën e tyre Petrit Velajt, Reshat Bilalit, Zana Ypit, Zana Ramadanit, Idriz Çinarit, Melek Kalamishit, Jorgji Çerepit, Jorgo Gogës, Hajrije Dedejt, Nina Verçunit, Sul Shtrazës dhe Marika Qiricit.

Lutemi për shëndet për të mrekullueshmin Astrit Hoxha, që ka vite që nuk komunikon dhe për Pilo Thanasin e paralizuar.

Mbeçin me mirësi dhe mbarësi të mënçurit tanë Islam Alikaj, Gazmenda Tapija, Dhori Spiro ( ndonëse në moshën 86 vjeçare, e shikoj çdo ditë që lëviz si djalosh i ri), Skënder Lila, Gjergji Frashëri, Lazam Koldashi, Mihal Qerimi, Shyqyri Myshketa dhe Diamanta Çerepi.

Detyrim për tiu përkushtuar atyre në një shkrim homazh, si shenjë respekti dhe mirënjohje për çka dhanë dhe çka bënë, në të mirë të arsimit dhe kulturës durrsake.

Mirënjohje dhe respekte pa kufi! Gjithnjë në gjirin e kulturës dhe historisë së qytetarisë dhe fisnikërisë!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: