Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Saga historike e dinastisë së njohur të Haznedarëve të Durrësit

10/12/2020 - 20:10

Nga BUJAR QESJA

Bëra një krahasim me detyrën e gazetarit, me atë që kërkon e mira dhe sakrifica e këtij profesioni nëse dëshiron të jesh i saktë dhe i ndershëm. As më shumë dhe as më pak me atë të një blete, që nuk lodhet së kërkuari polenin më të zgjedhur të luleve, për ta kthyer në ëmbëlsi, në një meny të preferuar për të tjerët.

Kam shkruajtur shumë dhe më shumë sigurisht mbetet vazhdimësia. Janë tema që i ke shënuar prej kohësh në bllok, por edhe që dalin si papritur, duke i nxjerrë në sipërfaqe sonda e fuqishme e hulumtimit.

Me mua ndodhën që të dyja. E kisha një mendim kaheri për fisin e famshëm të Haznedarëve, që prej një shekulli a më shumë kanë zbritur nga Dibra e maleve, për të ardhur në butësinë e klimës si sfungjer të Durrësit. Përshtatshmëria e këtij fisi të urtë dhe punëtor me Durrësin, ishte dhe mbeti në unison të plotë. Aq është e saktë kjo, saqë në Durrës kur duan të përcaktojnë një pjesë të qytetit i thonë: “Kjo ndodhet tek Haznedarët”.

Dhe gjithçka qartësohet.

Por temën e këtij shkrimi jo fort të lehtë, ma ofroi duke avancuar planet e mia Greta Guga. Me syrin e zanatçiut të regjur të letrave, gjykoj dhe mendoj se mbetet detyrë e vështirë kjo e Gretës, pasi do të hedh në letër forcën time krijuese, për dy njerëzit më të dashur të jetës së saj, të asaj jete me shumë ferr dhe dhe ku më pas, trëndafili do të kishte rast të çelej, përmbi gurin e rëndë të vështirësive.

Dhe sfidat e jetës së Greta Gugës, ngjasojnë në princip me sfidën e një gazetari të qytetit të saj, që i njeh rrënjë e dhëmballë gurët e vendlindjes dhe që vendosi kaheri t’i përkushtohej njerëzve të tij.

Kështu ndodh edhe tani, me një figurë të njohur nga mbiemri dhe më pak nga emri, por që përbëjnë jetën një njeriu të qetë, të urtë, të fortë, të forcuar ndërmjet hallesh dhe dertesh, por që nuk gëzoi atë që meritonte dhe sfidoi aq sa s’meritonte.

Për këtë jam edhe unë në sfidë, me vajzën e parë dhe të vetme të Qerim Haznedarit Greta Gugën, pasi më besoi sagën e vuajtjeve dhe të mbijetesës së dy prindërve të saj, që tani janë strehuar së bashku në banesën e përjetësisë.

Pak për origjinën e Haznedarëve

Haznedarët janë me origjinë nga fshati Prilep i Manastirit, që ndodhet në Dibrën e Madhe (Maqedonia e Veriut). Gjyshi i Qerimit me emrin Vesaf Haznedari, ishte i njohur në Dibrën e Madhe si nipi i Sulltan Hamitit. Mahmudi, djali i Vesafit dhe babai i Qerimit është lindur në Prilep me 15 shtator 1887, ku mësimet e para i ka marrë në një Mejtep dhe më tej në Medrese. Si duket karakteri i fortë i Haznedarëve, zë fill nga i pari i tyre Mahmudi. I dënuar me vdekje nga një gjykatë sllave për irredentizëm, në vitin 1927 largohet nga Manastiri për t’u vendosur në Tiranë.

Historia e familjes së tij, fillon të shkruajë faqet e para në Durrës. Sistemohet në një banesë me qira pranë Torrës së qytetit. Por më në fund arrin të ndërtojë një shtëpi në tokën e blerë të Zija Kodrës, që u quajt “Kasollja e peshkatarit”. Pranë familjes se Mahmud Haznedarit, jetonte edhe familja e aktorit dhe dramaturgut të njohur Sulejman Pitarka.

Mahmudi dhe gruaja e tij Lutfije Strazimiri, krijuan një familje të madhe me gjashtë djem, Sabaudini (i lindur në vitin 1922), Emini, Naimi, Abdurrahimi, Gafuri dhe Qerimi.

Duke u kthyer në një qendër të rezistencës antifashiste, familja e Mahmud Hazendarit tërhoqi vëmëndjen e dramaturgut Sulejman Pitarka. Ai është autori i dramës aq të njohur “Familja e peshkatarit”, duke dubluar “Kasollen e peshkatarit” që quhej banesa e Haznedarëve.

Drama e papritur e Haznedarëve

Lufta që bënë për Atdheun, duke prekur armët tre prej tyre Sabaudini, Emini dhe Naimi, i bën Haznedarët të ndërtonin një jetë të qetë dhe secili në punët dhe hallet e veta. Sabaudini si djali më i madh i shtëpisë, ishte krahu i djathtë i baba Mahmudit.

Por komunizmi që kërkohej të ndërtohej, nuk ishte i ndershëm me idealistët e tij. Sabaudini në një konflikt të ashpër për parregullsi të punëve, konfliktohet hapur me Adil Çarçanin. Bashkë me të ishin edhe durrsakët dhe demokratët e njohur Skënder Çela, Drita Malile, Hysen Ballhysa, Mark Toçi etj. U desh ndërhyrja e të madhit për kohën, që Sabaudini të përjashtohej nga Partia dhe Skënder Çela dhe Mark Toçi të pushkatoheshin pa gjyq.

I caktuar në një punë sa për të thënë, Sabaudini mori vendimin final për t’u larguar nga Atdheu në formën e arratisjes. Kalon në Kostur të Greqisë, qendron pak në Stamboll dhe sistemohet në Romë (Itali). Hap një biznes fitimprurës dhe bëhet mbështetës aktiv i mjaft shqiptarëve në nevojë. Bashkëjeton me një italiane, me të cilën lindi edhe një vajzë, grua të cilën ia helmoi sigurimi i shtetit shqiptar.

Gruaja shqiptare, Shefikati së bashku me djalin Skënderin, mbetën në vendlindjen e tyre. Ishte 14 gushti i vitit 1950. Plaku i shtëpisë Mahmud Haznedari dha shpirt me 2 dhjetor 1958, me emrin e Sabaudinit në gojë. Ai nuk e dinte, se djali i madh i tij kishte marrë këtë vendim final.

Dhe më pas zhvillohen ngjarjet e 25-26 shtatorit të vitit 1982, ku Sabaudin Haznedari si pjesë i një grupi, që kërkonte të likujdonte udhëheqësin komunist Enver Hoxha dhe vritet në përpjekje me forcat e sigurimit kombëtar.

Një veprim utopik ky, pasi sistemi komunist nuk mund të përmbysej me asgjesimin e një personi.

Jam detyruar të njihem me shumë të dhëna për Sabaudin (Dini) Haznedarin, njeri me karakter shumë të fortë, iu përgjigj me armë së bashku me të jatin pushtimit fashist të Durrësit, luftëtar i spikatur në përpjekjet për çlirim, komunist aktiv dhe shumë masovik. Kur gjërat nuk i preku siç i ndjente, zhgënjimi erdhi po aq i fortë sa bindjet e tij. Për mendimin ndryshe, i vranët shokët, i vranë idealin, i masakruan të ardhmen.

Në luftë psikologjike dhe debate të vazhdueshme, jeta iu bë ferr pikërisht në tokën e Atdheut të tij, që e donte si prindi fëmijën. Dhe këtë të keqe që po niste, Sabaudin Haznedari ia faturonte vetëm njëshit, Enver Hoxhës. Dhe mbetet në kujtesë një thënie e tij, në minutat e fundit të frymëmarrjes:

“...ai popull ka mbetur si ajo pema e zhveshur, që i bien gjethet në vjeshtë dhe ato gjethe një shkrepse duan nga ne, që të marrin flakë menjëherë”.

Dhe si një e drejtë, apo argument i Dinit, për të shigjetuar sistemin antipopullor që po kristalizohej, vjen edhe saga e persekutimeve të dinastisë së njohur të Haznedarëve.

Kalvari i dhimbshëm i Qerim Haznedarit

Tundova mëndjen jo pak dhe m’u duk termi kalvar, më i përshtatshëm në rastin e Qerim Haznedarit, që pas hyrjes së shkrimit kam vendosur të trajtoj gjërësisht atë dhe familjen e tij. Termi “Kalvar” përdoret edhe për të treguar një fazë jashtëzakonisht kritike e të dhimbshme të shëndetit të një njeriu, gati gjithnjë kur është në orët e fundit të jetës mbi këtë tokë. Përdoret kështu, sepse përshpirtëria popullore, sipas shembullit të Udhës së Kryqit, e pa gjithnjë ngjitjen e Jezusit mbi Kalvar si të përpjetë të gjatë, të mundimshme.

Qerimi ishte 15 vite më i ri, nga vëllai i madh Sabaudini dhe të tjerët ishin në diferenca 3 vjeçare, brenda këtij harku kohor nga viti 1922 e deri në 1937-tën. Vrasja, apo më saktë vetvrasja tragjike e Sabaudinit 60 vjeçar, e gjente vëllain e fundit të Haznedarëve në moshën 45 vjeçare. Apo e dhëna tjetër.

Kur i madhi nga fëmijët i Haznedarëve u arratis në vitin 1950, Qerimi më i vogli i tyre ishte vetëm 13 vjeç. A mund të kuptonte një i mitur i kësaj moshe, se çfar është komunizmi, debatet dhe lufta prenda llojit?!

Deri atëhere Qerimi kishte bërë jetën e tij të thjeshtë, por që ndjente kënaqësi me punën që bënte. Vetëm 16 vjeçar preku hekurat e ftohta në ndërmarrjen e peshkimit dhe më pas xhenerik në Parkun e Mallrave. Në shërbimin ushtarak që e kreu në Elbasan, mori patentën e shoferit. E përdori këtë zanat në ndërmarrjen e pjesëve të këmbimit dhe në atë të karburantit.

Gëzoi martesën me vajzën me origjinë nga Kruja dhe që jetonte në Shijak Vjollca Doçi, e bija e të urtit Hasan Doçi baba i tetë fëmijve. Viti 1972 i martesës, shumë shpejt u shoqërua me lindjen e fëmijës së parë dhe vajzës së vetme Gretës. Por viti 1950 kishte mbetur si një hije, që hera herës ia çfaqnin për të errësuar dritën e bardhë dhe të bukur të jetës së Qerimit.

I bindur se ky emër ka një përmbajtje interesante, pyeta një njeri të njohur të fesë mislimane. E pyeta mbi kuptimin e fjalës Qerim dhe më gëzoi me shqipërimin e saj:

-Qerim, vjen nga arabishtja e vjetër dhe do të thotë Bujar.

Pas kësaj bëra pak humor me veten, duke u bashkuar me personazhin e shkrimit. “Qerimi qenka pak Bujar dhe unë pak Qerim”, duke krijuar një binjakëzim interesant dhe të papritur ndërmjet emrit të shkruesit dhe objektit të përkushtuar.

Qerimi punonte me frymëzim, pasi donte pa masë gruan e tij Vjollcën dhe dy fëmijët si drita Gretën dhe Agimin.

Vjollca ishte e përqendruar në punën e saj delikate si edukatore çerdhe, duke qenë dhe një edukatore në shtëpi për dy fëmijët e lindur, më parë Greta dhe në vitin 1974 Agimi. Greta emër i një aktoreje të famshme, ndërsa Agimi ishte një agim i pritshëm në zgjerimin e familjes së Qerim Haznedarit.

Ndonëse shumë i ri, ia kisha dëgjuar emrin dinastisë së Haznedarëve. Kisha dëgjuar për Eminin një kuadër korrekt, për Naimin buzagazin e fisit, Sabaudini dhe Gafuri profesionist të saldimit të hekurave dhe Qerimin, shoferin e papërtuar dhe njeriun e qeshur dhe të gëzuar me jetën dhe punën e tij, por edhe për Skënderin (Nekën), bashkëmoshatarin tonë dhe djalin e vetëm të Sabaudinit.

Por jeta e Qerimit tonë, ndryshon drejtim nga era e fuqishme politike dhe pjella e saj lufta e klasave.

Me 27 shtator 1982, pasi rrethohet vret veten Sabaudin Haznedari dhe me 28 shtator 1982 në mëngjes, rrethohet shtëpia e Haznedarëve dhe me shtatë kamionë, policë dhe shoqërues mbi to, bastisen plotësisht shtëpijat e të njohurëve të Durrësit dhe në mënyrë shtazarake internohen në drejtime të ndryshme.

Skënderi në Shën Mëri të Gramshit, Emini në Shals të Elbasanit, Naimi në Gallatë të Krujës, Gafuri në Lapardha të Beratit, Abdurrahimi në Rehovë të Beratit, ndërsa Qerimi në Grabovën e Poshtëmve të Gramshit. Vendimi me numur 13, i urdhëruar nga Komisioni Qendror i Internim Dëbimeve të Shqipërisë.

Hapu varr e futu brenda.

Qerimi u ndëshkua më rëndë, pasi kishte me vete nënën e “armikut të popullit” Sabaudin Haznedari, që para pak orësh kishte humbur jetën. Greta nuk e përmban veten, por edhe djemtë gjithashtu, teksa dëgjojnë të jatin të rrëfej një nga vuajtjet më të tmerrshme të familjes së tyre.

Sado që të mundohet një profesionist i hershëm i letrave, mbetet shumë pa thënë për dramën e familjes së tij nga 28 shtatori i vitit 1982 e deri me 31 mars të vitit 1990, plot 3103 ditë.

I japin ditën e parë të inernimit një kosë, për të hapur tokë të re. Puna e tij shkëlqeu edhe këtu.

-O brigader, a mund të punoj me qe, të jem pendar?

-Di ti të ngasësh qetë, o djalë qyteti?

-Po ta provoj, do të mundohem.

Dhe Qerimi, durrsaku ynë hallemadh, uli kokën, për t’ua ngritur qeve, e duke punuar tokën tërë ditën. Lodhej deri në rraskapitje. Njerëzit e fshatit ishin të sjellshëm por të trëmbur. Kishin frikë për të folur me Haznedarët. Kur kërkonin ndonjë ushqim nga vendasit, ndonjë vezë apo qumësht, e gjenin tek dera pa e ditur se cili i ka ndihmuar. Një lloj terrori psiqik i paparë. Dhe ndaj kujt?

Ndaj një familje të pafajshme, të saktë në atë që quhet disiplinë shoqërore dhe e punës.

Edhe Vjollca merrej me punë bujqësie. Kjo grua e rrallë, iu bë krah Qerimit duke u kujdesur edhe për fëmijët, për nënën e sëmurë dhe të moshuar, për gjithçka. Një jetë e paduruar, ndaj një sistem,i të paduruar, në kushte të paduruara.

Dhe në 15 ditëshin e parë 1200 lekë. Fshatarët kishin frikë ti ofroheshin familjes Haznedari, se ruheshin dhe kalecat që vrojtonin 24 orë. Edhe në Grabian të Gramshit, në çin e ma çin, kur thotë populli e kishin çuar dhe vazhdonin për ta mposhtur, për ta përbuzur, për t’ia bërë copë karakterin dhe t’ia tjetërsonin raportin qytetar me gjërat.

Greta dhe Agimi, u formuan më shpejt se mosha e tyre. Dhe tani kur e kujtojnë babain dhe nënën e tyre se sa kanë vuajtur, qajnë me lot shpirti dhe u ka dhimbsur i jati deri sa u shuajt si i gjallë më 17 nëntor 2017.

Ata të dy nuk kërkonin asgjë. Bënin disa orë rrugë në këmbë për të shkuar në shkollë dhe ishin më të mirët. Kjo ishte ndihma, që mund t’u jepnin përindërve të tyre. Të qëndronin pranë nënë Lutfijes, ta përqafonin, t’i fshinin lotët e thara, pasi s’kishte kë të qante më parë.

Një djalë ia vranë dhe të tjerët u ndaluan ta shikonin. Baba Mahmudi dha shpirt, me emrin e Sabaudinit në gojë.

E nënë Lutfijes, ia taksën më shumë hallet, pasi nuk e lanë të shikonte katër djemtë dhe nipin Skënderin. U ça shpirti i nënës. Ngashërente tërë ditën, me zë të ulët mos t’ia bënte qejfin hafijeve të sigurimit.

-Oh djem ku më jeni? Nëna po vdes, e nuk do t’ju shikoj! Po iki me brengë të madhe! O djemtë e mi! Xhani po më djeg, e zemra po më shkulet nga gjoksi. Më ka marrë malli! U shpirtërat e nënës tuaj! Oh çfarë po heqim! Po vdes, po vdes, po vdes pa ju parë! Oh, oh!

Varri i nënë Lutfijës dhe vajzës Neilës buzë rrugës

Shkruaj dhe ndjej dhëmbje për këtë lloj persekucioni, në përmasat e një ferri të vërtetë. Grabova e poshtëme. Një fshat i thellë i Gramshit. 90 minuta diell ka ky fshat dhe në mes të verës.

Shtëpia ku e përplasën familjen e Qerim Haznedarit, ishte vatër minjsh, të cilët kishin marrë në dorëzim haurin pas largimit të dhënve. Një dhomë pa dritare dhe dyer dhe tjetra shumë më e vogël, pa tavan dhe me mure të coptuara.

Nuk dua ta rëndoj situatën, më shumë se ç’ka ndodhur. Edhe hitlerianët nuk e kanë bërë një veprim të tillë. Makinën me plaçka e kanë shkarkuar Qerimi, bujari ynë me Vjollcën, zonjën e vuajtur të Haznedarëve. Asnjë tjetër nuk u lejua të vinte dorë. Greta ishte 10 vjeçare dhe Agimi vetëm 8 vjeç.

Çfarë kishte bërë Qerimi? Pse kishte krijuar një familje, më shumë se të mirë? Pse ishte punëtor dhe të gjithë e donin? Pse kishte një grua të rrallë, të heshtur dhe të sakrificës? Çfarë?! Çfarë?! Po nënë Lutfija, me një djalë të vrarë, e nuk shikon më as katër të tjerë?

Dhe goditjet binin mbi Qerimin, këtë burrë të qetë, ku shumë shpejt as një majë floku nuk i mbeti pa iu zbardhur. Kë të qetësonte më parë ky njeri? Veten, nënën, gruan, dy fëmijët, kë?

Po jetesa si do të zgjidhej?

Në punët që dinte të bënte, absolutisht jo. Ky vëlla “armiku”, duhej të vuante më shumë se armiku vetë. Pse deri këtu?! Aq më shumë Qerimin s’duhej ta poshtëronin kështu. As në luftë s’kish qenë, por as edhe në Parti. I qetë në punën e tij, në hallet e tij, në rriskun e tij që ia kishte dhënë Zoti.

Nënë Lutfijes, fati i ofroi një tjetër dhimbje. Oh sa ka mbajtur shpirti i saj! Sa u gëzua Greta, ku familja Haznedari u shtua me një vajzë, yll të bukur.

Bërtiti me të madhe:

-Mami, u bëra me motër! Tani jemi dy, tani jemi dy shoqe të ngushta!

Ia vendosi vetë emrin. Neila. Nderoi Neilën, shoqen e saj të ngushtë të fëmijërisë, vajzën e doktorit të njohur Ali Sula.

Neila Haznedari! Gëzim që zgjati vetëm 90 ditë. Pakujdesia e mjekëve, e çoi në varr Neilën e njomë, duke shuar gëzimin e Haznedarëve të Grabovës dhe duke e copëtuar edhe më tej edhe pak shpirt, që i kishte mbetur nënë Lutfijes.

Përfytyroni familjen e Qerimit, të mbledhur tok e duke vajtuar shpresën e re të tyren, Neilën e pafat që të jetonte. Shuhet një gëzim, për t’iu shtuar halleve të tjera të kësaj familje që vuante gjithçka.

Dhe në vitin 1985, vetëm pak muaj pas Neilës së paharruar, sos frymën e fundit edhe Lutfije Haznedari, gruaja heroinë e Mahmudit, nëna e vuajtur e 6 djemëve të saj.

Tjetër kusur. U dha urdhër që nënë Lutfija, të mos varrosej në varrezat e fshatit.

Nëna e “armikut” nuk mund ta kishte xhenetin e saj, me varret e fshatarëve të larguar nga jeta të fshatit Grabovë. Qerimi, i shumëvuajturi ynë, hapi një varr buzë rrugës dhe aty vendosi trupin pa jetë të nënës. Djemtë u lejuan ta shikonin nënën e tyre, por tashmë të larguar nga jeta.

-Mbahu Qerim Haznedari! Iu bë sikur dëgjoi një zë të brëndshëm.

Rinisi ritualin e përditshëm, me një shpirt plot me dhimbje dhe derte. Që të katër kurajonin njëri tjetrin. Por nuk u tutën. E keqja i kishte forcuar. Dhimbjet nuk i kishin ndalur kurajon dhe fuqinë e tyre. Ringriheshin më me forcë, sa herë që tentonin t’i gjunjëzonin.

Ermali – Besmiri dhe parajsa e Vjollcës

Vitet vargëzuan njëri pas tjetrit, duke ndërtuar trenin e jetës të familjes së Qerim Haznedarit. Vitin që nënë Lutfija ndërroi jetë, një hare e pushtoi familjen e padorëzuar kurrë të Qerimit. Lindi Ermali. Emër i bukur dhe përjetues. Pas katër viteve tjetër djalë, tjetër gëzim. U bënë gjashtë frymë. Besmiri erdhi në jetë, si një besë e mirë, për të qëndruar e besuar, për ta parë të ardhmen me optimizëm, me shpresë, se më në fund do të mbaronte kalvari i vuajtjeve dhe sakrificave të pambarim.

Afrimi i erës së lirisë, në këtë fshat të vështirë të Gramshit ndjehej më i pastër. Nga lartësitë e maleve, ka ardhur ngahera kushtrimi. Era e pastër e malit! Era e lirisë ndaj një monotonie të zgjatur, që i dha fatkeqësi Qerimit dhe familjes së tij.

Një vit para se të mbaronte internimi, apo më saktë skllavëria, u lejua të kthehej në Durrës Vjollca me dy fëmijët e vegjël Ermalin dhe Besmirin. Dhe me 31 mars 1990, kthehen në Durrës Qerimi me Gretën dhe Agimin, duke i dhënë fund një llahtarie, që vetëm ai sistem mund ta praktikonte si kënaqësi të kohës.

Rikthimi në Durrës, ishte rikthim në atë jetë që e meritonin ta jetonin pa tmerrin dhe lemerinë e internimit. Qerim Haznedari nuk pati kohë të gëzohej, pasi e priste sfida e madhe e rritjes, shkollimit dhe nxjerrjes në jetë të fëmijve. Jo pak, por katër. Njëri më i mirë se tjetri, njëri më i bukur se tjetri.

Qerimi skishte kohë të fliste poshtë e lart, se sa kishte vuajtur. Mori timonin e makinës dhe ia rinisë zanatit të vjetër të shoferit. Vjollca filloi punë edukatore çerdhe. Greta nisi të shkollohej për psikiatre. Edhe Agimi nisi studimet e larta.

Familja e Qerimit Haznedarit, mori oksigjenin e mbarë të vendlindjes dhe mushkëritë e saj filluan të marrin jetë. Nuk kishin kohë për të humbur. Ndryshuan marshin e jetës. Me kurajo filluan të mjekojnë plagët, e atyre vuajtjeve dhe stresi të mbingarkuar që kishin kaluar.

Por jo plotësisht, pasi në “ekon” e atij internimi, zonja e nderuar e këtij shkrimi, bashkëshortja e jashtëzakonshme, nëna kurajoze, e dhëmbshur dhe e palodhur Vjollca Haznedari, i la pasoja të pariparueshme. Ishte viti 2002, kur Vjollca shtrohet në një klinikë të Athinës, për t’u kuruar nga zemra. Madje edhe u operua.

Gjithçka shkoi mirë. Por zemra e saj, nuk mundi ti mposhte dhimbjet e shkaktuara në vite. Brenda 48 orëve, nëna e fëmijve dhe gruaja krenare e Qerim Haznedarit, Vjollca pësoi një goditje fatale në zemër dhe u largua nga jeta. Vetëm 52 vjeçe.

Qerimi dhe fëmijët

Pa fund sfidat e këtij njeriu të mirë, të urtë, me një pozicion klasik në shoqëri. Hallet iu shtuan, por edhe kurajo për tia dalë iu shtua edhe ajo. Qerimi që humbi nënën, që humbi vajzën 3 muajshe, që humbi edhe gruan, i vetëm me katër fëmijë. Dy të vegjëlit Ermali dhe Besmiri, ishin respektivisht 17 dhe 13 vjeç. Pse kaq shumë vuajtje ky njeri? Me një fizik të brishtë, por shumë të fortë e nisi punën më me energji.

Gretë dhe Agimit i vinte keq për të jatin. Agimi iu bë krah, ndërsa Greta zëvëndësoi përsosmërisht mamanë e dashur, Vjollcën. U bë “nënë” për dy vëllezërit e vegjël. Gruaja e Agimit lindi vajzë, pas një jave nga gjëma. Dhe pa hezitim, foshnja e sapo dalë në jetë mori emrin Vjollca.

Fuqia dhe lidhja njëri me tjetrin, e familjes së Qerim Haznedarit ishte e tillë, që të bënin çfarë qe e mira për ta.

Vjollca Haznedari ka mrekullinë e dyfishtë, pasi mban përjetësisht imazhin e gjyshes dhe natyrisht edhe të mbesës së saj.

Qerimi nuk e ndali punën, derisa fëmijëve u dha drejtim. Greta mbaroi për psikiatre, e martuar me një djalë simpatik, internistin –patholog Fredi Guga, i biri i kapitenit të njohur të marinës ushtarake Polo Guga, me të cilin ka dy fëmijë Joelin dhe Irën. Agimi jeton në Lago di Garda të Breshias (Itali).

Por iku në Itali duke mbaruar fakultetin e drejtësisë. Bashkëshortja e tij Marçela, ka mbaruar për jurisprudencë ekonomike dhe punon në këtë profesion,. Ermali përfundoi masterin infermieri- kirurgji dhe është pedagog në laboratorin e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Dhe Besmiri nuk mbetet mbrapa. Përfundoi studimet për master radiologji-kirurgji dhe është emëruar në Inspektoriatin Shëndetësor Shtetëror.

Një familje intelektuale, me nismë një baba të artë, një baba të dhëmbshur, një baba të sakrificës, një baba i përkushtuar mbi mundësitë për kujdesin në mirrritjen dhe mirshkollimin e fëmijve të tij, një baba që zëvëndësoi me një fuqi gati mbinjerëzore humbjen e gruas dhe u bë copash, të mos vuante më qoftë edhe nga psikologjia e së shkuarës. Dhe ky baba i artë dhe ky baba i jashtëzakonshëm ishte Qerim Haznedari.

Malli për Vjollcën dhe Qerimin e artë të Haznedarëve

Vjollca u largua nga jeta 18 vite më parë. Qerimi nuk jeton fizikisht nga 17 nëntori i vitit 2017. Dhe fëmijët i kujtojnë. Dhe fëmijët nuk i harrojnë, madje përgjërohen për ta më shumë se më parë. Ulen ndonjë pasdite dhe shikojnë fotografitë.

I marrin në duar dhe lotët rrjedhin nga faqet e tyre si një burim bjeshkësh. Janë lotë të dala nga xhani, që i krijon pa rreshtur zemra dhe shpirti i tyre.

Shikojnë nënën e tyre, Vjollcën. Dhe pëshpërisin me zërin e dridhur, që vjen nga thellësia e atij shpirti të vrarë, të plagosur por kurrë të dorëzuar. E ç’nuk bëri ajo nënë për fëmijët, burrin dhe nënë Lutfijen? E çbëri ai baba, ku me lëkurën e trupit të tij, krijoi atë mbulesë gjigande që mbuloi fëmijët për ti mbrojtur nga e keqja. Koha e keqe, regjimi i lig, punë të rënda, vdekje pa pushim (fëmija, nëna, gruaja, vëllai) dhe Qerim Haznedari, me rrënjët të ndërtuara thellë në krenarinë dhe mospërkulmërinë e fisit të famshëm të Haznedarëve, si një gjigand i të mirës dhe i ardhmërisë kurajoze, nuk u përkul, nuk u rrëzua nga tronditja dhe goditjet, por mbeti ai i thjeshti, qendrestari.

Kam parë mrekullinë tek fëmijët e Qerim Haznedarit. Ato e duan nënën e tyre, babain e tyre dhe i kujtojnë si mrekullinë e jetës së tyre, të shansit të madh që i ofroi koha, për të patur një nënë dhe baba të florinjtë me emrin Vjollca dhe Qerim, bujari i prejardhjes së historisë.

Por këta fëmijë e duan të tërë fisin, që të jenë të bashkuar si dikur, pa dallime natyrash dhe karakteresh, pa vënë re vakumet e herëpas-hershme që u krijuan në jetë për këtë apo për atë dukuri. Janë pasardhës të Haznedarëve shumë të njohur, të një dinastie që u krijua me shumë vështirësi nga i pari i tyre Mahmudi, nënë Lutfija dhe me rradhë të gjashtë vëllezërit Sabaudini, Emini, Naimi, Abdurrahimi, Gafuri dhe Qerimi.

Është tjetër jetë tani. Bisha e viteve 80-të, ka dhënë shpirt prej kohësh. Në tokën dhe kataninë që i lanë të parët, kanë lindur, rritur e zhvilluar breza të rinj, të cilëve sigurisht u takon ta mbajnë lart emrin e këtij fisi që në Durrës, kanë skalitur kujtesën dhe historinë e tyre.

Po për vajzën Gretën, djemtë Agimin, Ermalin dhe Besmirin, krenaria dhe kryelartësia e tyre mbeten ata, mbetet ajo dyshe që i vendosi në jetë me një identitet, me një barazi të denjë ndaj kujtdo, me një fytyrë të pastër morale dhe të ndershmërisë si kristal.

Është ajo dyshe e vlefshme tërë kohën, tërë jetën dhe e vendosur plotësisht në trupat e tyre, në gjakun e tyre, është në kuotat e një pozicioni maksimal që quhet kujtesë, që quhet mos-harresë, që quhet mirënjohje, sa të kenë frymën, sa të kenë jetën, ata por edhe pasuesit e tyre.

Dhe kjo dyshe e florinjtë për ta janë Qerim dhe Vjollca Haznedari.

Për jetë me ne: babi dhe mami! Kudo me ne: mami dhe babi! Pranë nesh përjetësisht mami dhe babi!

Ju duam dhe do të ju duam mot e jetë: shumë, shumë, shumë!

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: