Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në këtë kohë Covidi, kur të gjithë jemi të përhumbur, të përgjumur, të trëmbur, të tmerruar e të lemerisur, me një gjendje psikologjike të rënduar, duke ecur dhe duke kthyer kokën prapa, ka optimizëm dhe një kryeqendresë që të nxit besimin për jetën, për të bukurën, për të ardhmen. Njerëzit në këtë kohë janë të trëmbur për të shkuar në spital, për vetë hijen e frikshme të këti Covidi, i 19-ti thonë, por i 35-ti qoftë, sepse mos të infektohen nga vetë ngarkesat e rasteve që krijohen. Por ka qendrestarë në atë që quhet detashmenti i mjekëve, që sfidojnë, që nuk u shkon ndërmënd se po bëjnë mrekullinë, por veçse punën që haptas nuk e fshehin, betimin që e kanë bërë njëherë atë të Hipokratit.

Eda Harizi! Vetë mosha ime, e ka tashmë të formatuar opinionin, apo punën që kryen mjekja neurologe, që prej vitesh është edhe shefe e këtij reparti, apo Presidentja e Urdhërit të Mjekut të Durrësit Eda Harizi. Kjo nuk është thjesht nxitje personale, e kristalizimit të opinionit apo bindjeve të mia për Eda Harizin. Të ishte plotësisht kjo, përqindjet e peshës së këtij shkrimi, do të binin disi. Është edhe ky zanati ynë një lloj burse, që thuhet, që ngrihet apo ulet në kuota nga opinioni i gjërë i lexuesit. Por jam i bindur dhe kjo e ka kaluar masën e duhur, që Eda Harizi është kthyer në një kryezonjë të mjeksisë në Durrës. Natyrisht gazetari nuk ndan çmime, as tituj, por të drejtën për të evidentuar vlerat e atyre njerëzve që meritojnë vëmëndje dhe aq më shumë edhe respekt, është në të drejtën e tij, që ta tundë penën dhe të tërheqë vëmëndjen për një dukuri pozitive, pse jo edhe të mrekullueshme që vërtitet në opinion.

Eda Harizi! Detyra e saj është të punojë, të komunikojë me pacientin deri në mos lodhje, të japë terapinë e nevojshme dhe mundësisht t’ia lehtësojë barrën e rënduar shëndetësore të sëmurit. Shpesh ngatërrojmë detyrën, me atë që manifestohet praktikisht. Në fakt në kohën që po shkruaj për Edën, është periudha më e favorshme kur vëmëndja në atë që quhet globi ynë, është përqendruar pikërisht tek mjekët. Por një vlerë e kësaj zonjë hije rëndë, në kuptimin më të mirë të kësaj fjale, nuk e çfrytëzon këtë për konjukturë dhe për tu dukur për të lënë të kuptosh:
“Ja si erdhën punët, çdo gjë është në dorë të mjekëve”.

Eda Harizi është ulur në vëndin e saj të punës. Mua më rastisi të ndjek për disa orë punën e saj. Por kur u befasova për atë çka ofronte puna e saj dhe për atë që u detyrova të çbiriloj për atë që quhet Eda Harizi, atëhere ballanca pro saj më detyroi të mpreh lapsin dhe ta nxis veten për të thënë:
-A do të jetë ky shkrim, që të përligj sadopak aftësinë profesionale dhe mrekullinë komunikuese, të neurologes Eda Harizi?

Kam hasur në shumë mjekë, madje edhe miqtë të mi. Nuk kam çfrytëzuar rastin meqenëse i njoh të shkruaj për ta. Por ndërgjegja profesionale, më thërret fort në shpirt, se nuk duhet të hezitoj për të hedhur rradhë në favor të përkushtimit, formës së manifestimit të cilësive të një ustalleshe në zanat, por shumë, e theksoj shumë njerëzore, shumë humane, shumë respekt ndaj pacientit hallemadh, që i kishte rënë derës së saj për derman. Pirgjet e kartelave mbi tavolinë. Telefoni i saj më ngjasonte me atë të emisioneve të preferuara të Covid-it në TV, ku mbushesh plot nga mesazhet. O Zot ku e merrte tërë atë energji! Vizitonte, mbushte kartelat, jepte recetat dhe u shkruante në celular përgjigje atyre që e donin si hajmalie reagimin e saj. Komunikonte me kolegët, krijonte bindjen e nevojshme për përgjigjen që u nevojitej pacientëve dhe me një urim apo kurajo shkëputesh nga telefoni. Dhe më pas rikthehej në realitetin e ngarkuar të punës. Eh çfarë pune!

Ky Covid mirë që të frikson për të të kapur, e për të të bërë gjëmën, por të luan edhe nga mentë e kokës. Të krijon ankth, depresion, stres, goditje jo të lehta psikologjike dhe të nxjerr nga shinat e arsyetimit. Dhe kjo kategori, i kishin krijuar një mbingarkesë të jashtëzakonshme Eda Harizit, të cilën jo më kot e quajta kryezonjë të mjeksisë. Dhe njerëzit e sëmurë kërkonin këshilla, një mënyrë sado të thjeshtë për të lehtësuar sëmundjen. Eda Harizi nuk mërzitej. Përkundrazi në fytyrën e saj të lodhur, ishte varur si një lule pranvere plot dritë e ngjyra, një lloj optimizmi që i jepte shansin e diferencës me kolegët e tjerë. Dhe më duhet të pohoj, pa as më të voglën rezervë, se jo të gjithë mjekët janë kështu. Këtë ndërgjegjësim, këtë përkulje ndaj Hipokratit të saj, ia ngren vlerat kësaj mbretëreshe të mjeksisë, ku sfondi i kohës ia çfaq me ngjyra të shndritshme ato cilësi që i ka fituar me punë, lodhje, madje deri në stërmundim.

Pas kësaj fillova të mësoj më shumë, për këtë neurologe të dorës së parë. Nuk të mban kot mileti për të mirë në gojë. Dhe këtë zonjë, me emrin tashmë të njohur Eda Harizi, e lakojnë për të mirë i madh dhe i vogël. Dhe me personazhe të tilla, libri i rëndë i mjeksisë durrsake, gjen përfaqësues të respektuar, të veshur me dinjitetin dhe personalitetin, që të jep krahas punës edhe reagimi i opinionit. Tek Eda Harizi, ndonëse me një përvojë të gjatë në mjeksi, vura re dhe këtë bindje e krijova edhe nga kërkimet e mia në arkivën e pasur të punës së saj, se as kishte ndërmënd të tërhiqej nga të rejat e zanatit. Dhe kjo në raporte të përparuara të neurologjisë botërore dhe jo thjesht brenda vendit.

Emrin kjo mjeshtre e mjeksisë, e ka vendosur duke shpenzuar nga xhepi i saj, e duke vizituar shtete të zhvilluara në mjeksi si Amerikë, Franca, Anglia, Italia, Danimarka, Spanja, Hollanda etj. duke marrë pjesë në takime, biseda konsulta, simpoziume, konferenca, mbledhje dhe shkëmbim përvoje. Dhe nga ky angazhim ndërkombëtar, cili përfitonte? Natyrisht qytetari durrsak dhe komuniteti i gjërë i zonave rurale. E kishte shumë në merak, se nuk mundi të realizonte (dhe kjo për arsyje të Covid -19), një takim profesionistësh rrace, që pritej të vinin nga bota e përparuar mjeksore në Kanada. Dhe kjo veprimtari ishte planifikuar për në muajin qershor. Është e konfirmuar prezenca e Eda Harizit në vitin 2021, në simpoziumin e neurologëve që pritet të vijnë nga shumë shtete të botës në kryeqytetin italian Romë.

Koha ecën. Sëmundjet edhe ato avancojnë me kohën. Ja të marrim shembull Covidin e fundit. Ku i dihet, se sa Covide të tjerë janë në rradhë. Dhe mjeke të kategorisë së Eda Harizit, janë një shans më shumë për pacientët, pasi duke zbuluar llojin e sëmundjeve, përcaktohen edhe diagnozat e sakta. Dhe Eda Harizi ka vendosur ta vazhdojë sfidën e saj. Moto është e thjeshtë dhe shumë e njohur: Punë, punë dhe vetëm punë. Studim, përvetësim, zbatim. Dhe pas kësaj vjen respekti, mirnjohja e njerëzve. Dhe pas kësaj vjen edhe formulimi i titullit të një gazetari, që duke shkruar për Eda Harizin, guxon ta vendosë në postin e merituar të kryezonjës së mjeksisë durrsake.

Por Eda Harizi ka edhe një avantazh. Bashkshorti i saj është një mjek i njohur në Durrës dhe që vazhdon të jetë i angazhuar në repartin e urgjencës. Ai quhet Ferid Domi. Një burrë simpatik, që pamja nuk e zbukuron se sa puna e madhe që kryen, veçanërisht në këto ditë të vështira të mbushura me viruse inteligjente dhe të stinës. Feridi është nga dera e famshme e Domëve të zonës Rreth të Shijakut. Është djali i një arsimtari, që e shkriu tërë jetën për diturinë e banorëve të atij komuniteti. Është kjo arsyeja, që shkolla e fshatit Rreth mban emrin e Isa Domit. Një nga vëllezerit e Feridit, është stomatologu me nam Beniamin Domi, që ushtroi aktivitetin e tij në Tiranë.

Edhe Feridi e ndjek Edën në veprimtaritë ndërkombëtare mjeksore, duke krijuar një çift ideal jo vetëm bashkëshortësh, por edhe mjekësh. Kjo dyshe i bën nder mjeksisë durrsake, pasi në adresë të tyre formulohen vetëm fjalë të mira, të dala nga zemra dhe shpirti i njerëzve, që kanë nevojë për përkushtimin e tyre. Edhe studentët e UAMD lejnë kokën për pedagogen e tyre. Përfitojnë prej saj jo vetëm profesionalisht, por edhe njerëzisht. Edhe Kledisa, vajza e Edës, është mjeke në Amerikë. duke përfaqësuar me personalitet jo vetëm familjen e saj, por edhe mjeksinë shqiptare.
Me njerëzit, për njerëzit dhe asnjëherë pa to. Kjo është deviza e Eda Harizit dhe Ferid Domit. Ditët konsumojnë njëra tjetrën dhe Eda Harizi konsumon jetë nga jeta e saj, për qytetarët. Më mbeti në mëndje një sentecë që më tha Eda, mbase është e njohur por vendosa të shënoj:
“Pesha e trurit është rreth 2 përqind e peshës së trupit, por çdo funksion i trupit varet prej tij!

Eda Harizi! Një shembull për t’u ndjekur! Një përvojë që duhet zbatuar! Një mrekulli që duhet vlerësuar! Një kryezonjë që vlen të respektohet!