Mjekët: Mungesa e medikamenteve, për shkak të tenderave

Ndonëse në emër të reformave në shëndetësi nga ministri i shëndetësisë Petrit Vasili  deklarohet se nuk do të ketë më mungesë ilaçesh në spitale, duke i dhënë kështu fund abuzimeve sistematike dhe zhvatjes së pacientëve, spitali i Durrësit  prej disa javësh po përballet me një tjetër realitet, atë të mungesës së medikamenteve. Medikamentet e paketave bazë të ilaçeve kryesore që i nevojiten spitalit, kryesisht reparteve të urgjencave, siç është pediatria, për të trajtuar të sëmurët, kanë përfunduar. Mjekët sqarojnë se mungesa e ilaçeve lidhet me disa arsye, ku ndër më kryesoret renditen; numri i lartë i pacientëve gjatë sezonin veror, por edhe zgjatja e proçedurave të blerjeve dhe realizimi i tenderave.

Për pasojë  çdo pacient që shtrohet në repartet e spitalit të Durrësit, në reanimacion, kirurgji,  patologji, në repartin e sëmundjeve të brendshme, pediatrinë e fëmijëve etj, janë të detyruar që me recetën e mjekut të shkojnë në farmacitë private për të blerë barnat e nevojshme për kurim, apo mjekime të tjera të cilat i marrin gjatë kohës që janë të shtruar në pavione.  Sipas mjekëve kanë mbaruar të gjithë rezervat që ata dispononin, nisur edhe nga fluksi i madh i pacientëve me të cilët janë përballur gjatë këtij sezoni veror, gjë që ka sjellë përfundimin e medikamenteve bazë, duke nisur nga alkooli, garzat e deri tek antibiotikët dhe aget për serume. Zgjidhja, sipas bluzave të bardha, do të gjendet te kërkesa për shkurtimin e afateve të realizimit të blerjeve të ilaçeve, kërkesa e donatorëve për të ndihmuar e shëndoshur financat e spitalit, apo edhe tek përshpejtimi i proçedurave burokratike.