Albano Aleksi ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm në mesfushën e Teutës gjatë sezonit të fundit. Në vitin e tij të parë me fanellën durrsake, mesfushori i ardhur nga Luftëtari u bë titullar i padiskutueshëm.

Fitimi i Kupës së Shqipërisë e ka entuziazmuar fierakun, që flet për emocionet e finales dhe kontratën që ka me klubin durrsak, teksa do të jetë edhe një sezon me Teutën.

Albano, trofeu juaj i parë i rëndësishëm vjen si pjesë e Teutës. Si ndiheni?

Është një ndjenjë e papërshkrueshme, pasi nuk e kisha fituar asnjëherë Kupën e Shqipërisë. Besoj se e merituam atë fitore ndaj Tiranës, pasi e kishim përgatitur më mirë se kundërshtari ndeshjen. E goditëm Tiranën nga krahët dhe atëherë ku duhet. Ndihem krenar për këtë trofe.

Ky sukses ju motivon për të bërë më tepër me fanellën durrsake?

Jemi shumë entuziastë për këtë arritje, pasi kemi treguar vendosmëri. Të gjithë, duke filluar nga çunat dhe trajneri, kemi punuar fort për të arritur deri këtu. Mendoj se jemi kthyer në një model inspirimi për të gjithë futbollistët e vegjël të akademisë sonë, pasi kemi arritur të fitojmë simpatinë e tifozërisë në një kohë kaq të shkurtër. Kjo Kupë do të na shërbejë për të pasur më shumë suksese në vijim.

Durrësi vuajti shumë në muajt e fundit, fillimisht me tërmetin, e më pas “COVID-19”. Ishte kjo një dhuratë për qytetin?

Po, pa diskutim. Ishte një motivim më shumë për ne, pasi kemi qenë bashkëvuajtës të situatave të papërjetuara më parë. Besoj se kjo skuadër përfaqëson sot vlera për Durrësin. Meqë më jepet rasti, dua të shpreh mirënjohjen për presidencën dhe të falënderoj të gjithë tifozërinë durrsake që na ka mbështetur gjatë këtij sezoni.

Keni menduar për të ardhmen, ku do ju shohim sezonin e ri?

Kam kontratë me Teutën deri në verën e vitit 2021. Do vazhdoj të jem pjesë e ekipit dhe shpresoj që sezoni të na gjejë me objektiva madhorë.