Pas 3 sezonesh në kampionatin spanjoll me Levanten, mesfushori me origjinë shqiptare, por i lindur në Shkup, Enis Bardhi është gati për një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij futbollistike.

Kjo pasi sipas mediave angleze, paraqitjet e mira të 25-vjeçarit kanë rënë në sy të trajnerit të Arsenalit Mikel Arteta, i cili u ka kërkuar drejtuesve të klubit që ta transferojnë futbollistin e Maqedonisë së Veriut në Londër.

Klubi anglez duket se ka nisur zyrtarisht kontaktet me Levanten dhe është gati të bëjë një ofertë të kënaqshme ekonomikisht për klubin spanjoll, që shpenzoi vetëm 1.35 milionë euro tre sezone më parë, për të marrë Bardhin nga hungarezët e Ujpestit.

Debutimin si profesionist Enis Bardhi e bëri te Prespa Birlik, ku luajti 10 ndeshje dhe shënoi 5 gola, ndërsa më pas u transferua te hungarezët e Ujpest, ku luajti për tre sezone dhe në 79 ndeshje, shënoi 19 gola.

Prej verës së 2017-ës është pjesë e spanjollëve të Levantes, ku ka luajtur 75 ndeshje në tre sezone dhe ka shënuar 15 gola. Ekzekutimi i goditjeve standarde është një nga specialitetet e Bardhit, i cili ka mahnitur shpesh me golat e tij.