Luka Modriç fitoi mbrëmjen e djeshme “Topin e Artë” 2018. Mesfushori kroat i Realit të Madridit ka triumfuar në këtë garë, duke lënë pas tij Kristiano Ronaldon dhe Antuan Grizmanin përkatësisht me vota: 753, 476 dhe 414. Pas votimeve të bëra nga 176 gazetarë në të gjithë botën, revista “France Football” ka shpallur fituesin ditën e djeshme në mbrëmjen gala të mbajtur në Paris.

Në këtë mënyrë, Modriç me vota bëhet kroati i parë që fiton këtë çmim dhe i jep fund dominimit total të Mesit dhe Ronaldos në 10 vitet e fundit. Leo Mesi mbeti jashtë podiumit pas 11 vitesh. Mesfushori e kurorëzoi ëndrrën e tij në moshën 33-vjeçare. Ai është nga ata që i ka arritur të gjitha me djersë dhe ka mbërritur nga zero në njëqind. Në fillim ka qenë udhëheqës i një tufe dhish kur ishte ende fëmijë, pastaj udhëheqës i një topi, dhe së fundi futbollisti më i mirë në botë.

Një histori e denjë për një film. Pavle Balenoviç është përsoni që i ka kushtuar një dokumentar gjithë këtij rrugëtimi. “BBC” ka bërë publik një ekstrakt që përshkron nëpërmjet imazheve dhe rrëfimeve gjithë historinë e Luka Modriç. Dy realitete krejt të ndryshme, kur ai ishte fëmijë dhe kur veshi fanellën e Realit të Madridit. Imazhet që numri 10 nuk dëshiron t’i kujtojë janë ato të kohës së luftës me serbët.

Pastaj erdhi fluturimi nga fshati për në Zadarin e tij, ku familja u vendos. Jetuan si fillim në “Hotel Kolovare” dhe më pas në “Hotel Iz”, derisa gjetën një shtëpi. Luka kaloi orë në parkingun dhe oborrin e tij, respektivisht, me topin e futbollit. Atij nuk i pëlqen ta kujtojë atë kohë. Nga kujtesa preferon të shpëtojë imazhet me një top futbolli në këmbë dhe familjen, në ato momente.

Ai e kujton veten gjithmonë me top në këmbë, pavarësisht se gjyshi i tij humbi jetën nga kjo luftë. Trajneri i tij i tij i parë ka qenë Tomislav Basiç. Kur ky i fundit ndërroi jetë në 2014, Modriç e kishte prekur ëndrrën dhe luante për Real Madridin, por nuk nguroi të merrte leje dhe të përcillte për në banesën e fundit njeriun që i dedikohej ai sukses.

Modric ëndërroi për të qenë i barabartë me Boban, idhullin e tij, por tashmë e ka tejkaluar atë.  Një përrallë e vërtetë,  po të kesh parasysh trajektoren e jashtëzakonshme, nga kullotja e dhive në malet e Kroacisë tek “Olimpi” i futbollit, lojtari më i mirë i vitit në botë.