Vedat Muriqi ka firmosur prej ditësh me Lacion, por koronavirusi u bë pengesa e radhës që sulmuesi të mos bashkohet me ekipin e ri në fillimin e sezonit.

Bomberi i Kosovës, pas marrëveshjes me Lacion dhe zbarkimit në Romë, u kthye në Turqi për të tërhequr disa dokumente, por në testin e kryer atje rezultoi pozitiv dhe iu desh të izolohej në Stamboll, ku ndodhet ende.

Megjithatë, kjo nuk do zgjasë për shumë kohë sepse njoftohet se Muriqi ka rezultuar negativ në testin e radhës për Covid-19, çka do të thotë se është shëruar.

Procedurat parashikojnë edhe një tjetër test për sulmuesin dhe pas konfirmimit përfundimtar, Muriqi do të zbarkojë në Romë për tu stërvitur me grupin, me qëllim arritjen e formës optimale sa më shpejt dhe debutimin me kryeqytetasit.Pas këtij lajmi ka “hare” edhe te Kosova.

Dardanët luajnë ndeshjen e Play-Off për Kampionatin Europian ndaj Maqedonisë së Veriut pas nëntë ditësh në Shkup dhe pritet që trajneri Shaland të ketë në organikë edhe Vedat Muriqin, i cili është padyshim lojtari më i rëndësishëm i ofensivës së Kosovës.