Hija e dopingut që ka përfshirë sportin në Rusi, shtohet edhe mbi futbollin. Tabloidi britanik, “Daily Mail” hedh “bombën” saktësisht një vit nga Botërori që do të zhvillohet pikërisht në Rusi. Sipas medias angleze, të gjithë 23 lojtarët e Kombëtares së Rusisë që morën pjesë në Botërorin 2014 janë vënë nën hetim nga FIFA për doping.

Atyre u shtohen edhe 11 lojtarë të tjerë profesionistë dhe në këtë mënyrë, lista shkon në 34 lojtarë të hetuar. Problemi bëhet serioz pasi 4 nga lojtarët e Rusisë së Botërorit 2014 janë aktualisht pjesë e suadrës, madje u aktivizuan në Kupën e Konfederatave.Bëhet fjalë për Kanunnikov, Glushakov, Akinfeev e Samedov.

Në Brazil 2014, Rusia bëri një paraqitje të dobët duke mos arritur ta kalonte fazën e grupit me vetëm dy pikë të grumbulluara në 3 ndeshje të luajtura dhe në drejtimin e saj ishte trajneri italian, Fabio Capello. Sipas “Daily Mail”, lojtarët e implikuar ishin pjesë e atij që quhej “sistem mbrojtës” i zbuluar nga Agjencia Ndërkombëtare Antidoping në vitin 2016. Në hetimin e WADA-s janë përfshirë rreth 1000 sportistë nga disiplina të ndryshme, por vetëm gjatë orëve të fundit në këtë skandal është përfshirë edhe futbolli rus.