Teuta dha sinjalet e para në triangolaren e zhvilluar të dielën në Durrës, ku u shfaq si një skuadër e frikshme. Edhe pse gjithçka mbetet për t’u parë në kampionat, në kampin durrsak janë optimistë se kjo Teutë do të jetë e denjë për të pretenduar Kupat e Europës.

Mesfushori Albi Dosti, flet me nota optimiste për gjendjen e skuadrës së tij në prag të sfidës së parë të kampionatit. Sipas tij, Teuta ka bërë progres në të gjitha drejtimet, krahasuar me sezonin e shkuar.

“Unë mendoj se skuadra do të jetë shumë më mirë se kampionati i fundit. Te Teuta është punuar shumë në të gjitha drejtimet, që nga skuadra deri tek infrastruktura e stadiumit. Drejtuesit e klubit kanë kryer një merkato vërtet mbresëlënëse, duke afruar në ekip lojtarë mjaft cilësorë dhe të denjë për të përballuar me sukses sezonin. Gjatë muajve të verës kemi punuar fort dhe mbi të gjitha në kushte të shkëlqyera, si në Itali dhe më pas Maqedoni. Tashmë jemi rikthyer në Durrës për t’i dhënë dorën e fundit fazës përgatitore. Gjithçka ka shkuar shumë mirë dhe jemi gati për të nisur sezonin. Pretendojmë Europën, pse jo edhe më lart”, ka thënë fillimisht Dosti.

I pyetur për ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Luftëtarit, që do të luhet të shtunën në orën 19:00 në Durrës, fantazisti durrsak u shpreh:

“Nëse do të jemi në të njëjtin nivel si në turneun e dy ditëve më parë, Luftëtari do ta ketë shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur për të na përballuar. Për ne është ndeshja e parë, të cilën fatmirësisht e luajmë në shtëpi dhe duhet të fitojmë me çdo kusht para tifozëve. Triumfi është kusht i panegociueshëm për Teutën, kështu që jam i bindur se do t’ia dalim”-përfundon mesfushori.