Bledar Hodo, zëvendëstrajneri i Teutës, ka dalë para mediave në prag të duelit me Vllazninë, që durrsakët e luajnë nesër në stadiumin “Loro Boriçi” prej orës 18:00.

Hodo, i cili më parë ka qenë edhe kapiten i Teutës, fillimisht ka deklaruar se djemtë e ekipit duken në formë optimale. Sipas tij, Teuta i ka përfunduar të gjitha gabimet këtë sezon dhe është momenti i finishit, kur duhet ta mbyllë me sukses.

“Normalisht e dimë rëndësishmen e ndeshjes. Është një duel si gjithë të tjerët e këtij kampionati, plot surpriza. Çunat duken në formë optimale, grupi është i plotë. Mungon vetëm Daja i pezulluar me kartonë, pjesa tjetër janë gati për lojë. Kështu që jemi të gatshëm, e dimë shkallën e vështirësisë. Kemi besim tek ekipi ynë dhe shpresoj t’ia dalim me sukses. Të gjitha skuadrat kanë gabuar, pasi kampionati është shumë i fortë. Mendoj se i kemi përfunduar të gjitha gabimet këtë sezon dhe është momenti i finishit, kur duhet ta mbyllim me sukses. Nuk kemi presion, jemi të qetë. E thashë që në fillim që e dimë rëndësinë e ndeshjes. Nesër shpresojmë të bëjmë më të mirën në fushën e lojës. Mendoj se e gjithë skuadra në fazën sulmues po paraqitet mirë. Është punuar për këtë gjë stërvitjes. Shpresojmë që edhe nesër të konkretizojmë me sukses. Të gjitha skuadrat kanë probleme, e thashë edhe më përpara. Ekipet luajnë ngjeshur, diferencat janë të vogla. Dihet që kampionati ynë është më shumë fizik se teknik. Mendoj se kemi pasur ekuilibër. Edhe në ndeshjet me Tiranën gabuam në goditjet standarde, nuk është se na kapën në ndonjë kundërsulm”, ka përfunduar Hodo.

Blerim Krasniqi shënoi një gol fantastik kundër Kukësit dhe do kërkojë të përsërisë veten edhe në duelin e nesërm ndaj Vllaznisë rivale për titullin kampion. Sulmuesi sot ka dala para mediave dhe i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

“Normalisht e kam pritur golin shumë. Kishte kaluar një periudhë e gjatë pa shënuar. Normal kur shënon në atë lloj mënyrë çlirohesh. Shpresoj të vazhdoj kështu edhe në ndeshjet e radhës, të bëj më të mirën për ekipin. Për ekipin bëhet gjithçka, jo vetëm goli. Punojmë të në gjitha fazat e lojës, në mbrojtje e sulm. Pastaj pjesa e golit është detyrë për ne sulmuesit. Pavarësisht se kush shënon, me rëndësi është të fitojë ekipi. Kalon në plan të dytë pjesa e shënuesit”, tha fillimisht Krasniqi.

Në lidhje me duelin ndaj Vllaznisë, sulmuesi shton: “Kemi humbur ndeshjen e parë me Vllazninë në Shkodër, kurse këtu më pas kemi dominuar. Shkojmë për tre pikët, si për çdo ndeshje, pastaj pjesa tjetër le t’i mbetet fushës. A na kënaq një pikë? Normalisht shkojmë për tre pikë, pastaj se çfarë ndodh përcaktohet në fushë. Të gjitha ekipet janë afër, kush gabon më pak do të jetë më i suksesshëm. Ne kemi treguar që te Teuta pika më e fortë është forca e grupit. Kemi pasur edhe ndeshje jo të mira, por pastaj e kemi marrë veten. Kjo tregon që Teuta ka një grup të fortë. Nuk ka asgjë prej së cilës druhemi për ndeshjen në Shkodër. Ne shkojmë të bëjmë punën tonë, pastaj rezultati vendoset në fund të ndeshjes. A kam ndonjë numër golash si objektiv? Për sulmuesit besoj se nuk ka shifra golash, sa më shumë të shënojmë, aq më mirë”, ka përfunduar Krasniqi.