Shqipëria, Kosova apo pritja pafund për një ftesë nga Zvicra?

Kjo është pyetja që Floran Kamberi i ka bërë vetes vitin e e fundit, gjatë të cilit ka pasur interes të vazhdueshëm për futbollistin 24-vjeçar për të luajtur me njërën kombëtare apo tjetrën.

Duket se sulmuesi ka bërë përfundimisht zgjedhjen e tij dhe për ta bindur të vihet nën urdhrat e Edi Rejas me fanellën kuqezi, është përdorur taktika e cila funksionoi shumë mirë me Xhani De Biazin.

Ky i fundit, në periudhën kur kërkonte futbollistë për të veshur fanellën kuqezi, dërgonte me mision vëzhgimi dhe kontakti asistentin e tij, Paolo Tramexani.

De Biazi nuk dëshironte që gjërat të bëheshin me telefona apo me ndërmjetës e skautë, duke besuar se kontakti direkt ndihmonte mbi çdo gjë tjetër. Taktika atëherë funksionoi në perfeksion, aq sa për pak kohë edhe Shkodran Mustafi po bëhej gati të refuzonte Gjermaninë për të veshur fanellën kuqezi.

Edhe Reja duket i qëndron besnik kësaj ideje dhe për këtë arsye, në fundjavën e kaluar në Skoci ka udhëtuar krahu i djathtë i tij, Serxhio Porrini. Ky i fundit ka parë në stadium ndeshjen mes Hibernian dhe Sëlltik, ku Kamberi u aktivizua si zëvendësues dhe shënoi më kokë në humbjen 5-2 të skuadrës së tij.

Më pas, ish-futbollisti italian kontaktoi me lojtarin duke i treguar planin kuqezi për të ardhmen, duke i shkëputur atij një “po” për ta bërë pjesë të grupit kuqezi.