Mançester Siti po përgatitet për një ofertë faraonike për të arritur një marrëveshje të re për rinovimin e kontratës së Rahim Sterlingut.

“The Sunday Express” zbulon se për të mbajtur larg interesin e Realit të Madridit, kampionët e Anglisë po shqyrtojnë ofrimin e një kontrate të re sulmuesit, me një rrogë prej 450 mijë paundësh në javë.

24- vjeçari ka konfirmuar statusin e tij si një prej sulmuesve më të fortë të krahut në botë edhe këtë sezon dhe pavarësisht se ai ka një kontratë deri në vitin 2023 në “Etihad”, Siti mendon që t’i mbajë larg admiruesit e tij.

Sterling, i cili rinovoi për herë të fundit në nëntor të 2018-ës, duke e rritur rrogën e tij deri në 280 mijë sterlina në javë, e ka konfirmuar ambicien e tij për të luajtur një ditë jashtë Anglisë.

Gjithsesi, ish-talenti i Liverpulit ka pranuar se do të luajë edhe për shumë vite të tjera në “Etihad” përpara se të shohë mundësinë për të provuar një aventurë të re jashtë ishullit.

“Unë jam i lumtur në Mançester. Po kaloj shkëlqyeshëm. Jam në një prej klubeve më të mira në botë dhe kam në plan që të qëndroj gjatë. Por askush nuk e di se çfarë ndodh në të ardhmen. Jam ende i ri dhe siç e thashë, po shijoj çdo minutë.Por që kur kam qenë fëmijë, e kam pasur gjithnjë ëndërr të luaj diku jashtë. Do të ishte bukur që të përfundoja stërvitjen, të shkoja në shtëpi, të ulesha në kopsht dhe të haja darkë. Do më duhet të shoh një vend ku temperatura minimale nuk shkon poshtë 17 apo 18 gradëve”, tha Sterling për revistën “GQ British” në gusht.

Me një rrogë prej 450 mijë paundësh në javë, ai do të bëhej futbollisti më i paguar i “qytetarëve”, duke lënë pas Kevin De Bryjnen, i cili fiton 350 mijë paund në javë.