Parma dhe Chievo janë dy klubet që pritet që të nisin nga Serie B sezonin e ardhshëm për shkak të ideve se kanë influencuar dhe fiksuar rezultate, tashmë kemi dy ekipe të tjera që do të shkrihen për ta rinisur nga kampionati i diletantëve, Serie D në futbollin italian.

Erjon Bogdani dhe aq më pak Migjen Basha nuk duhet të ndihen mirë në këtë moment, kur kanë mësuar se klubet ku kanë derdhur djersë, tashmë do ta nisin në kategoritë e të panjohurve. Bari dhe Cesena, mirupafshim! Cesena është dorëzuar, nuk do të prezantojë apelimin (kishte kohë deri në orën 19:00 të ditës së djeshme) për t’u abonuar në Serie B pasi Coisoc kishte refuzuar që të përmbushte aplikacionin për regjistrim për shkak të 73 milion eurove borxhe dhe rreth 40 milion eurove me autoritetet tatimore.

Mësohet se klubi kishte pranuar falimentimin që kishte kërkuar Prokuroria e Forlit. Data e falimentit është fiksuar për më 9 gusht. Mëngjesin e djeshëm shoqëria ka kërkuar që të fitojë 6 milion euro që të shpëtonte regjistrimin, por që kontaktet me bankën britanike dështuan dhe kështu që ky klub duhet që ta nisë garën nga kategoritë diletante, Serie D.Përfundon këtu aventura që zgjati 78 vite.

Brenda pak ditësh lojtarët do të jenë të lirë dhe pse disa prej tyre kanë nisur tashmë stërvitjen diku tjetër. Cesena në historinë e saj ka qenë 13 herë në Serie A, ka marrë pjesë në Kupën UEFA në sezonin 1975-76. Pjesë e kësaj skuadre ka qenë dhe Erjon Bogdani, që në vitet më të mira të kësaj skuadre i ka shënuar Milanit.Nuk ka shkuar aspak mirë edhe për Bari-n, e ardhmja e të cilit ishte lidhur ngushtë me Andrea Radrizzani-n. I cili, sipas një njoftimi, ka braktisur marrëveshjen.

“Në ditët e fundit kemi pasur gati një bashkëpunim me një investitor lokal për të rimëkëmbur Bari-n. Por, koha e paktë që kishim në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme që ky operacion të mbyllej me sukses. Urojmë që për Bari-n çdo gjë të shkojë mirë”, tha Radrizzani, presidenti i Aser Group. Kështu, Bari i Migjen Bashës do ta rinisë nga diletantët.