Përtej suksesit në organizim, Shqipëria po dëshmon edhe potencialin e saj sportiv në Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për të rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që po mbahet në Durrës dhe presidenti i Federates Shqiptare, Elez Gjoza, nuk e ka fshehur kënaqësinë pas triumfit të dyfishtë të Arbër Çerçizit të hënën.

"E nis intervistën time me thënien e presidentit të federatës europiane doktor Antonio Ursos i cili deklaroi se medalja e artë i takon Shqipërisë për sa i takon organizimit dhe qershia mbi tortë ishte vendi i dytë, dy medalje argjendi të Arbër Çerçizit. Një sportist i talentuar i cili duhet përgëzuar dhe është modeli për brezat e ardhshëm i sportist i fortë."

Gjoza thekson se do të punohet edhe më tepër për identifikimin dhe promovimin e talenteve të reja në peshëngritje.

"Në plane afatgjata dhe afatshkurtra Federata Kombëtare e Peshëngritjes do të hapi në disa qytete të vendit klube sportive, shoqata që të mbushet kjo federatë me të rinj pasi ky është një sport popullor dhe modeli i Arbër Çërçizit që ju tregoj të gjithëve se duke punuar, duke u stërvitur, duke lënë mënjeanë atë që ne i themi efekte anësore të bëhen të dobishëm për veten, familjen dhe absolutisht dhe për federatën." 

Për këtë qëllim, kreu i organizmit që qeveris shtangën kuqezi kërkon më tepër mbështetje.

"Qeveria shqiptare duhet ta ktheje tamam vëmendjen nga ky sport i cili është sport elitar, sport popullor i cili ngre flamurin shqiptar në shumë aktivitete europiane dhe botërore. Kështu që duhet një ndihmë dhe është emergjente për Federatën Kombëtare të Peshëngritjes".

Kampionatin Evropian të Peshëngritjes për Të Rinj dhe Nën-23-vjeçarët, që ka nisur të shtunën e shkuar, mbyllet më 21 tetor 2017.