Teuta u rikthye te fitorja të premten pas katër barazimeve radhazi në kampionat. Përmbysja e rezultatit ndaj një ekipi pretendent si Kukësi i ka kënaqur të gjithë në kampin durrsak. Tri pikë me shumë vlera dhe tani ekipi i Bledi Shkëmbit e sheh veten në vendin e dytë.Nuk ka kaluar pa u vënë re kjo fitore edhe nga ish-trajneri Haxhi Ballgjini, i cili i ka dhënë titullin e vetëm kampion Teutës. Ai vlerëson reagimin e durrsakëve, ndërsa thekson se për momentin titullar në sulm meriton të jetë Latif Amadu.

Çfarë përshtypjeje ju la Teuta kundër Kukësit?

E kam ndjekur me shumë interes lojën. Teuta zhvilloi një ndeshje të madhe dhe mendoj se mori një fitore të merituar. Një përmbysje ndaj një kundërshtari si Kukësi nuk është aspak e lehtë dhe natyrisht merr vlera të tjera. Ekipi tregoi forcë karakteri dhe këtë gjë e pashë pikërisht të premten për herë të parë. Kjo ishte ajo që më bëri më shumë përshtypje.

Një takim ku Teuta kishte dëshirën dhe besimin e duhur. Në fund arriti të reagonte, të merrte tri pikët që ishin shumë të rëndësishme për momentin që po kalonte skuadra.

Ju mendoni se nuk ishte rastësi një përmbysje e tillë për tre minuta?

Unë them se e meritoi plotësisht Teuta, madje skuadrës i është mohuar një penallti kur ndeshja ishte ende me rrjeta të paprekura. Ajo penallti mund të ndryshonte rrjedhën e takimit, pasi për mua ishte dukshëm 11-metërsh. Gjithsesi, skuadra e tregoi forcën e saj.

Tashmë Teuta është forca e dytë e kampionatit. Mendoni se mund te rivalizojë deri në fund Partizanin?

Diferenca me Partizanin relativisht është e konsiderueshme. Por, unë them se ka shumë ndeshje përpara, të dyja skuadrat kanë takime direkte dhe gjithçka është në lojë. Asgjë nuk mund të quhet e përfunduar, por Teuta e ka shprehur objektivin e saj dhe deri tani është në rrugën e duhur.

Çfarë i mungon sipas jush Teutës për të pasur vazhdimësi në kampionat?

Nuk mendoj se i mungon gjë, pasi i ka të gjitha kartat e duhura. Shoh një ekip me dëshirë dhe që reagon kur duhet. Më vjen mirë që u rikthye te fitorja, pasi për mua barazimi nuk është aspak një rezultat i mirë. Do preferoja që skuadra në pesë takime të humbiste një, por të fitonte katër, prandaj dhe e shoh si humbje barazimin. Kështu që shpresoj që kjo fitore të jetë pikë kthese për Teutën dhe të vazhdojë me ecurinë e fitoreve.

A mund të luajnë Latif dhe Bushiç së bashku në sulmin durrsak?

Nga këndvështrimi im, nuk e shoh të mundur aktivizimin e dyshes Latif-Bushiç. Por, gjykoj se ai që e meriton fanellën e titullarit është momentalisht Latif. Jam ende kurioz të shoh Vajushin në fushën e lojës. Pra, se si do përshtatet me ekipin e Shkëmbit.