Gjysma e ekipit të Teutës vazhdon normalisht stërvitjen në stadiumin “Niko Dovana”, teksa bëhet fjalë kryesisht për ata lojtarë që jetojnë në Durrës. Fillimisht lojtarët nën kujdesin e zv.trajnerit Bledar Hodo dhe përgatitësit atletik, Eduard Salillari, kanë zhvilluar disa ushtrime për të nxehur muskujt, e me pas ndonjë goditje drejt portës për afro 60 minuta.

Pasi kanë marrë ngarkesën e duhur për programin që ka bërë stafi, lojtarët kanë punuar veçmas përpara se të shkonte ora 13:00, nga ku nuk lejohen më lëvizje në qytet, bazuar në urdhrin që ka dhënë qeveria. Në stërvitje ka patur edhe një moment mjaft të bukur, ku futbollistët bënin garë me njëri-tjetrin për të dërguar topin në një kosh basketbolli të vendosur në tranversën e një prej portave. Nga një distancë prej 25 metrash, ka qenë fantazisti Sherif Kallaku ai që i ka befasuar të gjithë, duke pasur një saktësi për t’u admiruar.

Në fakt, shpesh Kallaku ka shënuar gola nga goditjet standarde dhe kjo nuk është edhe shumë për t’u habitur. Ndërkohë, në stadium u përgatit nën kujdesin e trajnerit Bledar Rizvani edhe portieri korçar, Stivi Frashëri, i cili është rikthyer në Durrës pas disa ditëve pranë familjes. Teuta po ndjek shembullin e klubeve evropiane, duke respektuar distancimin social me stërvitje në grupe me nga dy-tre lojtarë.