Një ballafaqim për të përsëritur fjalët e Xhuzepe Marotës (fillimisht në intervistën për “SkySport” e më pas gjatë konferencës për shtyp të prezantimit, pasditen e së dielës) dhe për të nënvizuar që “jo”, ata të dy nuk do jenë pjesë e Interit të tij në të ardhmen.

Në imazhet e para të përcjella nga televizioni i klubit, Antonio Konte është shfaqur me pamje të përqendruar: përpara stërvitjes së zhvilluar rreth orës 07:30 të mëngjesit, ka pasur një takim ballë përballë me Ikardin dhe Naingolanin. Pavarësisht se nuk flitet për një mbledhje në kuptimin e plotë të fjalës, ajo parashikohet së shpejti.

Në Lugano, ku nga mbrëmja e së dielës Interi është grumbulluar për startin e fazës përgatitore (do shfrytëzojë stadiumin “Cornaredo” në datat 8 dhe 14 korrik) dhe po hedh hapat e parë të sezonit të ri, trajneri u ka shpjeguar të dyve një koncept jo të ri: janë jashtë projektit.

Synim i konfirmuar edhe nga fakti që të dy, pasi kryen seancën atletike me shokët e skuadrës, u lanë jashtë ushtrimeve taktike të skuadrës, siç parashikohej.

Ndërkohë që drejtuesit Marota dhe Auzilio kërkojnë zgjidhje në merkato, Ikardi dhe Naingolan po kalojnë momentet e para me profesionalizëm. Argjentinasi me shprehinë e tij të zakonshme, serioze, jo ndryshe nga vitet e kaluara kur ishte në qendër të projektit të klubit.

Edhe belgu duket i qetë, i vetëdijshëm për vendimet, por pa qëndrim polemik apo armiqësor. Një rast edhe për t’u përpjekur të bindin Konten. Mesfushori ka karakteristika teknike që mund të përputhen me idetë e trajnerit, por gjithçka do varet te sjellja (brenda dhe jashtë fushe) dhe në sinjalet që do i japin gjatë stërvitjeve të para.