Teuta zgjedh kapitenin. Nijaz Lena do të mbajë shiritin për sezonin e ri. Tashmë nuk ka vend për dyshime, pasi mesfushorit i është komunikuar nga stafi teknik edhe “grada” më e re. Strugani vjen plot ambicie në Durrës, ndërsa pas titullit të marrë me Kukësin, e synon edhe me “djemtë e detit”. Edhe pse heziton që të bëjë premtime, ai shfaq hapur synimet e klubit. Këto edhe të tjera 31- vjeçari i rrëfen në një intervistë. Ai komenton “divorcin” me Kukësin, por zbulon se për durrsakët i ka thënë “jo” Shkëndijës së Tetovës.

Riktheheni në Durrës pas një sezoni shkëputje, si e gjetët ekipin?

Të ndryshuar. Gati 80% e grupit që ka qenë nuk është më, përveç stafit teknik. Janë të njëjtë dhe ky fakt është shumë pozitiv.

Si e vlerësoni formën e ekipit dhe afrimet e reja?

Kam dy javë që i jam bashkuar Teutës dhe mendoj se skuadra është në rrugën e duhur. Jemi në periudhë me ngarkesa, pasi po bëjmë fazë përgatitore. Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore dhe në kompleks jemi të kënaqur. Rezultati nuk është se ka rëndësi në fakt, por më shumë forma. Skuadra ka marrë ngarkesën e duhur dhe do të jetë gati për të përballuar kampionatin, jo vetëm në aspektin fizik, por edhe atë taktik.

Drejtuesit janë shprehur se do të tentojnë titullin, ju duket një “mision” i realizueshëm?

Drejtuesit po bëjnë një punë shumë të mirë sa i përket menaxhimit. Kamë bërë afrime realisht cilësore. Sa i përket titullit kampion është shumë shpejt për të bërë premtime, por sigurisht që dëshira dhe ambicia nuk na mungon.

U larguat nga Kukësi me zhurmë, si i zgjidhët problemet me dokumentacionin?

Nuk mendoj se u largova me zhurmë nga Kukësi. Kisha një vit kontratë dhe e zbatova deri në momentin e fundit me shumë korrektësi. Falënderoj gjithashtu edhe presidentin Safet Gjici, i cili gjithashtu ishte korrekt gjatë gjithë sezonit të fundit.

Sipas Lenës, është kjo Teuta më e fortë apo ajo e para dy viteve?

Për mendimin tim, kjo do jetë Teuta më e fortë e viteve të fundit, në të gjitha aspektet, jo vetëm në menaxhim, por edhe në futbollin e luajtur.

Kush ju bindi që të bëheni pjesë e Teutës?

Presidenti Hasanbelliu dhe trajneri Magani. Ishin ata që më bindën, gjithsesi më duhet ta pranoj se nuk u mendova gjatë dhe e pranova direkt ofertën. Dua të falënderoj dhe ekipin e Shkëndijës së Tetovës për interesimin që tregoi, por i kisha dhënë fjalën presidentit të Teutës. Dhe në këto kushte, nuk diskutohej firma.