Në kampionatin Grek, dy janë emrat më të lakuar të shqiptarëve që vazhdojnë të qarkullojnë në mediat e vendit fqinjë, Andi Lila dhe Ergys Kaçe. Situata nuk është aspak e ngjashme për dy mesfushorët e Kombëtares Shqiptare, por gjatë javëve të ardhshme priten zhvilime interesante në lidhje me ta. I pari është një lojtar i lirë pasi kontrata e tij me PAS Janinën është mbyllur por kjo nuk e pengn aspak që emri i Lilës të lakohet në qarqet pranë Panathinaikos. Skuadra kryeqytetase ka dërguar sinjale në adresë të shqiptarit pasi kërkon një element me eksperiencë në mesfushë për sezonin e ardhshëm.

Është trajneri Marinos Ouzounidis ai që ka shfaqur ineteres për 31 vjeçarin por aktualisht klubi po punon me disa emra në dalje që i kanë bllokuar bisedimet me Lilën përkohësisht.Organika e Panathinaikos për momentin është e tejmbushur me mesfushorë dhe klubi po punon për të krijuar vendin bosh që do të ndizte dritën jeshile të transferimit të Andi Lilës në Athinë për një epokë të re në karrierën e tij. Por nëse Lila nuk ka ende një kontratë në duart e tij, ndryshin situata për mesfushorin e PAOK-ut, Ergys Kaçe. Lojtari i klubit nga Selaniku arriti të fitonte vendin e tij në formacion gjatë pjesës së dytë të sezonit të shkuar, por kjo nuk i pengon klubet e tjera të Greqisë për të kërkuar shërbimet e tij. Në radhë të parë qëndron Panionios që ka shfaqur ineteres për huazimin e shqiptarit. Panionios është vënë prej kohësh në kërkim të një mesfushori që të ofrojë cilësi dhe garanci përpara mbrojtjes dhe mesa duket, emri i duhur për drejtuesit e klubit është ai i lojtarit të lindur në Korçë. Gjithsesi, për momentin PAOK nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për nisjen e bisedimeve pasi huazimi i Kaçes do ta ulte cilësinë e skuadrës bardhezi që kërkon të zhvillojë një sezon pozitiv.